Lloga nënshkroi ekstradimin e Sheval Muaremit dhe Muhamed Çajanit nga banda kriminele e “Gërçecit” dhe “Dyqanxhikut”

Ministria e Drejtësisë njoftoi se janë nënshkruar kërkesat për ekstradim të Sheval Muaremit dhe Muhamed Çajanit, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka nënshkruar kërkesat për ekstradim të Sheval Muaremit dhe Muhamed Çajanit. Kërkesat pasi të përkthehen do t’i përcillen Ministrisë së Punëve të Jashtme për procesim të mëtejshëm deri te Emiratet e Bashkuara Arabe”, njoftuan nga kjo Ministri.

Me 4 mars, Policia ndaj tyre lëshoi fletëarrest ndërkombëtar, për vrasje, formim të grupit kriminal dhe tregti me drogë.

Gjatë një aksioni të MPB-së me 25 janar 2024, u arrestuan 6 persona, ndërkaq Muaremi dhe 7 të tjerë nuk ishin të kapshëm për policinë. Në mesin e të kërkuarve kishte edhe pjesëtarë të grupit të kriminal të “Duqanxhikut”, të cilët përndryshe janë aleatë të “Gërçecit”.

Muaremi, i cili ashtu siç konfirmoi edhe prokurori Islam Abazi, ndodhet në Dubai, kërkohet për 3 vepra të rënda kriminale, vrasje, formim të grupit kriminal dhe tregti me drogë. Zëvendësi joformal i Muaremit, Mehmed Dalipi apo i njohur si “Rudi”, kërkohet për vrasje dhe formim të grupit kriminal. 5 të tjerët, kërkohen për tregti me drogë.

Në fletëarrestet e të kërkuarve, MPB ka dhënë dhe përshkrim të dhënave të tyre dhe veprave për të cilën kërkohen.

  • LEXO më shumë detaje për lajmin në këtë LINK