Lista pozitive e barnave në RMV do të rishikohet dy herë në vit, tha ministri Aliu
Lista e barnave do të rishikohet dy herë në vit dhe do të kemi barna të reja. Një nga procedurat është drejt përfundimit dhe shpresoj që së shpejti do të ketë një rishikim të listës së barnave, tha sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për mediat, transmeton Portalb.mk.
Ky njoftim vjen së bashku me promovimin e një moduli të ri elektronik që do të digjitalizojë dhe shfaqë në mënyrë transparente të gjithë procesin.
Ministri Aliu theksoi se “Sistemi i ri për Regjistrimin dhe Menaxhimin e Kërkesave për Listën e Barnave” është hapi i parë drejt digjitalizimit të procedurës për vendosjen e barnave në listën pozitive.
“Një nga mënyrat për të pasur bar të ri në listën pozitive është optimizimi i procesit dhe procedurave për ta bërë këtë. Me këtë sistem, ne në fakt po mundësojmë qasje të lehtë dhe transparente për një ilaç të ri në listën pozitive”, tha Aliu.
Lidhur me reagimet e pacientëve nga Klinika e Onkologjisë, të cilët thonë se duhet të blejnë vetë ilaçe nga farmacia, të cilat kushtojnë 2-3,000 denarë, dhe nëse këto para do të rimbursohen, Aliu tha se dje ka folur me drejtorin dhe i është thënë se Departamenti i Onkologjisë ka ilaçe.
“Në rast se ka diçka të tillë, fondet do të rimbursohen”, tha Aliu.
Moduli i ri elektronik i informacionit është zhvilluar nga Administrata Elektronike e Shëndetit dhe do të jetë i disponueshëm në një portal publik. Me të, kërkesat mund të dorëzohen elektronikisht, në vend që të dorëzohen në formë letre si më parë. Kjo, sipas ministrit, do të zvogëlojë barrën administrative dhe do të rrisë efikasitetin e procesit.
Portali publik do të lejojë që statusi i secilës kërkesë të monitorohet në kohë reale, gjë që rrit transparencën. Vesna Nasteska nga Sektori i Farmacisë shtoi se sistemi do të përfaqësojë një bazë të dhënash qendrore dhe do të lidhë të gjitha institucionet dhe ekspertët e përfshirë në procedurë.
Në shtator të vitit 2024, nëntë barna të reja gjenerike iu shtuan listës pozitive. Këto përfshijnë ilaçe për presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, anti-agregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën.