Premtime zgjedhore për investime miliona eurosh në “Treskë”, Elmazi dhe Qeveria pa plane konkrete për ringjalljen e saj
Në Liqenin e Treskës në afërsi të Sarajit, ku dikur gjatë verës freskoheshin mijëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut, sot vështirë mund të afrohesh nga era e rëndë e mbeturinave që janë mbledhur aty. Atje gjen kafshë dhe kullosa të pakositura. Njerëz vështirë të takosh. Hapësira që ishte një nga pikat më të frekuentuara dhe atraktive pranë Shkupit, sot është shndërruar në deponi dhe ndodhet në gjendje të mjerueshme, shkruan Portalb.mk. Autoritetet përgjegjëse, tani më dy vite ende nuk kanë nxjerrë në dritë asnjë zgjidhje nga ajo që premtuan gjatë zgjedhjeve, kompetencat i takojnë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.
Ndër vite, neglizhenca e autoriteteve dhe mungesa e investimeve e kanë shndërruar Liqenin e Treskës në një hapsirë të braktisur. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga autoritete lokale të Sarajit për revitalizimin e tij, deri më sot, nuk ka pasur asnjë projekt konkret që është realizuar.
Jakup Jakupi, banor i fshatit Gllumovë, për Portalb.mk kujton kohën kur Liqeni i Treskës ishte një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë verës dhe tërhiqte mijëra qytetarë.
“Liqeni u bë me vetëkontribut. Unë punoja në “Zhelezarë” dhe të gjithë paguanim nga 0.2%. Atëherë liqeni ka qenë shumë mirë, por tash u prish. Në fillim kishte shumë njerëz, ishte përplot. Por, duke u larguar, duke u larguar…”, rrëfen Jakupi.

Ai nuk beson se institucionet kompetente mund ta rikthejnë liqenin në gjendjen e dikurshme. Sipas tij, shpresa e vetme mbetet te ndonjë investitor i huaj.
“Investim, vetëm ndonjë i huaj nëse vjen. Thanë se ai nga Shqipëria ka ardhur, Samir Mane apo si e kishte, vetëm ai nëse bën ndonjë gjë. Komuna nuk ka buxhet për ta rregulluar këtë. Rrugicat me i rregullu, boll është”, deklaroi Jakupi.
Premtime për revitalizimin e Liqenit të Treskës dhanë edhe dy partitë që sot janë pjesë e pushtetit, VMRO-DPMNE dhe VLEN gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut.
VMRO-DPMNE e ka përfshirë projektin për revitalizimin e Liqenit të Treskës në programin e saj zgjedhor lokal për Sarajin, në faqe 5.
Gjithashtu, kryetari aktual i Sarajit, Muhamet Elmazi, i cili vjen nga radhët e VLEN-it, premtimin e tij e ka në programin zgjedhor në faqen 10.


Elmazi gjatë fushatës së fundit zgjedhore madje tha se brenda gjashtë mujave nga marrja e mandatit do të dijë se çfarë duhet të ndërmerr për ta zhvilluar Liqenin e Treskës.
“Për Liqenin e Treskës ne premtojmë se, menjëherë pas marrjes së mandatit do t’i marrim nga fillimi të gjithë hapat dhe brenda gjashtë muajve do të kemi një pasqyrë të qartë se ku jemi dhe çka duhet të ndërmarrim për ta zhvilluar Liqenin e Treskës”, deklaroi në atë kohë Elmazi për Alsat.
Megjithatë siç tregojnë pamjet në terren, deri më tani asnjë hap konkret dhe asnjë aktivitet revitalizimi nuk është ndërmarrë në këtë lokacion.
Elmazi i ka “larë duart” nga Liqeni i Treskës
Portalb.mk kërkoi nga kryetari i Komunës së Sarajit sqarime lidhur me arsyet se pse edhe pas gati një viti nga marrja e mandatit, nuk janë ndërmarrë hapa konkrete për Liqenin e Treskës.
Elmazi tha se kompetencat kryesore për revitalizimin e liqenit janë në nivel qendror, përkatësisht i takojnë Qeverisë dhe institucioneve kompetente.
“Qëllimi është që Liqeni i Treskës të trajtohet në mënyrë sistematike dhe të vendoset mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata. Për këtë është e nevojshme që fillimisht të përfundojnë procedurat dhe përgatitjet përkatëse, në mënyrë që të krijohen kushte reale për realizimin e investimeve”, tha për Portalb.mk Elmazi.
Ai nuk specifikoi se për çfarë përgatitjesh bëhet fjalë.
“Synimi është që gjatë këtij mandati të bëhen hapa konkretë, të përfundojnë përgatitjet dhe të krijohen kushtet për fillimin e aktiviteteve investuese. Çdo marrëveshje apo vendim konkret do të bëhet i ditur në përputhje me procedurat dhe kompetencat institucionale.” tha Elmazi.
Gjithashtu, nuk dha detaje për paralajmërimin e tij bombastik se biznesmeni nga Shqipëria, Samir Mane ka shprehur dëshirë për të investuar në ringjalljen e liqenit.
Portalb.mk kërkoi detaje dhe nga përfaqësuesit e kompanisë së Mane-s. Nga atje thanë se ende nuk ka asgjë konkrete.
“Sapo të kemi zhvillime konkrete dhe informacion të konfirmuar për të komunikuar, do të kujdesemi t’ju njoftojmë në kohë.” thanë nga kompania e Samir Mane-s, “Balfin Group”.

Qeveria në këtë mandat vetëm do të përgatitet, nuk do të investojë
Nga ana tjetër, edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishin jo-konkret në përgjigjen e tyre. Nga atje morëm përgjigje identike si ajo e komunës, duke thënë se gjatë këtij mandati duhet të përfundojnë përgatitjet e nevojshme për t’u krijuar kushte për fillimin e aktiviteteve investuese.
“Përcaktimi ynë është që Liqeni i Treskës të vendoset mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata. Kjo nënkupton që fillimisht të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme dhe të krijohen kushte reale për investime dhe realizim konkret. Qeveria punon në përputhje me kompetencat e saj dhe në kuadër të procedurave të përcaktuara. Për këtë qëllim, gjatë këtij mandati synimi është që të ndërmerren hapa konkretë, të përfundojnë përgatitjet e nevojshme dhe të krijohen kushte për fillimin e aktiviteteve investuese, për të cilat si Qeveri po punojmë në mënyrë aktive. ” deklaruan nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit e pakapshme
Siç dihet deri më tani, ingerencat e Liqenit Treska nga Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, i kaluan Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit me ndryshimet ligjore të korrikut 2025, që kur u shua kjo Agjenci e cila i kishte ingerencat pas shpalljes së Treskës si Zonë e Zhvillimit Turistik me vendim të Qeverisë në 2021.
Kanë kaluar një vit, kurse Ministria e Kulturës dhe Turizmit ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret në terren.
Portalb.mk kërkoi përgjigje nga kjo ministri, por nga atje heshtin.
Premtime ndër vite, por pa realizim
Në vitin 2013, kompetencat për Liqenin e Treskës shteti ia dorëzoi Komunës së Sarajit. Që atëherë, kryetarët e kësaj komune kanë premtuar disa herë se liqeni do të rikthehej në funksion dhe do ta merrte sërish pamjen e dikurshme, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
Në vitin 2021, Komuna e Sarajit filloi rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve përreth liqenit. Në atë kohë, ish-kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti, prezantoi edhe planin urbanistik për revitalizimin e hapësirës. Plani parashihte qendër rekreative-sportive, pishina, aquapark, hapësira për argëtim, shtëpiza, hotele dhe përmbajtje të tjera.
Gjithashtu, u krijua një komision ndërinstitucional për të përgatitur dokumentacionin për tokën ndërtimore me qëllim shpalljen e thirrjes publike për investitorët ndërkombëtarë.
Gjatë viteve 2021–2023, edhe pse komisioni zhvilloi disa mbledhje, procesi nuk arriti te faza e shpalljes publike. Institucionet filluan të fajësonin njëra-tjetrën, Komuna e Sarajit akuzonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Turizmit për ngadalësi dhe kërkonte shqyrtim mujor në Qeveri, ndërsa Agjencia theksonte se të gjitha aktivitetet e mëtejshme vareshin nga dinamika e vetë komisionit të kryesuar nga komuna.
Në vitin 2025 kishim zgjedhjet lokale dhe premtime të reja për ringjalljen e kësaj zone. Në korrik ndodhi riorganizimi qeveritar dhe bartja e kompetencave nga Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit te Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Si pasojë, çështja e menaxhimit dhe strategjisë për Liqenin e Treskës i kaloi kësaj ministrie të re.
Viti 2026, një vit nga bartja e kompentencave në pushtetin qendror, në terren nuk ka asnjë hap konkret.
Liqeni Treska u ndërtua në 1978 me vetë-kontribut të banorëve të Shkupit. Me një sipërfaqe prej 136,000 metra katrorë dhe kapacitet për 10.000 vizitorëve në vitet 1980 dhe 1990 ai funksionoi kryesisht si vend për piknik për banorët e Shkupit, veçanërisht në muajt e verës. Rreth liqenit, i cili ka thellësi prej 1,6 deri në 3 metra, kishte shtëpi druri, kafene, restorante, pishina, zhveshtore, tualete, fusha sportive, si dhe një kamp për rimorkio. Liqeni Treska ishte në funksion vetëm 20 vjet. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit, ai u mbyll për not dhe që nga ajo kohë ka filluar shkatërrimi i tij. Sot, kompleksi përreth liqenit është shkatërruar plotësisht.

- LEXO: Biznesmeni nga Shqipëria dëshiron ta riaktivizojë liqenin “Treska” me investim prej 100 milionë eurosh
- LEXO: Komuna e Sarajit publikoi planin urbanistik për Liqenin e Treskës, Bexheti: Treska do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë
- LEXO: Liqeni dhe lumi Treska sot – pamje neveritëse, mbeturina gjithandej dhe objekte të shkatërruara (Foto)