Biznesmeni nga Shqipëria dëshiron ta riaktivizojë liqenin “Treska” me investim prej 100 milionë eurosh

Biznesmeni nga Shqipëria, Samir Mane dëshiron të riaktivizojë Liqenin ‘Treska’ në Shkup. Informacionin që është përfolur në publik prej kohësh në emisionin “Dialog te Lajmi” e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ku ndodhet liqeni që ka qenë joaktiv prej vitesh, transmeton Portalb.mk.

Sipas Elmazit, Mane ishte një nga pretendentët kryesorë që duan të investojnë në ringjalljen e liqenit.

Ai informoi gjithashtu për një takim me ekipin e Manes, në të cilin morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Në takim, ekipi i biznesmenit shqiptar prezantoi se sa vite do të duheshin për të ndërtuar Liqenin ‘Treska’ dhe sa vite do të duheshin për ta vënë në funksion.

Ishte një investim prej 100 milionë eurosh, dhe sipas Elmazit, po zhvilloheshin procedurat administrative për të harmonizuar idenë me procedurat ligjore.

Liqeni i Treskës dikur ka qenë i stërmbushur nga vizitorë si të vendit po ashtu edhe të huaj ndërsa gjithçka që ka mbetur sot janë mbeturinat dhe braktisja totale.

Liqeni i Treskës u ndërtua me vetë kontributin e banorëve të Shkupit në vitin 1978. Deri në vitin 1990 ky vend ishte atraksion për banorët e Shkupit. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit, në liqen u ndalua larja dhe që prej asaj kohe filloi degradimi i tij. Në vitin 2013 liqeni i Treskës iu dorëzua komunës së Sarajit dhe deri tani të gjithë kryetarët e kësaj komune premtuan se këtë kompleks do ta vendosin përsëri në funksion, se do të ketë investime të mëdha, hotele, restorante, se këtij liqeni do ti ktheheni shkëlqimi i dikurshëm, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, në programin e saj parazgjedhor paralajmëroi pastrimin e deponive ilegale në 82 ditët e para të marrjes së detyrës në Qytetin e Shkupit. Më 26 janar 2022, autoritetet e qytetit njoftuan pastrimin e plotë të zonës përreth liqenit Tresca në një sipërfaqe prej 10,000 metrash katrorë.

Kryetarja Arsovska më pas premtoi kontrolle dhe inspektime të vazhdueshme që “do të vazhdojnë të jenë aktivitet i përditshëm i Qytetit të Shkupit” për të parandaluar sërish grumbullimin e mbeturinave në këtë lokacion, por është më se e qartë se kontrollet dhe inspektimet e tilla nuk kanë arritur të shpëtojnë lumin dhe liqeni Treska nga plehra.