Limontia intelektuale

“Pesë për qind e njerëzve mendojnë, dhjetë për qind mendojnë se mendojnë, dhe tetëdhjetë e pesë për qind më mirë do të vdisnin sesa të mendonin.”

 -Thomas A. Edison

Të nisim nga titulli: kuptimet e fjalës limonti janë amulli, letargji, topitje, gjendje e fjetur. Limontia është një “gjendje plogështie shpirtërore, kur njeriut nuk i bën përshtypje asgjë dhe nuk kundërvepron ndaj ngacmimeve, pandjesi; moskokëçarje e plotë dhe mosinteresim për punën e për të tjerët; amulli shpirtërore.” (FGjSSh) Limontia pasqyron të menduarit gjithnjë e më të paktë dhe të lejuarit që të tjerët të manipulojnë me njeriun. Individi i kapluar nga kjo “sëmundje” shfaqet si antipod i atij që mendon në mënyrë të pavarur dhe me kokë të vet.

Fjalët e mësipërme Edisonit janë një kritikë e mprehtë ndaj mungesës së mendimit të thellë dhe reflektimit kritik në shoqëri. Ai nënvizon se shumica e njerëzve shmangin përballjen me të vërtetat e vështira, analizën, dhe peshimin e ideve, shpesh për rehati, përtaci intelektuale ose për shkak të presionit shoqëror që u rri mbi kokë.

Sintagma limonti/përtaci intelektuale (ang. intellectual laziness, iddleness), që përbën një nga sindromat e kohës tonë, ka kuptimin e dobësisë, dembelisë ose apatisë në mendimin dhe angazhimin intelektual. Këtë term e përdor David Cote në librin “Winning Now, Winning Later” (Të fitosh sot, të fitosh nesër, 2020) dhe i njëjti sipas tij do të thotë (1) të veprosh pa e vënë në dyshim atë që është bërë për vite me radhë, duke e konsideruar si të drejtë vetëm sepse është bërë gjithmonë ashtu; (2) të veprosh pa e shqyrtuar logjikën e gjësë, vetëm sipas zakonit; (3) të mos gjesh kohë për krijimtari, për të menduar dhe për t’u zhvilluar vetë, për shkak të ngutjes së përditshme dhe mbingarkesës me detyra e takime; (4) të dëgjosh një prezantim në një mbledhje pa kundërshtuar asgjë dhe të besosh në gjithçka që thuhet; (5) të pranosh atë që lexon në gazetë apo në internet pa e analizuar pse është shkruar dhe me çfarë qëllimi. (Ateş, 2021)

Sipas E. Oluwafemi (2024) limontia intelektuale është një lloj plogështie për të bërë përpjekjen e nevojshme që të mundëson të identifikosh mendimet tua, që të shtyn t’i interpretosh ndjenjat dhe të zgjedhësh fjalët më të përshtatshme nga fondi gjuhësor për t’i komunikuar ato në mënyrë të qartë. Përtacia intelektuale do të thotë të kesh pak kureshtje ose interes për të ndjekur apo për t’u angazhuar në mësime apo dije të reja. Sipas autores së sipërpërmendur, problemi me një shoqëri ku shumica e njerëzve nuk janë inkurajuar të mendojnë në mënyrë të pavarur është se ajo shndërrohet në një vend që rrit vetëm ndjekës, ithtarë, pasues, jo udhëheqës apo liderë të mëdhenj që lënë gjurmë në histori. Kjo krijon një situatë të tensionuar dhe të nxehtë, ku mungesa e mendimit kritik sjell stagnim dhe manipulim të lehtë nga struktura të fuqishme.

Limontia intelektuale mund shkaktohet nga vetë mjedisi por edhe nga individi që shfrytëzon zonën e komfortit dhe del kundër dinamizmit dhe ndryshimit duke u arsyetuar me shprehjen: “Te ne punët shkojnë kështu”.

Ky fenomen ndërlidhet edhe me shoqërinë digjitale, me varësinë nga teknologjia, e cila gjithçka e ofron të gatshme dhe nuk lë shumë hapësirë për të menduar. Deep Research, që do të thotë “kërkim i thelluar dhe me shumë hapa”, është një mjet që mundëson realizimin e analizave të avancuara dhe të ndërlikuara. Ekonomisti Kevin Bryan nga Universiteti i Torontos thotë se “me këtë mjet mund të prodhohet një artikull i gatshëm për publikim në revista akademike të nivelit B brenda një dite”. Pra shoqëria e brezit të katërt krijon individë që edhe në kërkim janë pasivë, na fakt vetëpasivizohen ngaqë teknologjia ua lehtëson punën studimore deri në ekstrem. Pra, hulumtuesi autentik i së ardhmes është në rrezik të madh nga hulumtuesi i mbështetur në vegla kërkimore virtuale dhe inteligjencia artificiale. Kjo është limontia e epokës informatike.

Trajneri i performancës së lartë, Holton Buggs thotë se njeriu duhet të jetë intelektualisht i mprehtë (intellectually astute) dhe jo i plogësht, sepse plogështia na privon nga vetë-reflektimi.

Limontia më e rezikshme është ajo intelektuale. Intelektualizmi nuk është vetëm privilegj, është edhe përgjegjësi që kërkon aktivizëm permanent, jo vetëm jetë zyre dhe klasash e amfiteatrosh. Është fatkeqësi që poltronizmi i shkaktuar nga çekanit i komunizmit, në pluralizëm u shndërrua në puthadori të një natyre tjetër, në një servilosje të pështirë ndaj pozitës (pushtetit). Një pjesë e mirë e intelektualëve tanë bëjnë gjumin, nuk iu dëgjohet zëri me dekada, ndërsa si atletë ngarendin e pozicionohen nëpër ceremoni, përvjetorë, gala mbrëmje e të ngjashme. Diploma nuk e bën njeriun intelektual; janë mendimet e guximshme ato që e promovojnë të diplomuarin në komunitetin e intelektualëve.

Ende kemi limonti-intelektualë që s’guxojnë të publikojnë CV-të e tyre në faqen zyrtare të institucionit, por që pa turp zgërdhihen e krekosen kur bëjnë fotografi me liderin e aksh partisë, madje e shpërndajnë nëpër rrjetet sociale sikur të kishin bërë ndonjë publikim me impact factor apo të ishin pranuar në post-doc në Harvard a MIT. Ky është profili i asaj që gjermanët i thonë Hochstapler, term që i referohet një personi që paraqitet si më i rëndësishëm apo më i madh nga sa është në të vërtetë, prezantohet si ekspert në një fushë ku nuk ka njohuri, shpesh me qëllim për të mashtruar të tjerët; një tip që me paraqitje të zgjuar dhe sjellje të rafinuar siguron një vend në shoqëri; mashtrues, dinak me sjellje të kulturuar. Kjo matricë mentale, edhe tjetri kur flet e shkruan me kriticizëm pyet: “Kush të qëndron mbrapa?” Dmth: A e ke bërë mirë hesapin? Qysh bre s’tutesh? Ky është fukarai i fukarenjve të trurit dhe zemrës. Çantë lëkure, kostum e kollare ka, ama shpirt s’ka. Është i manipuluar por s’është i vetdijshëm për të.

Kategoria e individëve që jetojnë në limonti intelektuale marrin nga kapitali social pa dhënë asgjë në të, pa kontribuar në thesarin shoqëror, kombëtar, madje edhe planetar. Këta njerëz as limontozin e limonadën s’i kanë hallall ngaqë e fitojnë me lajka, like, me fusheraj, snobizëm, debilizëm, ekzibicionizëm, kretenizëm, oportunizëm, profiterizëm! Antipodi i tyre është shkollari i mirëfilltë që gjithçka e analizon me vëmendje dhe nuk ngurron të prononcohet dhe të kritikojë arsyeshëm pa hezituar se çfarë do të thonë të tjerët, përfshirë edhe të fuqishmit dhe aparatçikët e proviniencave të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.