Ligji për lojërat e fatit, 64 deputetët e Kuvendit përmes votimit konstatuan se ky ligj nuk është i pranueshëm
Kuvendi në kuadër të pjesës së pasdites së punës sipas rendit të ditës së seancës së 14-të, përfundoi debatin për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të parë, të propozuar nga deputetë nga Fronti Evropian, dhe me 64 vota “për” dhe 13 “kundër” konstatuan se nuk është i pranueshëm dhe se nuk mund të jepet për lexim të mëtejshëm, raporton MIA.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fund paralajmëroi që seanca do të vazhdojë nesër prej orës 12:00.
Ilire Dauti dhe Elmi Aziri nga Fronti Europian, ishin për miratimin e këtij ligji, duke theksuar që kjo është edhe një kërkesë që vjen Lëvizja Antibixhoz në Tetovë.
Ndryshe, Ligji për lojërat e fatit i propozuar nga koalicioni Fronti Evropian, më 12 gusht u largua nga rendi i ditës i seancës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhi pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse që u propozua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.