U votua nevoja për miratimin e ndryshimeve ligjore për “branitellat”, planifikohet deri 82 mijë euro mbështetje financiare
Në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u miratua nevoja për miratimin e ligjit që rregullon të drejtat e “branitellave”, transmeton Portalb.mk.
Ky propozim i deputetës së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, u mbështet nga LSDM-ja opozitare dhe VMRO-DPMNE që është në pushtet.
Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, e fajësoi VLEN-in se mundësoi që ligji me procedurë të shkurtuar të futet në rendin e ditës. Arben Taravari pasdite theksoi që ky propozim-ndryshim i Petrovskës ishte miratuar në Qeveri në janar, atëherë kur BDI-ja dhe LSDM-ja ishin në Qeveri, për t’u dërguar pastaj në Kuvend për miratim.
Raportohet që me 65 vota “për” e kaloi këtë filtër propozim-ligji për “branitellat”, ku sipas TV21 planifikohet mbështetje financiare deri 82 mijë euro.
Ligji në fjalë parasheh rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro, në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100%. Ky është kompensim i njëhershëm.
Adnan Azizi nga VLEN-i ka paralajmëruar që nuk do të mbështesin këtë propozim-ligj, nëse aty nuk përfshihen edhe të drejtat e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ndryshe, Ligji për branitellat është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.