12 pasagjerë humbën jetën pasi autobusi polak u përmbys në Hungari
Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 47 janë lënduar pasi një autobus me turistë polakë doli nga një autostradë në Hungari dhe përfundoi në një kanal. Shërbimet e emergjencës njoftuan se 10 persona të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa 37 janë lënduar lehtë, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk.
Policia njoftoi se autobusi është përmbysur pasi doli nga autostrada M3, e cila lidh kryeqytetin Budapest me qytetin verilindor Nyiregyhaza, rreth orës 01:00 të mëngjesit. Policia dyshon se shoferi e kishte zënë gjumi në timon. Ai është arrestuar.
Sipas raportimeve të mediave shtetërore, zjarrfikësit deri tani kanë shpëtuar 35 nga gjithsej 57 pasagjerët dhe dy shoferët që ndodheshin në automjet.
Shërbimet e emergjencës po përpiqeshin të ngrinin boshtin e pasmë të autobusit, i cili peshon 24 tonë, për të nxjerrë personat e bllokuar nën të, para se të mbërrinin vinçat për ngritjen e të gjithë automjetit, raportoi agjencia e lajmeve MTI.
Shërbimi hungarez i emergjencës njoftoi se ka trajtuar një person me lëndime të rrezikshme për jetën, nëntë persona me lëndime të rënda dhe 37 persona me lëndime të lehta.
Kryeministri i vendit, Peter Magyar, shprehu “ngushëllimet e tij të sinqerta” për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.