Dy vite e promovuan dhe e zvarritën, sot nuk e bëjnë publik: Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ‘fsheh’ Ligjin për përfaqësim të drejtë

Qeveria e Maqedonisë ndonëse dje e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të njëjtin vazhdon të mos e bëjë publik pavarësisht interesit të madh në opinion, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se redaksia e Portalbit e kërkoi këtë propozim-ligj si dokument nga Qeveria, nga aty nuk e dërgojnë.

“Procedurat qeveritare janë drejt përfudnimit para se ai të dërgohet në Kuvend, ku do të zhvillohet debat dhe do të jetë i hapur për publikun”, thanë nga Qeveria.

Propozim-ligji u miratua dje nga Qeveria, një vit e gjysmë pas shfuqizimit të ‘Balancuesit’ dhe pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve për sjelljen e të njëjtit.

Ky ligj, sërish solli përplasje dhe akuza politike midis opozitës dhe pushtetit.

Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani thekson se kjo zgjidhje ligjore që duhet të zëvendësojë rolin e Balancuesit është skandaloze, duke aluduar se profesoresha e afërt me VMRO-DPMNE-në, Tanja Karakamisheva është autore, ai thotë se ligji është karikaturë e saj.

“Qeveria paska miratuar një ligj karikaturë të Karakamishevës për “përfaqësim të drejtë”, ku balancuesi, që ishte formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, zëvendësohet me një komision i cili një herë në vit do të japë raport për përfaqësimin e drejtë. Provokim pas provokimi. Deri kur?”, tha Osmani.

Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari thotë se ligji është goditje e drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet publike.

“Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar”, tha Taravari.

Në ndërkohë, kryeministri Hristijan Micksoki thekson se Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të ketë në fokus çështjen e meritorakcisë gjatë punësimeve.

“Është ligj i cili i kaloi të gjitha filtrat në Qeveri, ligj i cili e mori mendimin pozitiv nga ana e Komisionit të Venedikut dhe ligj i cili do të sigurojë përfaqësim të drejtë, por njëkohësisht do të mbajë llogari edhe për cilësinë, diçka që deri më tani ndoshta nuk ishte vendosur në perimetër, gjegjësisht në fokus. Unë mendoj se me këtë ligj për përfaqësim të drejtë, përfundimisht do të tejkalohen të gjitha stereotipat e të kaluarës, të gjitha elementet antikushtetuese dhe gjithçka që ka paraqitur pengesë në të kaluarën, përfundimisht ofrohet zgjidhje që do t’i zgjidh këto”, tha Mickoski.

Pas miratimit në Qeveri, ligji do të procedohet në Kuvend, ku pritet debat parlamentar.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.

Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.

Punësimet e reja pritet të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.

Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.