“Ka marrë fund”, studentët kundër Vuçiqit me të njëjtën parullë si dikur kundër Millosheviqit

“Ka marrë fund”, brohoritën mbështetësit e listës opozitare “Studentët fitojnë” në një tubim parazgjedhor në Nish, qyteti më i madh në Serbinë jugore. Të njëjtën parullë, shkruan BBC në gjuhën serbe, e përdorën edhe kundërshtarët e regjimit të Sllobodan Millosheviqit më shumë se dy dekada më parë.

Në tubimin në Nish, të quajtur “Kryqëzim”, kandidatët e listës studentore u thanë votuesve se zgjedhjet e 25 tetorit janë të thjeshta – “në njërën anë është Serbia, ndërsa në anën tjetër vetëm mafia”.

“Betohemi se do të luftojmë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk ka forcë që mund të na ndalë”, tha Jovo Bakiq, një nga profesorët e shumtë universitarë që janë përfshirë në mesin e kandidatëve për deputetë në listën “Studentët fitojnë”.

Sipas parashikimeve të analistëve dhe disa sondazheve të opinionit publik, të cilat BBC-ja nuk mund t’i konfirmojë, beteja kryesore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit do të zhvillohet pikërisht mes listës studentore dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, lista e së cilës udhëhiqet nga ish-presidenti i deritanishëm Aleksandar Vuçiq.

Lista opozitare studentore e akuzon pushtetin për korrupsion prej vitesh, paaftësi, neglizhencë, rritje të borxhit shtetëror, standard të ulët jetese dhe punësime partiake. Përfaqësuesit e saj thonë se e gjithë kjo do të ndryshojë pas zgjedhjeve, kur, siç shprehen, do ta “sjellin lirinë në Serbi”.