Lëndë të vjetërsuara, drejtësi e ngadalshme – pse lëndët gjyqësore zvarriten nëpër labirinthe?

Tema e vjetërsimit të lëndëve gjyqësore, me të cilat u mundësohet kryerësve të veprave penale ose kundërvajtëse të mos përgjigjen dhe të mos kenë pasoja, më se shumti u aktualizua kur ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov arriti të “shpëtojë” – muajin e kaluar u vjetërsua rasti “Titanik 2”, raporton Portalb.mk.

Në vitin 2006 MPB publikoi incizime nga dërgimi i të dyshuarve para gjykatës në rastin të cilin prokuroria e quajti “Armët e ushtrisë”. Kaluan 17 vite nga ajo ngjarje dhe pas një entropie gjyqësore, ende nuk ka aktgjykim final. Dhe ky nuk është rast i izoluar. E njëjtë është historia me rastin “Arsenali” të vitit 2014, që ka të bëjë me servisimin e helikopterëve të partisë. Lënda ende është në fazë gjykimi. Lënda “Maxhar Telekom” në të cilën drejtorë hungarezë të Telekomit të Maqedonisë ishin të dyshuar për dhënie të ryshfetit politikanëve tanë, në gjykatë hyri në vitin 2011, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë u soll tek këtë vit.

Shembuj të këtillë të ngjashëm ka mjaftueshëm që ta vërtetojnë përshtypjen se ose akuza është me gabim fabrike, ose nga ana tjetër ekzistojnë motive të tjera për zvarritjen ose vjetërsimin e aktgjykimeve. Interes të veçantë në publik ngjallin lëndët të cilat janë kryesisht të profilit të lartë, ku të akuzuar dhe të dyshuar janë politikanë ose funksionarë, posaçërisht kur vjetërsohen ose kur proceset gjyqësore zvarriten gjatë.

Prej vitit 2018 deri në vitin 2022 në nivel vjetor vjetërsohen mesatarisht 1000 lëndë gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit.

“Kur bëhet fjalë për vjetërsimin e lëndëve ka arsye objektive dhe subjektive. Arsyet objektive janë të lidhura me dënimet e vogla të parapara që e kufizojnë kohën për të cilën një i akuzuar mund të përgjigjet penalisht. Mirëpo, kjo nga ana tjetër është e lidhur me aftësinë e policisë dhe prokurorisë që të reagojnë shpejt, që të mos vjetërsohen lëndët. Ka pasur raste kur prokuroria hap lëndë disa vite pas ngjarjes juridiko-penale. Ndonjëherë nëpër gjykata arrijnë aktakuza që janë pothuajse të vjetërsuara, e pastaj derisa të sillet aktgjykimi i shkallës së parë, e aktgjykimi i formës së prerë, lënda vjetërsohet. Edhe vetë Prokuroria shumë rrallë e tërheq aktakuzën kur është pothuajse e qartë se nga provat nuk u janë vërtetuar dyshimet. Kjo e zvarrit procedurën dhe vetëm fryhen shpenzimet gjyqësore”, thotë gazetari Vasko Magleshov, kryetar i Këshillit Gjyqësor-mediatik.

Nga ana tjetër, sipas tij, me lëndët që i hapi Prokuroria Speciale Publike, gjithashtu publiku ishte dëshmitar i një shpejtësie ndryshe të veprimit.

“Për shembull në lëndën “Tenk” aktgjykimi u soll për një vit, ndërsa për lëndë të tjera si për shembull “Total”, nuk ka as aktgjykim të shkallës së parë tashmë gjashtë vite pasi ka hyrë lënda në gjyq. Atje u ndërruan disa gjykatës dhe lënda fillonte nga fillimi. Sa u përket arsyeve subjektive, këtë në lojë janë më shumë faktorë si frekuenca e caktimit të seancave, deri te dinamika e vetë gjykimeve, deri te taktikat e mbrojtësve…”, thotë Magleshov.

Gjëja e parë që bën ose të paktën duhet të bëjë gjykata sipas detyrës zyrtare është që të kontrollojë se a është me të vërtetë kompetente për një lëndë dhe pastaj, kur vjen vjetërsimi i ndjekjes penale. Prej këtu, nga vetë fillimi i gjykimit gjykata e din saktë se kur vjetërsohet ndjekja penale.

“Për shembull, në lëndën “Trajektorja”, për ish kryeministrin Nikolla Gruevski kishte vjetërsim absolut të ndjekjes penale. Gjykatësi i cili e udhëhiqte rastin më parë caktonte mesatarsisht dy seanca në muaj të cilat fillonin në orën 10 dhe zgjatnin më së shumti deri në ora 15. Ndodhte që ndonjëherë seancat të anulohen për shkak të mungesës së palëve dhe kjo ishte kohë e mjaftueshme që në vend të aktgjykimit të fitojmë lëndë të vjetërsuar. Vjetërsimi i lëndëve ka ndikim të jashtëzakonshëm mbi pasqyrën e gjyqësorit, sepse e rrënojnë besimin e qytetarëve në emër të të cilëve sillet çdo aktgjykim”, thotë Magleshov.

Vjetërsimi i lëndëve ka arsye objektive dhe subjektive

Vjetërsimi i lëndëve gjyqësore jo gjithmonë është rezultat i keqpërdorimit direkt, sqaron për Meta.mk avokatja Suzana Joshevska Anastasovska dhe shton se ekzistojnë me të vërtetë një numër i madh faktorësh që nuk kanë faj direkt tek askush, e përsëri lënda vjetërsohet.

“Sfidat e vazhdueshme teknike me të cilat përballen prokuroritë dhe gjykatat në aspekt të kuadrove teknike, pajisjeve, hapësirës dhe materialeve janë direkt të lidhura me disa nga arsyet objektive për vjetërsim të lëndëve. Edhepse gjendjet kanë një farë trendi të butë të ngadalshëm të përmirësimit dhe edhepse shtete te huaja me të vërtetë investojnë në kapacitetet e jurisprudencës, e gjithë kjo duket sikur është e pamjaftueshme që të mund të funksionojnë në mënyrë azhure dhe në kohë. Gjithashtu, arsye e rëndësishme objektive është edhe mosplotësimi i vendeve të gjykatësve dhe prokurorëve në pajtim me sistematizimet e tyre”, thotë ajo.

Sipas Joshevska – Anastasovska, zbulimi dhe detektimi i hershëm i veprave penale, posaçërisht i atyre që kanë të bëjnë më korrupsion të lartë nuk është për tu neglizhuar, e kjo nënkupton gjithashtu që duhet të kyçen dhe të veprojnë më shumë organe– MPB-ja, Drejtoria e Policisë Financiare, DAP-i etj., e pastaj rol kanë edhe ekspertët, e këtu janë edhe superekspertizat, që përpilohen nga institucione, e pastaj lëndët ngecin më gjatë se një vit.

“Është e padrejtë që të lihet përgjegjësia më e madhe tek gjykatat duke pasur parasysh atë se derisa të arrijë lënda në gjykatë mund të ketë kaluar më shumë se gjysma e kohës së nevojshme për vjetërsim dhe disa periudha me të vërtetë nuk varen nga gjykata.

Mirëpo, nevojitet që gjykatat të veprojnë më me përgjegjësi kur ekzistojnë rreziqe për vjetërsim nëpërmjet mjeteve që i kanë në dispozicion, si për shembull caktimi i më shumë seancave kryesore përnjëherë dhe në afate më të shpejta dhe moslejimi që palët t’i keqpërdorin të drejtat që ua jep ligji me anulime të vazhdueshme, të cilat nuk janë të verifikuara dhe për të cilat nuk kërkohen dëshmi konkrete, intervenim i rregullt për veprim më të shpejtë nëse lënda është jashtë gjykatës ose kërkohet që ndonjë organ të veprojë”, thotë Joshevska – Anastasovska.

Përveç kësaj, “hallkë” e dobët janë edhe gjykatësit – porotë të cilat nëpërmjet lëndëve me interes publik është dëshmuar se mund të kontribuojnë për anulime, si dhe zhvendosja e vazhdueshme e gjykatësve nga njësia në njësi, që gjithashtu shkakton anulim dhe fillim të procesit nga fillimi.

Tema e vjetërsimit të lëndëve gjyqësore, me të cilat u mundësohet kryerësve të veprave penale ose kundërvajtëse të mos përgjigjen dhe të mos kenë pasoja, më se shumti u aktualizua kur ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov arriti të “shpëtojë” – muajin e kaluar u vjetërsua rasti “Titanik 2”, i cili ka të bëjë me marrëveshje për votim të kundërshtimeve në favor të VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet lokale në vitin 2013 në Strumicë.

Deri te vjetërsimi arriti pasi kaluan pothuajse pesë vite nga seanca e parë.

Në Gjykatën e apelit në Shkup nga viti 2018 deri në mars të këtij viti janë vjetërsuar pesë lëndë për rrezikim të sigurisë në komunikacion, tre lëndë për falsifikim të dokumenteve, dy për vjedhje dhe nga një për evazion fiskal dhe mashtrim dhe përdorim të dokumentit me përmbajtje të rrejshme.

Ne Gjykatën themelore penale vitin e kaluar janë vjetërsuar 16 lëndë, ndërsa deri në fund të marsit të këtij viti edhe katër të tjera. Midis tyre është edhe lënda për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave Dragan Daravellski i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Daravellski pas shumë vitesh në arrati vetë u kthye në vend dhe u arrestua, por Gjykata penale nuk kishte mundësi tjetër përveçse të sjellë aktvendim me të cilin e ndalon ndjekjen penale.