“Parkingu i Qytetit” në Tetovë do të jetë me koncesion

Me qëllim të tërheqjes së kapitalit privat, por edhe përmirësimit të kushtev edhe shtimit të numrit të vendeve për parkim në Tetovë, komuna e Tetovës, ka nisur debatin publik për dhënien me koncesion të Ndërmarrjes “Parkingjet e Qytetit”. Parkingjet do të jepen me qira për kohëzgjatjen prej 20 vitesh, ndërsa kushtet e kërkuara nga komuna janë, të mos rriten çmimet e orëve të parkimit si dhe shtim të vendeve për parkim dhe investime rreth modernizimit të kësaj ndërmarrjeje, transmeton Alsat.

“Komuna ështeë në gjendje të rënduar financiare, andaj shumicën e këtyre shërbimeve do shkojmë t’i realizojmë edhe me tërheqjen e kapitalit privat, me çka më mirë dhe më shpejtë do të mund të zgjidhim një pjesë të probleme që ka qyteti”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm në Tetovë gjatë vitit 2022 ishte 6.373, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 4.432.

Komuna e Tetovës nuk arriti ta realizojë në tërësi planin për krijimin e parkingjeve në vitin 2022. Sipas planit vjetor të prezantuar në janar të vitit 2022 ishin të parapara që deri në fund të vitit 2022 të krijohen 3,090 vende të reja parkimi, por gjatë kësaj periudhe u realizuan vetëm 284, apo vetëm 7 përqind. Sipas komunës, plani nuk është realizuar në tërësi për shkak të vështirësive që kanë hasur. Kaosi në trafik mbetet i pranishëm.

Gjatë kësaj periudhe u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura, ajo e shërbimit merimangë. 

Ndërkaq sa u përket garazheve në kate dhe parkingjeve të mbyllura, të njëjtat sipas komunës do fillojnë të ndërtohen gjatë këtij viti.

Numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës sipas MPB-së është mbi 32 mijë.