Laptopë në kohë zgjedhjesh, kriteret ende të papërcaktuara: A po e blen Qeveria e RMV-së votën e studentëve?
Pavarësisht se po promovohet mbi nëntë muaj, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk i ka përpiluar kriteret për zbatimin e dhënies së kuponëve prej 250 eurove, nga a cila pritet të përfitojnë rreth 55 mijë studentët, me të cilat mund të blejnë laptopë ose tabletë, shkruan Portalb.mk.
Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dje e miratuan Ligjin për Lëshimin e Kuponave me 84 vota “pro”, me të cilin secili student do të marrë 250 euro për pajisje elektronike.
Derisa nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet u lavdëruan se ndihmojnë studentët, LSDM-ja opozitare kritikoi se kjo është masa e parë e propozuar nga Qeveria gjatë gjithë këtij viti që ka të bëjë me të rinjtë.
Të kontaktuar se cilat janë kriteret dhe kushtet që do të përcaktojnë se cili student do të mund ta gëzojë masën e qeverisë “250 euro për çdo student” dhe kur do të fillojë zbatimi, nga Qeveria për Portalb.mk bëjnë të ditur se ende vijon kjo procedurë.
“Në Buxhet janë parashikuar fonde për blerjen e pajisjeve elektronike prej 250 eurosh për studentët. Qeveria, nëpërmjet Sekretariatit të Përgjithshëm, aktualisht po punon për përpilimin e kritereve që do të mundësojnë zbatimin e kësaj mase. Është e rëndësishme të dihet se ndihma shtetërore për blerjen e pajisjeve elektronike prej 250 eurosh do të mbulojë pothuajse 55,000 studentë nga institucionet e arsimit të lartë shtetërorë dhe privatë. Studentët që kanë një semestër të verifikuar do të mund ta përdorin këtë ndihmë për blerjen e pajisjeve elektronike nga shtatori. Masa do të zbatohet edhe për studentët e vitit të parë, me kusht që të kenë të regjistruar semestrin, prandaj po presim të fillojë viti i ri akademik, sepse një nga kriteret është të kenë një semestër të çertifikuar në mënyrë që të mund të marrin ato fonde për blerjen e pajisjeve elektronike”, thanë nga Qeveria.
Dje kryeministri Hristijan Mickoski përmes rrjeteve sociale promovoi vendimin e qeverisë për dhënien e kuponëve prej 250 eurosh për studentët, për blerjen e laptopëve, tabletëve ose pajisjeve të tjera.
“Ligji për Mbështetje Financiare prej 250 eurosh për secilin student është tashmë në procedurë parlamentare. Kjo masë i lejon çdo studenti të marrë fonde për blerjen e një pajisjeje elektronike – një laptop, tablet ose pajisje tjetër, të nevojshme për mësim, kërkim dhe përparim”, shkruan Mickoski.
Lidhur me këtë masë, kanë kritikruar nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Sipas tyre, kjo masë e Qeverisë ngjason në një politikë populiste sepse proceduraat për zbatimin e saj nisin në periudhën e fushatës së zgjedhjeve lokale, dhe se është politikë shkurtpamëse sepse me 250 euro, laptopët që mund të blehen apo mjetet tjera elektronike janë me performanca shumë të dobët.
Vauçerët prej 250 eurove për pajisjet elektronike për studentët fillimisht u paralajmëruan në tetor 2024, ndërsa nëntë muaj më vonë, më 22 korrik 2025 qeveria e miratoi vendimin për dhënien e kuponëve, ndërsa kuvendi e votoi më 24 korrik.
- LEXO: Me 84 vota “për”, në Kuvendin e RMV-së u miratua propozimi për vauçerët e studentëve
- LEXO: Qeveria: Shteti do të mbulojë gjashtë fertilizime “in vitro” dhe do ndajë kuponë prej 250 eurosh për çdo student
- LEXO: Pas shumë muajve pritje, filloi procedura për vauçerët e shumëpërfolur për studentët e RMV-së
- LEXO: RMV, në buxhetin e vitit 2025 janë siguruar 250 euro për pajisje elektronike për studentët dhe mbështetje financiare deri në 30.000 euro për të rinjtë
- LEXO: Viti akademik po përfundon, vauçerët për pajisje elektronike për studentët e RMV-së mbetën vetëm njoftime
- LEXO: Vauçerë në vlerë prej 250 euro për studentët e RMV-së, paralajmëroi kryeministri