Qeveria: Shteti do të mbulojë gjashtë fertilizime “in vitro” dhe do ndajë kuponë prej 250 eurosh për çdo student

Qeveria dje miratoi vendime me të cilat mundësohen gjashtë përpjekje falas për “in vitro” për çiftet që kanë probleme me fertilitetin, si dhe dhënia e kuponëve prej 250 eurosh për studentët, për blerjen e laptopëve, tabletëve ose pajisjeve të tjera, njoftoi kryeministri i RMV Hristijan Mickoski nëpërmjet rrjeteve sociale, transmeton Portalb.mk.  

“Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po përmbush premtimin e saj ndaj studentëve, Ligji për Mbështetje Financiare prej 250 eurosh për secilin student është tashmë në procedurë parlamentare! Kjo masë i lejon çdo studenti të marrë fonde për blerjen e një pajisjeje elektronike – një laptop, tablet ose pajisje tjetër, të nevojshme për mësim, kërkim dhe përparim. Studentët janë e ardhmja jonë, zemra e epokës së re. Kjo është arsyeja pse qeveria qëndron fort pas të rinjve, pas dijes, pas mundësisë që të gjithë të kenë sukses, pavarësisht se nga vijnë. Ne po ndërtojmë një shtet që investon në arsim, që nuk i harron të rinjtë dhe që hedh themelet për një shoqëri më të drejtë dhe më premtuese”, shkruan Mickoski në njoftim. 

Me shpenzime të mbuluara nga shteti, nga tani do të mund të realizohen gjashtë fertilizime in vitro, në vend të tre, siç ishte deri më tani  dhe ato do të jenë falas për qytetarët, pati informuar drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski.

Bëhet fjalë për disa ndryshime në Ligjin për mbrojtjen shëndetësore të popullsisë, të miratuara më 10 korrik në Kuvend, me iniciativë të një grupi deputetësh në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin.