LAGJJA-GETO

Togfjalëshi lagje-geto, e varfër ose  mjeruar (slum) nënkupton një zonë urbane të mbipopulluar me kushte banimi jostandarde dhe papastërti; formë të rëndë të segregacionit urban, të grupimit të banorëve të një zone, kuarti  në bazë shtresore-klasore, etnike, religjioze etj. Lagjet e varfra mund t’i gjejmë në të gjitha qytetet, të vjetra a të reja, të bëra me plan a pa plan, të mëdha a të vogla, dhe faktet flasin se sa më i madh të jetë qyteti aq më të mëdha janë lagjet e varfra.  Do të ishte gabim të pa presupozohej se lagjet e varfra i gjejmë vetëm nëpër vendet e varfra, në ato në zhvillim e sipër, të njëjtat i gjejmë në masë të njëjtë edhe në disa nga vendet më të zhvilluara të botës si Shtetet e Bashkuara, Kanada, Francë, Itali etj.

Shprehja angleze slum përbën emërtuesin e përbashkët për banimin e dobët të çdo lloji si shenjë e mjedisit (Rao, 1990:2-3). Kombet e Bashkuara e përshkruajnë lagjen e varfër/ informale si vendbanim me këto tipare:

  • Cilësi dhe qëndrueshmëri e dobët strukturale e banimit
  • Hapësira të pamjaftueshme të banimit (më tepër se tre veta ndajnë dhomën e njëjtë)
  • Mungesë e sigurisë së zotërimeve
  • Akces i dobët te uji
  • Mungesë e kanalizimit dhe higjienës publike

Termat tjerë që shënojnë lagjen e varfër në gjuhët e ndryshme botërore janë  clude: shanty town, favela, rookery, gecekondu, skid row, barrio, ghetto, bidonville, taudis, bandas de miseria, barrio marginal, morro, loteamento, barraca, musseque, tugurio, solares, mudun safi, karyan, medina achouaia, brarek, ishash, galoos, tanake, baladi, hrushebi, chalis, katras, zopadpattis, bustee, estero, looban, dagatan, umjondolo, watta, udukku, chereka bete etj. (Tibaijuka, 2003:30) Si shembuj të lagjeve të varfra, i pari të cilëvë është formuar në New York City më 1925, mund të përmendim Dharabi (Indi), Kibera (Keni), Makoko (Nigeri), Tai Hang (Hong Kong), Rocinha (Brasil), Carton City (Serbi), Azbetu’l-Hixhane (Egjipt), Gaziosmanpasha (Turqi)… Slumi më i madh në botë gjendet në Mexico City. Nuk ka një përkufizim të pranuar nga të gjithë për lagjet e varfra si dukuri specifike, si zona të paorganizuara, që sipas Queen-it dhe Thomasit janë sinonim i “zonës së shkatërruar”. Disa thonë se termi “e shkatërruar” duhet të përdoret vetëm për hapësirat e pabanuara, kurse lagja e varfër për ato të banuara. Mund të cilësohet si hapësirë jetike me kushte nënstandarde apo të mjerueshme të jetesës. David Hunter-i thotë se tiparet kryesore të këtyre lagjeve janë varfëria, mbipopullimi, përqendrimi racor, kriminaliteti dhe izolimi. Shtëpia e vetmuar, madje edhe në shkallën më të lartë të shkatërrimit nuk është e tillë. Shprehja “kushte për jetesë” më tepër ka të bëjë me standardin jetësor sesa me pamjen fizike të një ndërtese.

Ka tre lloje lagjesh të varfra: (1) “Lagjja e varfër zanafillëse”, rajon në të cilin që nga fillimi janë ndërtuar ndërtesa të papërshtatshme për jetesë dhe ato nuk mund të riparohen por duhet të shemben. Shembull për këtë është lagjja meksikane në Viçita. (2) Lloji i dytë krijohet gjatë shpërnguljes së familjeve të klasës së mesme dhe të lartë në rajone të tjera dhe pas përkeqësimit të gjendjes së rajonit. South End-i në qytetin e Bostonit është tipik për këtë lloj, për të cilin është e vështirë të bëhet plani për rehabilitim, por nuk është në gjendjen për shkatërrim tërësor. Rehabilitimi është çështje e organizimit administrativ dhe shoqëror (detyrim i pronarëve t’i përtërijnë shtëpitë, t’i pastrojnë oborret, t’i largojnë plehrat, të zvogëlohet numri i dhomave për dhënie me qira, të kufizohet numri i banorëve, i qiraxhinjve, të kufizohen lejet për lokale të alkoolit derisa numri i tyre të arrijë një numër të arsyeshëm). (3) Lloji i tretë, më i papërshtatshëm për të jetuar përbën një dukuri jetëshkurtër. Në këtë lloj lagjesh hasen shtëpi në shkatërrim e sipër, strehimore njënatëshe, shtëpi publike, lokale jolegale të alkoolit. Një lagje e këtij tipi banohet nga kalimtarë, përtacë, rrugaçë, bredhës, vagabondë, alkoolikë kronikë, lypsarë, kriminelë të papërmirësueshëm. Veprimtaritë “ekonomike” këtu i kryejnë pronarë të bareve dhe të klubeve të bixhozit, pronarë pengjesh, shpërndarës droge, prostituta. Ky lloj lagjesh i bën qëndresë të fortë rehabilitimit. Në këto rajone të jetesës së çorganizuar ose me organizim shoqëror joformal, me kushte të rënda për jetesë, mbizotëron nëntoka e gangsterëve, jeton shtresa më e ulët shoqërore, mbizotëron varfëria dhe zhurma e madhe (nga britmat, qeshjet dhe muzika shumë e zëshme), papastërtia, mjerimi. Sipas Anna Tibaijuka sot në botë nëpër lagje të varfra jetojnë diku rreth një miliardë njerëz, kurse pas viteve 2030 ky numër mund të dyfishohet. (Aceski, 1995: 400-406)

Një prej tipareve të çdo lagjeje të varfër  është edhe karakatina (shanty), shtëpi e ndërtuar shpejt dhe pa rend, pa shije, thuajse pa kurrfarë infrastrukture, e ngritur në tokë private ose publike pa leje nga organet gjegjëse. Dukuria e këtyre ndërtesave që lindin brenda natës është specifike për zonat në të cilat urbanizimi është i shpejtë dhe josistematik. Ky strukturim shkarës që shfaqet nëpër zonat periferike dhe që përfshin në vete të ashtuquajturit qytetarë të rinj, është pasojë e mungesës së banesave e, mes tjerash, shkakton dëmtime fizike. Njëkohësisht ndërtimet pa plan dhe pa shije e minojnë turizmin. Karakatinat nuk përfaqësojnë as fshatin e as qytetin. Njerëzit që jetojnë nëpër këto vendbanime kanë probleme me punësimin, infrastrukturën, arsimimin e fëmijëve, me përshtatjen në mjedisin e ri. Ata mundohen të imitojnë mënyrën qytetare të konsumit e të veshmbathjes dhe zakonisht janë tipa shpërthyes dhe tepër të politizuar. Banorët e këtyre vendbanimeve, që janë si  zonë ndërmjetëse mes fshatit dhe qytetit, i ruajnë lidhjet me zonat rurale prej nga kanë ardhur, formojnë bashkësi të vogla që si pikënisje kanë prejardhjen gjeografike. Karakatinizimi ose barakizimi lidhet me shpërnguljen e brendshme dhe sjell me vete telashe të shumta shoqërore, që nga problemet ekonomike e deri te terrori i qyteteve të mëdha. (Erkal, 1997)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.