Liriona Morina nga Kosova do të garojë në finalen e Young European Lawyers Contest 2025
Liriona Morina do të garojë sërish në Young European Lawyers Contest 2025, organizuar nga Akademia Evropiane e Drejtësisë. Morina është përzgjedhur si një nga avokatet e reja më të mira në Evropë dhe është finaliste në garën prestigjioze Young European Lawyers Contest 2025, të organizuar nga Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA), një ndër institucionet më të njohura në fushën e trajnimeve juridike. Gara finale do të mbahet nga data 5-8 tetor, në Gjykatën e Përgjithshme në Luksemburg, shkruan Portalb.mk.
Liriona Morina për Portalb.mk tha se ky vlerësim e motivon të vazhdojë të kontribuojë me përkushtim në forcimin e sistemit ligjor dhe promovimin e standardeve profesionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Të përzgjidhem si një nga avokatet e reja më të mira në Evropë është një nder i veçantë dhe një dëshmi e përkushtimit tim të vazhdueshëm për të ndërtuar një karrierë të bazuar në profesionalizëm, integritet dhe përkushtim. Ky vlerësim pasqyron jo vetëm arritjet e mia profesionale, por edhe pasionin dhe përgjegjësinë me të cilat i qasem ushtrimit të profesionit. Gjatë këtij rrugëtimi, formimi akademik më ka ofruar një bazë të fortë, ndërsa përvoja praktike ka qenë thelbësore për zhvillimin e aftësive profesionale dhe kuptimin e plotë të përgjegjësive që mbart profesioni i avokatit. Mentorët e mi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin profesional drejt standardeve më të larta etike dhe profesionale. Përfshirja në projekte dhe konferenca vendore e ndërkombëtare ka zgjeruar ndjeshëm horizontin tim profesional, duke më mundësuar të ndërthur njohuritë teorike me praktikën dhe të përfaqësoj me integritet vlerat e shoqërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të individit. Ky vlerësim më motivon të vazhdoj të kontribuoj me përkushtim në forcimin e sistemit ligjor dhe promovimin e standardeve profesionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Morina.
Ajo edhe më tej shtoi se platforma Young European Lawyers Contest përfaqëson një platformë të rëndësishme profesional dhe afimim në nivel evropian.
“Young European Lawyers Contest përfaqëson një platformë të rëndësishme për zhvillim profesional dhe afirmim në nivel evropian. Kjo garë ka kontribuar në shkëmbimin e njohurive juridike, forcimin e aftësive analitike dhe në përgjithësi ndërtimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare ndërmjet avokatëve të rinj. Si një avokate e re, pjesëmarrja në këtë garë, dhe veçanërisht arritja në finale, ka rëndësi të veçantë, pasi ofron përvojë të vlefshme praktike në zbatimin e së drejtës evropiane dhe kontribuon në konsolidimin e një profili profesional në arenën juridike ndërkombëtare, tha Morina.
Morina potencoi se një ndër sfidat më të mëdha gjatë përgaditjes ka qenë përshtatja me formatin e garës.
“Gjatë përgatitjes për Young European Lawyers Contest, një nga sfidat kryesore ka qenë përshtatja me formatin e garës, i cili kombinon argumentimin juridik me zgjidhjen praktikë të çështjeve komplekse. Temat kryesore që trajtohen në garë kryesisht përfshijnë fushat e së drejtës së BE-së, si liria e lëvizjes, mbrojtja e të drejtave themelore, e drejta e konkurrencës, mbrojtja e të dhënave personale dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Këtë vit, fokusi është vënë mbi bashkëpunimin ndërkufitar, duke përfshirë koordinimin e legjislacioneve të ndryshme kombëtare dhe zbatimin praktik të mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar zgjidhje në rastet që përfshijnë jurisdiksione të ndryshme. Këto sfida i kam tejkaluar përmes një përgatitjeje të strukturuar, studimit të literaturës relevante dhe analizës së praktikës gjyqësore ndërkombëtare, duke zhvilluar aftësi analitike dhe kompetenca praktike në përputhje me standardet më të larta profesionale”, tha Morina.
Ajo ndihet e priviligjuar që përfaqëson veten dhe vendin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Të përfaqësoj jo vetëm veten, por edhe vendin tim në një arenë ndërkombëtare është një ndjenjë e thellë nderi dhe përgjegjësie. Ndihem e privilegjuar që mund të tregoj përkushtimin, pasionin dhe profesionalizmin e avokatëve të rinj shqiptarë dhe të kontribuoj në promovimin e imazhit të vendit tonë në nivel ndërkombëtar. Mendoj se në këtë garë sjell këmbëngulje dhe një sens të fortë përgjegjësie për të shërbyer dhe mbrojtur komunitetin dhe shoqërinë, duke vepruar gjithmonë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe standardet më të larta profesionale.Këto vlera, të kombinuara me njohuritë juridike dhe përgatitjen profesionale, më lejojnë të përfaqësoj vendin tim me dinjitet dhe të kontribuoj në shkëmbimin e praktikave profesionale ndërkombëtare. Pas pjesëmarrjes në këtë garë, përvoja dhe njohuritë e fituara do të më mundësojnë të vazhdoj me përkushtim punën time si avokate, të zhvilloj aftësitë profesionale dhe të kontribuoj në forcimin e sistemit ligjor, duke promovuar standardet më të larta të praktikave të mira ndërkombëtare dhe profesionalizmit”, tha Morina.
Ekzitsojnë dallime mes sistemeve ligjore evropiane dhe atij të Kosovës, avokati duhet të jetë jo vetëm një njohës i ligjit, por edhe një faktor ndryshimi, që kontribuon në mbrojtjen e të drejtave themelore, tha Morina.
“Ekzistojnë dallime mes sistemeve ligjore evropiane dhe atij të Kosovës, kryesisht në konsolidimin institucional dhe praktikën gjyqësore. Sistemet evropiane bazohen në një traditë të gjatë jurisprudence dhe mekanizma të fortë ligjorë, ndërsa në Kosovë sfidat lidhen me zbatimin e ligjit dhe konsistencën e praktikës. Avokati duhet të jetë jo vetëm një njohës i ligjit, por edhe një faktor ndryshimi, që kontribuon në mbrojtjen e të drejtave themelore, promovimin e drejtësisë dhe zhvillimin e një shoqërie të barabartë dhe transparente. Në një kontekst ku teknologjia po ndryshon mënyrën e funksionimit të sistemeve ligjore dhe ku sfidat sociale dhe demokratike kërkojnë përgjegjësi të lartë, avokati duhet të zotërojë aftësi analitike dhe teknike, të jetë i aftë për të interpretuar dhe zbatuar ligjin në mënyrë inovative dhe të jetë një mbrojtës i integritetit dhe standardeve etike në profesion. Ky rol përfshin gjithashtu bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim të praktikave më të mira dhe përshtatje të vazhdueshme me ndryshimet ligjore dhe shoqërore”, tha Morina.
Kjo arritje më motivon të vazhdoj të rritem profesionalisht dhe të ndërtoj një profil solid si avokate e re, tha Morina.
“Arritja në fazën finale përbën realizimin e një qëllimi të rëndësishëm në karrierën time, duke më ofruar mundësinë të zhvilloj aftësitë profesionale, të krijoj rrjete bashkëpunimi ndërkombëtare dhe të kontribuoj në forcimin e sistemit ligjor dhe promovimin e drejtësisë. Për më tepër, kjo arritje më motivon të vazhdoj të rritem profesionalisht dhe të ndërtoj një profil solid si avokate e re, duke sjellë praktikë të bazuar në integritet, etikë dhe përgjegjësi”, tha Morina.