Kuvendi mund ta merr në pyetje Joveskin për modularin pasi ata e kanë emëruar, thotë Kovaçevski

Në lidhje me ndodhitë e fundit për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës pas publikimit të dokumentarit “Vrasje në Tetovë” nga IRL ku zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë, u pyet edhe kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski. Ai ka theksuar se kjo ishte ngjarja më tragjike në historinë e re të vendit dhe të vërtetën duhet ta dinë të gjithë, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për prokurorin publik të shtetit Ljubomir Joveski për rrjedhën e hetimeve për zjarrin në spitalin modular, kryeministri tha se ai është emëruar nga Kuvendi dhe se ai ka kompetenca për veprimet e tij.

Kovaçevski tha se Joveski duhet të jetë në dispozicion për çdo rast, veçanërisht për këtë me spitalin modular.

“Shefi i Prokurorisë Publike është zgjedhur në Kuvend. Kuvendi në çdo moment mund t’i bëjë pyetje çdo prokurori, mbi të gjitha këtu mendoj për kryeprokurorin në Prokurorinë e Republikës. Unë besoj se ai duhet të jetë absolutisht i disponueshëm në lidhje me çdo rast dhe veçanërisht këtë rast”, tha Kovaçevski.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se  veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Pas kësaj, ka pasur reagime të shumta në publik, nga qytetarët, aktivistët, politikanët, institucionet dhe të tjera. Në Tetovë qytetarët protestuan dhe kërkuan shkarkim të Ljubomir Joveskit, prokurorëve të tjerë të përfshirë në këtë vepër, politikanët e përfshirë si dhe Koço Angjushev me kompaninë Brako të përgjigjen penalisht.

Për këtë rast, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit i bëri kërkesë zyrtare Ljubomir Joveski të japë dorëheqje nga funksioni Prokuror Publik i RMV-së.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.