Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi Deklaratën për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike

Fushatë zgjedhore e qetë dhe e barabartë, është një nga qëllimet e Kuvendit ë Maqedonisë së Veriut përmes nënshkrimit të Deklaratës për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. Kuvendi këtë Deklaratë e vlerësoi si historike, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme plenare miratoi Deklaratën për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike për anëtarë të këshillave komunale dhe kryetarë të komunave dhe të Qytetit të Shkupit. Kjo deklaratë është e para e llojit të tillë që miratohet në Kuvend”, njoftuan nga Kuvendi i RMV-së.

Kuvendi vlerësoi që përmes kësaj deklarate promovohet përkushtimi për zgjedhje demokratike dhe evropiane, duke pritur që zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë provë e pjekurisë politike.

“Gjithashtu, theksohet rëndësia e tolerancës politike dhe respektit midis opsioneve të ndryshme politike, si dhe roli i mediave për të siguruar një atmosferë pozitive të procesit zgjedhor përmes promovimit të barabartë të kandidatëve, ideve dhe platformave të tyre”, deklaruan nga kuvendi.

Fushata zgjedhore fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor. Më 19 tetor, votimi do të zhvillohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në 3,480 vendvotime. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.