Kuvendi e miratoi Kodin etik për deputetët, pastaj filloi debati për miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Kuvendi pasditen e sotme në kuadër të seancës së 104-të, njëzëri me 82 vota “pro” ka miratuar Kodin etik të deputetëve në Kuvend, raporton MIA. Deputetët filluan edhe debatin për përcaktimin e nevojës për miratimin e propozim- ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se Kodi i sjelljes etike të deputetëve përcakton parimet dhe standardet themelore të sjelljes dhe veprimit etik të deputetëve në Kuvend. Gashi shpjegoi se Kodi është finalizuar me mbështetjen e Institutit Demokratik Kombëtar.
Propozim- ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Kuvend ka shkaktuar debate, kryesisht midis deputetëve shqiptarë, ndërsa propozimi i qeverisë u shpjegua nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje evropiane, Bekim Sali.
“Diskutojmë për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat një detyrim që del nga Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta. Sot për herë të parë, kemi para këtij Kuvendi një zgjidhje ligjore me të cilën e shndërrojmë këtë parim ligjor në ligj dhe kjo është arsyeja pse ky ligj ka rëndësi historike. Pas 24 vitesh këtë parim të marrëveshjes e shndërrojmë në ligj”, ka thënë Sali.
Zëvendëskryeministri tha se balancuesi ishte vetëm një bajpas dhe se një e drejtë kushtetuese duhet të mbrohet me ligj dhe se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat duhet të zgjidhet në mënyrë sistematike.
“Ky ligj ka për qëllim që përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia të shkojnë së bashku, sepse institucionet më të larta janë profesionale dhe përfaqësuese. Aspekti kryesor është se ligji është i harmonizuar me Komisionin e Venecias. Pra, nuk është një zgjidhje partiake, por një zgjidhje që është në përputhje me standardet evropiane dhe për këtë arsye askush nuk mund të thotë sot se ky ligj është larg Evropës. Përndryshe, ky ligj është një konfirmim se obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit mund të realizohen duke respektuar standardet më të larta”, ka thënë Sali.
Ky ligj, siç tha ai, krijon një mekanizëm për të kontrolluar zbatimin e tij.
“Ai parashikon gjithashtu përgjegjësi politike për drejtuesit e institucioneve që nuk e respektojnë ligjin. Kjo tregon seriozitetin me të cilin i qaset Qeveria”, tha Sali duke theksuar se ky ligj nuk është kundër askujt dhe as që i hiqen të drejtat dikujt. Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve si nga pushteti ashtu edhe nga opozita që të votojnë për ligjin.
Ai tha se ka një thirrje tjetër për deputetët shqiptarë. “Mospajtimet janë partiake, por sot kemi para nesh një ligj që prek të gjithë. Një nga arritjet më të mëdha politike të këtij vendi, Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e VLEN-it, as e BDI-së, as e ndonjë partie tjetër. Është një arritje e qytetarëve dhe një detyrë e të gjithë neve. Prandaj nuk dua të pyesni se kush e propozon ligjin. Pyetni nëse ky ligj përmbush detyrat që na janë ngarkuar në këto dy dekadat e fundit dhe prandaj po kërkoj mbështetjen tuaj në mbështetjen e këtij Propozim-ligji”, ka thënë zëvendëskryeministri Sali.
Partitë shqiptare në opozitë e kundërshtojnë ligjin, duke thënë se ai u pengon në aspektin e të drejtave të tyre, ndërsa ligji nuk u mbështet as nga deputeti Fatmir Bytyqi nga LSDM i cili tha se është hartuar gabimisht.
Projekt- ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po sillet në procedurë të rregullt dhe për të sot në Kuvend u mbajt debat publik.
Ndryshe, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive më 4 qershor ka vendosur që procedura për miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”. Vendimi u mbështet nga 11 anëtarë të komitetit, ndërsa dy votuan kundër.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Mbi një vit e gjysmë pas shfuqizimit të Balancuesit, Qeveria e RMV-së miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
- LEXO: Pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bë publik (dokument)
- LEXO: Në Kuvendin e RMV-së arriti propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, por akoma nuk është publik