Kushtrimi në majën e blertë

Me kalimin e viteve më shuhej shpresa se një ditë do ta kujtoja titullin e romanit të parë që kisha lexuar në jetë. Rastësisht e gjeta para disa muajsh në një bibliotekë. Është romani për fëmijë “Kushtrimi në majën e blertë” nga autori kroat Ivan Kushan (1933 – 2012), i përkthyer në gjuhën shqipe nga Mehdi Bardhi dhe i botuar nga “Rilindja” më 1960.

Duke e rilexuar romanin, njëkohësisht e rilexoja të kaluarën time. Si nëpër mjegull më kujtoheshin fragmente nga fëmijëria. E kujtoja shtëpinë e vjetër dhe bibliotekën e babait. Ishte kohë tjetër. Kisha më shumë ëndrra. Lexoja, shpresoja, ëndërroja dhe sajoja situata imagjinare. Si çdo fëmijë. Bota më dukej më e bukur në gjithë atë zymtësi shoqërore.

Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë zbeheshin ëndrrat. Të ardhmen fillova ta shihja me më pak optimizëm, ashtu sikurse disa personazhe të romanit, të cilët përballen me probleme mbijetese në periudhën e pasluftës, ndërkohë që fëmijët e mbushur me gjallëri veprojnë si detektivë për ta zbuluar hajnin ose hajnat në fshat…

Romani më pëlqeu edhe pas rileximit. Ai është shkruar që të pëlqehet nga fëmijët, por edhe nga të rriturit.

Të shkruash për fëmijë është e vështirë. Nuk flas për letërsi didaktike. Nuk e kam dashur letërsinë që na këshillon dhe na edukon. Besoj se nuk ka letërsi për fëmijë dhe për të rritur. Përrallat e Andersenit janë shkruar edhe për të rriturit, po aq sa për fëmijët. Por fëmijët janë lexues më të veçantë. Sipas shkrimtarit Isaac Bashevis Singer, kur një libër është i mërzitshëm, fëmijët gogësijnë hapur, pa druajtje apo frikë autoriteti.

Brezi i ri nuk ka njohuri për romanin “Kushtrimi në majën e blertë” dhe për shumë vepra autorësh shqiptarë dhe të huaj, që janë botuar para 60 vjetësh nga “Rilindja” e famshme. Përse të mos ribotohen? Nëse dikush mendon se u ka kaluar koha, duhet ta dinë se letërsia komunikon me të gjitha kohërat dhe triumfon mbi ideologjitë, dogmat dhe teknologjitë. Ajo është e përhershme, sepse merret me ndjenjat e njerëzve. Njeriu ka shpikur shumëçka, por nuk ka shpikur asnjë ndjenjë të re…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.