Rruga pa sinjalizim drejt kufirit me Kosovën mbetet e rrezikshme: Shumë premtime, punë në terren nuk ka

Edhe pse para një muaji drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi tha se për disa ditë do të fillojë realizimi i sinjalistikës rrugore në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, punë në terren nuk ka ende. Nga ndërmarrja thonë se kontraktuesi pritet të merr vendimin për regjimin në komunikacion, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht deklaratave dhe premtimeve të vazhdueshme të drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore për vendosjen e sinjalistikës rrugore në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, në terren ende nuk ka punë konkrete.

Rruga rajonale prej 27 kilometrave nga Tetova në Jazhincë që lidhet edhe me Kosovën, ndonëse është shumë e frekuentuar, aty mungon sinjalistika adekuate e komunikacionit.

Së fundmi, Rustemi me 13 shkurt deklaroi se “për disa ditë” do të fillojë realizimi i sinjalistikës rrugore.

Por në terren nuk ka punime. Nga Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore thonë se kontraktori pritet të merr vendimin për regjimin e komunikacionit.

“Lidhur me pyetjen tuaj lidhur me vendosjen e sinjalistikës së komunikacionit në rrugën shtetërore R1203, pjesa Tetovë – Jazhincë ju njoftojmë se kontraktori është vënë në punë dhe aktualisht është në proces të marrjes së vendimit për regjim të përkohshëm të komunikacionit”, thanë nga Rrugët Shtetërore.

Rruga rajonale Tetovë - Jazhincë (Xhepçisht). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë (Xhepçisht). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kohë më parë për Portalb.mk edhe eksperti i komunikacionit Blerim Neimi pati deklaruar se në këtë rrugë nuk janë të definuara me rregulla dhe norma të standardizuara shenjat të cilat kufizojnë shpejtësinë (pra të ketë fillim të shpejtësisë dhe mbarim të saj) ku disa prej tyre janë edhe të dëmtuara edhe nga vetë qytetarët.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë nuk kanë të dhëna të grumbulluara në veçanti për numrin e aksidenteve në këtë aks rrugor.

Në këtë rrugë shpesh ndodhin edhe aksidente, të cilat në disa raste kanë rezultuar edhe me humbje jete.

Për shkak të aksidenteve dhe vdekjeve në këtë rrugë, kohë më parë nga ana e banorëve të vendbanimeve përgjatë kësaj rruge ka pasur edhe protesta në shenjë revolte që autoritetet të marrin masa.