Kush përhap dezinformata rreth Kosovës?

SERBIA, RUSIA E KINA LUNDROJNË NË HAPËSIRËN INFORMATIVE

Më 2 nëntor 2022, u publikua një video nga një shtëpi private e të moshuarve në Pejë. Në të shihej një infermiere, grua e re, teksa e rrihte një të moshuar me shuplaka e e përplaste për muri me gju. Duke e poshtëruar me shaka, ajo qëllonte të moshuarën, për të cilën duhej të kujdesej. Koleget e saj dëgjoheshin duke qeshur. E moshuara qante me zë dhe i luste të ndalonin.Kjo sekuencë e keqtrajtimit u shpërnda flakë në rrjete sociale dhe u bë lajmi i javës në Kosovë e përtej saj. Kjo sekuencë e keqtrajtimit u shpërnda flakë në rrjete sociale dhe u bë lajmi i javës në Kosovë e përtej saj, thuhet në hulumtimin e K20 nga gazetari Ardit Kika.

Në Serbi, disa medie raportuan për rastin dhe pretenduan se kjo e moshuar ishte serbe, të cilën e sulmoi një shqiptare. Duke e bërë serbe të moshuarën që ishte shqiptare, ky lloj raportimi e ngjyrosi si incident ndëretnik, një ngjarje, që s’kishte asgjë të bënte me etninë.

Ky është vetëm një nga shumë raste kur mediet serbe kanë ngjyrosur me elemente etnike zhvillime të ndryshme, qoftë për të nxitur tensione apo si rezultat i ribotimit të artikujve pa i verifikuar ato. Kjo ndodh posaçërisht marrë parasysh raportet shpeshherë të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë.

Këto rrethana, kanë bërë që një ndër kornizat mbizotëruese të diskutimit e shpeshherë me qëllim dezinformimi, të zhvillohet përbrenda narrativës se jeta e tyre është e pajetueshme shkaku i shqiptarëve e autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Por, Serbia s’është vetëm. Bashkë me Rusinë dhe Kinën, përfshirë mediat pro-pushtet të këtyre shteteve, këto tri vende janë bartëset kryesore të dezinformimit për dhe në Kosovë. Audienca serbishtfolëse është më e goditur me dezinformata nga mediat serbe e ruse, derisa ajo kineze e ka cak audiencën shqipfolëse, që e përbën shumicën e popullsisë në Kosovë.

Megjithatë, fushata dezinformuese e këtyre vendeve në Kosovë është pjesë e një çrregullimi botëror informativ. Dezinformimi tanimë është përkufizuar si “një armë” nga “forca të jashtme keqdashëse”. Si i tillë, dezinformimi po përdoret gjithnjë e më shpesh në hapësirën informative digjitale për të minuar demokracitë anembanë apo për të shkaktuar trazira të ndryshme politike a shoqërore.

Ndonëse qëllimi i fushatave dezinformuese të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë dallon nga fushata e Kinës, të triat tregojnë për depërtimin e lehtë të këtyre fushatave në hapësirat informative në Kosovë.

Dezinformatat shumë-dimensionale nga Serbia

Që prej vitit 2011, në mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) me qëllim të normalizimit të raporteve. Megjithëse nga ky dialog kanë dalë mbi 30 marrëveshje, ato në masë të madhe aktualisht nuk po zbatohen. Kjo ka bërë që raportet mes Kosovës dhe Serbisë të jenë shpesh të tensionuara.

Lajmet ndezëse e konflikt-ndjellëse, me pohime të pathemelta, sidomos rreth serbëve të Kosovës janë të shpeshta e i përshkojnë vazhdimisht mediet serbe. Burimi i këtyre dezinformatave shpeshherë janë vetë zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Kjo lloj fushate bëhet e pranishme sidomos kur ka zhvillime në veri të Kosovës. Përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë — shkaku i përpjekjeve të Kosovës për ta afirmuar shtetësinë e saj dhe përpjekjeve të Serbisë për ta mbajtur pushtetin e saj në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës — e kanë marrë shpesh formën e tensioneve.

Në qershor 2022, Qeveria e Kosovës lëshoi një vendim për t’i ndaluar gradualisht targat e Serbisë me akronime të qyteteve të Kosovës. Protestuesit barrikaduan dy rrugët që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë dhe barrikaduesit e grupe të armatosura sulmuan policët e Kosovës. Në nëntor u dorëhoqën pjesëtarët e komuniteti serb nga institucionet publike të Kosovës, përfshirë policët, prokurorët, gjyqtarët, nënpunësit e institucioneve në veri, kryetarët e komunave dhe deputetët e Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës dhe për javë tjera pati barrikada.

Shefi i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petković, ka qenë posaqërisht aktiv me deklarime që sugjeronin se tensionet në veri ishin përgatitje e Qeverisë së Kosovës për gjakderdhje, nga e cila do të pësonin serbët.

“Nuk do të lejojmë pogrom ndaj popullit (kombit) tonë”, tha ai në fund të vitit të kaluar në Radio Televizionin e Serbisë (RTS), duke përdorur termin që përshkruan masakrat, dëbimin e shkatërrimin e pronave që e kanë përjetuar hebrenjtë e Evropës përgjatë shekujve XIX e XX.

Qindra lajme të ngjashme nga mediet serbe, platforma për kontrollimin e fakteve Hibrid.info, i ka kategorizuar si dezinformata, të paverifikuara e edhe konspirative. Kjo platformë, që prej vitit 2020 është duke monitoruar depërtimin e dezinformatave në Kosovë dhe akterët pas tyre, përfshirë ato nga Serbia.

“Kryeson Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me drejtorin e saj Petar Petković; herë pas here është edhe presidenti Aleksandar Vučić”, tha Shkëlzen Osmani, drejtues i Hibrid.info. Sipas tij, kur situata në veri të Kosovës është e tensionuar, narrativa e dezinformimit mbështetet në pretendimet që institutcionet e Kosovës po planifikojnë dëbimin e serbëve nga Kosova.

Gjatë vitit të kaluar, pa u mbështetur kurrkund, në deklarata zyrtare si dhe më pas në raportime në media serbe, pretendohej se institucionet e Kosovës kanë listë prej 230 serbësh, të cilët synojnë t’i arrestojnë. Të tjera pretendonin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron fillimin e luftës me Serbinë në mars 2022 dhe se Kurti ka kërkuar shtim të trupave gjermane në kuadër të misionit të NATO në Kosovë, KFOR, për t’i luftuar serbët në veri. Presidenti Vučić shquhet për shënjestrimin e individëve të caktuar politikë përmes një gjuhe që nxit urrejtje.

Më 1 dhjetor 2022, ai e quajti “llum terrorist” kryeministrin Kurtin. Vučić ishte inatosur me Kurtin pasi ky e kishte emëruar Nenad Rašić Ministër për Komunitete dhe Kthim dhe pasi Rašić e emëroi këshilltare Rada Trajković, që të dy jo-përkrahës të Vučićit dhe partisë së tij. Ai i quajti llum terrorist edhe Rašić dhe Trajković në një intervistë pesë-minutshe për lajmet e televizionit “Pink” të Serbisë, të cilën e ka shpërndarë edhe në kanalin e tij në Youtube.

Sipas Abit Hoxhës, studiues i medieve dhe prodhimit të lajmeve nga konflikti në Universitetin e Adger në Norvegji, përpjekja, në këtë rast, është për ta normalizuar gjuhën e urrejtjes kundër Kosovës e udhëheqësisë së saj.

“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në kombinim me akuzat, që shteti serb i bën për lidershipin e Kosovës, si në rastin e Kurtit, por edhe Rašić dhe Trajković, ka për qëllim, së pari, të krijojë perceptim negativ ndaj këtyre personaliteteve”, thotë Hoxha.

Mediat ne Kosove
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

Dezinformimi nga Serbia po ashtu shënjestron serbët e Kosovës. Ky komunitet ndodhet në hapësirë të ndarë informative nga shqiptarët e Kosovës, pasi informohen nga mediet në serbisht, në masë të madhe nga mediet që kanë politika redaktoriale në linjë pro-qeveritare me Serbinë.

Tatjana Lazarević, redaktore e Kosovo Sever Portal – Kossev, portal në gjuhën serbe, thotë se serbët e veriut kanë qenë cak kryesor i dezinformatave përgjatë tensioneve në veri gjatë vitit 2022.

“Qytetarët u ekspozuan ndaj një lufte propagandistike mes strukturave politike e institucionale të Serbisë e Kosovës, që u bë përmes medieve e rrjeteve sociale gjatë krizave të njëpasnjëshme në veri përgjatë 2022-ës. Ata që u prekën më së shumti, që ishin qytetarët në veri, u ekspozuan më së shumti”, thotë Lazarević.

Hapësira, që këto dezinformata e zënë te audienca serbishtfolëse në Kosovë shumëzohet edhe prej medieve lokale serbe në Kosovë. Shumica e tyre, sipas Lazarević, përkrahin Qeverinë e Serbisë pa kushte. Siç ka shkuar ajo në një opinion, mediet e pavarura në gjuhën serbe në Kosovë janë pakicë dhe të vogla për shkak të tregut të vogël mediatik për to.

Në këto rrethana, platforma Hibrid.info u angazhua shumë në një prej rasteve më të njohura kur bëhet fjalë për dezinformimin vitin e kaluar, që ishte ngjarja në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.

Asokohe, portale në gjuhën serbe si Alo.rs për rastin raportuan me titullin “DHUNË NË SHTËPINË E TË MOSHUARVE – Infermierja shqiptare rrah e keqtrajton të moshuarën serbe (VIDEO)”. Nëntitulli ishte “Incidentet në shtëpinë e të moshuarve sa vinë e shtohen”.

Ditën kur u plasua dezinformata se gruaja e moshuar ishte serbe, Hibrib.info menjëherë u angazhua që t’i alaramonte organizatat homologe verifikuese në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë e Hercegovinë.

Në versionin e rishikuar të lajmit të Alo.rs, thuhet “Në tekstin origjinal thuhej që e moshuara ishte e kombësisë serbe, që pas analizës së portaleve për kontrollimin e fakteve, raskrinkavanje.me dhe raskrinkavanje.rs rezultoi të jetë lajm i rremë. E kemi ndryshuar titullin dhe tash i ka informacionet e sakta”.

Përpos serbëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, fushatat dezinformuese kundër Kosovës kanë shënjestër edhe audiencën ndërkombëtare. Fabrikimi ku thuhej se gruaja e moshuar ishte serbe pat arritur që në Spanjë te mediumet Telecico.es dhe Marca.com, veç një ditë pas sulmit. Për të arritur te përgënjeshtrimi publik i lajmit në Spanjë, Osmani i Hibrid.info i dërgoi një mori të dhënash kontrolluesve spanjollë të fakteve Maldita dhe Newtral. Ndër tjera, ai u dërgoi intervistat e familjarëve të moshuarës të dhëna për mediet kosovare e deri tek dhënat personale të viktimës të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Deri në përgenjeshtrimin e lajmit, Osmani shkëmbeu rreth 30 emaile brenda një periudhe një-javore me kontrolluesit spanjoll të fakteve.

Kolegët spanjollë i kërkuan Osmanit më shumë dëshmi sesa ata rajonalë lidhur me lajmin e rremë.

“Vështirësi kemi pasur më shumë me fact-checkers spanjollë sepse ata nuk e dinë kontekstin e Kosovës ose e dinë shumë pak. Nuk e dinë që një person me emrin e viktimës duhet domosdoshmërisht të jetë shqiptare, vetëm pse e ka mbiemrin si e ka”, thotë Osmani.

Megjithatë, ai shprehet i lehtësuar me faktin që tashmë artikulli është korrigjuar.

“Efekti është i dukshëm sepse ato media nuk e kanë më atë [dezinformatë] dhe si rezultat i saj ose s’e kanë [e kanë hequr] ose e kanë korrigjuar. Në momentin që dikush bën kërkim online për çështje të caktuara rreth Kosovës dhe papritur i del një artikull i tillë nuk është më dezinformues, është informues”, thotë Osmani.


Dezinformata për sulm ndaj Kishës Ortodokse Serbe

Foto ilustrim nga Atdhe Mulla, K2.0
Foto ilustrim nga Atdhe Mulla, K2.0

 

Një institucion që shpesh është cak i dezinformimit nga mediet serbe është Kisha ortodokse serbe dhe hapësirat tjera fetare serbe në Kosovë.

Kisha ortodokse serbe është veçanërisht relevante, sidomos kur merret për bazë që ajo vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e dinamikave midis Kosovës dhe Serbisë.

Në raport me Serbinë, Kisha ortodokse ka peshë politike pasi përfaqësuesit e saj vazhdojnë që zëshëm, ta konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, duke iu bashkëngjtur një narrative dominante institucionale serbe që mohon pavarësinë e Kosovës.

Kjo kishë e refuzon në tërësi komunikimin me Qeverinë aktuale të Kosovës duke u thirrur në atë se nuk po zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese për kthimin tokave në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Edhe pas pajtimit të Kosovës e Serbisë për status special Kishën ortodokse dhe mbrojtje të vendeve trashëgimore fetare dhe kulturore serbe në Kosovë në pajtim me modele evropiane, mesazhet e Kishës nuk ndryshuan në raport me Kosovën. Në urimin e tij për Pashkët ortodokse në prill të këtij viti, patriarku i Kishës, Porfirije tha se “tjetërsimi i Kosovës dhe Metohisë nga shteti i Serbisë, direkt ose indirekt, de fakto ose de jure, është i papranueshëm”.

Këtë vit dhe vitin e kaluar dezinformimet për përdhosje të vendeve religjioze serbe apo edhe ato konspirative që përhapin frikë për shuarjen e mundshme të KOS janë publikuar nëpër media në Serbi.

Në janar 2023, mediet serbe “B92”, “21.rs”, “Informer” e Televizioni “Prva” raportuan për disa grafite në gjuhën shqipe në kishën “Sveti Sava” në Kragujevc, Serbi, duke thënë madje se një prej tyre shkruante “Serbia është zemra e Shqipërisë”. Lajmi rezultoi të ishte i pasaktë, pasi në murin e kishës Sveti Sava nuk kishte asnjë grafiti në shqip.

Shkrimet me sprej ishin në anglisht dhe serbisht me përjashtimin e “Allahu ekber” e ngjashme me “Allahu Akbar” (“zoti është i madh” në arabisht), ashtu si vërehet edhe nga video e raportimit nga terreni të gazetarit të vetë televizionit “Prva”, Bogdan Vranješević.

Portali “B92” që e ka shpërndarë lajmin nuk e ka ndryshuar nëntitullin dezinformues, kurse “21.rs” e ka ndryshuar atë, duke treguar se nuk ka pasur grafite në gjuhën shqipe. Përmirësimin e kanë bërë, si shkruhet në tekstin e përditësuar të lajmit, pasi platforma e verifikimit të fakteve në Serbi, FakeNews Tragač, konfirmoi se grafitet s’ishin në gjuhën shqipe.

Ka pasur edhe lajme që sugjeronin se ekziston një plan i fshehtë i institucioneve të Kosovës për shuarjen e Kishës ortodokse. Për shembull, sivjet, më 25 janar, Qeveria e miratoi një projektligj për bashkësitë fetare. Në të parashihen kriteret e afatet e regjistrimit të bashkësive fetare të Kosovës.

Përkundër kësaj, portali serb “Alo.rs” ribotoi një artikull nga Gazeta Express, që titullohej “Çka parasheh Projektligji i ri për Lirinë Fetare në Kosovë?” (i cili ishte i kopjuar nga artikulli i Radio Evropës së Lirë), por “Alo.rs” ndryshoi titullin në “Del plani i llahtarshëm i Kurtit: Shqiptarët duan shuarjen e KOS-it! Projektligji që po përgatitet në Prishtinë!” në kundërthënie me tekstin. Në asnjë rresht të artikullit origjinal, në asnjë prononcim, madje as prej përfaqësuesit të Mitropolisë Prizren-Rashkë, Miloš Perić, nuk thuhet se projekligji e parasheh shuarjen e Kishës ortodokse, siç sugjeron titulli i “Alo.rs”.

Sipas Osmanit të Hibrid.info, prodhimi i lajmeve të tilla nuk është bërë në baza të rregullta, por zë hapësirë në mediat në serbisht të afërta me pushtetin në Serbi kohë pas kohe.

Dezinformatat nga Serbia rreth Kosovës përdorin pothuajse çdo zhvillim në Kosovë — që nga zhvillimet politike e deri te ato zhvillime që s’kanë të bëjnë asgjë me Serbinë.

Kosova, Serbia dhe Rusia. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kosova, Serbia dhe Rusia. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

Rusia — aleati informativ i Serbisë në dezinformim

Rusia është angazhuar në një përpjekje të vazhdueshme për të krijuar dhe shpërndarë dezinformata që mund të nxisin tensione anembanë botës. Kjo përfshin përdorimin e rrjeteve sociale dhe forume online për të shpërndarë narrativa të paqena dhe propagandë, promovimin e teorive konspirative dhe krijimin e storieve dezinformuese. Fushatat dezinformuese të Rusisë janë ndërlidhur me disa ngjarje të mëdha botërore si zgjedhjet në ShBA më vitin 2016 dhe luftën në Siri.

Në Ballkanin Perëndimor, fushatat ruse të dezinformimit kalojnë më së shumti në e përmes Serbisë, e cila ka politikat më të afërta me Rusinë nga i gjithë rajoni, dhe të dyjat targetojnë të gjitha shtetet tjera. Përpjekja e Rusisë për ndikim në hapësirat informative në Ballkan shihet gjerësisht si përpjekje për t’i larguar këto vende nga drejtimi i tyre evro-atlantik, përafrimin e tyre me Rusinë apo shkaktimin e trazirave.

E njëjta ndodh edhe në Kosovë.

Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe e përkrah Serbinë në kundërvënien e saj kundër sovranitetit të Kosovës. Serbia pretendon të ketë miqësi historike me Rusinë dhe është i vetmi vend në Evropë që i ka kundërshtuar publikisht sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Këto lidhje janë të qarta në mënyrën se si Ministria e Punëve të Jashtme ruse flet për Serbinë dhe Kosovën.

Për shembull, komunikata e parë që ndërlidhet me Kosovën që gjendet në uebfaqen e Federatës Ruse në anglisht daton nga 19 shtatori i 2001-s. Komunikata është një deklaratë solemne pas sulmeve terroriste të Kullave Binjake në New York me 11 shtator, ku vdiqën 2996 njerëz. Deklarata po ashtu lë të nënkuptohet rrejshëm se shqiptarët po kryejnë veprime të njëjta terroriste në Kosovë dhe Maqedoni.

Sipas drejtorit të KIPRED, Lulzim Peci, Serbia dhe Rusia kanë narrativa të ngjashme në raport me Kosovën.

Sipas tij, katër narrativat shtyllë që ato i kanë të përbashkëta në fushatën e tyre dezinformuese janë: paraqitja e pavarësisë së Kosovës si e paligjshme ndërkombëtarisht; paraqitja e Kosovës si shtet kriminal, që ushtron dhunë e zullum mbi komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe; manipulimi i narrativave historike të konflikteve në ish-Jugosllavi duke fryrë shifrat e viktimave serbe; dhe minimi i rolit të ShBA dhe vendeve të BE në shtetndërtimin e Kosovës.

Në kontekstin e luftës në Ukrainë, sipas tij, Rusisë i konvenon konflikti i dhunshëm në Kosovë.

“Rusia nuk e ka për qëllim t’i mbrojë serbët në Kosovë, por për ta destabilizuar Kosovën dhe për ta filluar një konflikt, i cili i shërben pastaj”, tha Peci. “Është për shpërqendrim sepse pastaj do t’i duhej Perëndimit të punonte në dy fronte… Rusia normalisht që do që të shohë konflikt dhe normalisht që i jep flakë kësaj pune e në anën tjetër për ta paraqitur Perëndimin si të paaftë për menaxhimin e situatës në Kosovë”.

Sipas një raporti të organizatës Democracy Plus në Kosovë, cenueshmëria më e madhe ndaj dezinformimit është te komuniteti serb i Kosovës shkaku i perceptimit pozitiv ndaj Rusisë dhe Kinës.

Në këtë raport, ku vlerësohet cenueshmëria ndaj dezinformimit në Kosovë, konstatohet që: “… qytetarët serbë të Kosovës kanë pikëpamje më pak të favorshme për fuqitë perëndimore dhe shumica e tyre nuk do të votonin për anëtarësim as në BE, as në NATO. Ndryshe nga shqiptarët e Kosovës, opinioni i serbëve të Kosovës për Rusinë dhe Kinën është pozitiv”.

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022 dhe pas shtimit të shqetësimit në Bashkimin Evropian (BE) për propagandën pro-luftë nga mediat ruse, Kosova, ashtu si shtetet anëtare të BE, ndaloi mediat ruse të afërta me Kremlinin vitin e kaluar. “Russia Today dhe Sputniku janë thelbësore dhe mjet i rëndësishëm që shtyn përpara agresionin e Rusisë në Ukrainë përmes dezinformimit të vazhdueshëm e të organizuar dhe manipulimit të informatave”, argumentonte në atë kohë Komisioni Evropian.

Fillimisht, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në Kosovë i obligoi të gjithë operatorët e shpërndarjes që ta ndalin transmetimin e kanaleve me origjinë ruse si “Rusia Today”, “Russia 24”, “Planeta RTR” dhe “Rusia Today Doc”. Pas rreth një muaji edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) i udhëzoi operatorët e internetit t’i bllokojnë domenet e portaleve “rt.com”, “francais.rt.com”, “sputniknews.com”, “sputniknewslv.com”, “sputniknews.gr”, “sputniknews.cn” dhe ato janë tashmë të paqasshme në rrjetin e rëndomtë.

Por, sipas Osmanit të Hibrid.info, pamundësimi i qasjes së lexuesve kosovarë nëpër medie propaganduese e dezinformuese të fuqive të jashtme nuk do të arrinte efekt madhor, pasi kushdo që mund t’i qaset internetit ka mënyra se si t’i hapë faqet e tyre, për shembull përmes

Virtual Private Network (VPN), që mundëson një lidhje online të koduar pavarësisht vendit.

ARKEP nuk mori ndonjë vendim të ri kur “Russia Today Balkan” hapi portale të reja “rt.rs” dhe “Sputnikportal.rs”. “Sputnik” e “Russia Today” s’kanë pasur ndonjëherë portal a televizion në gjuhën shqipe, që e flasin shumica e popullsisë në Kosovë. Që prej pushtimit të Ukrainës, mediet ruse i kanë shtuar opsionet e tyre për në serbisht. Serbia, nga ana tjetër, i ka dhënë dritë të gjelbër për kah operimet në sferën mediatike, duke mos vënë sanksione ndaj asnjë mediumi rus.

“E hapëm RT-në në Ballkan. Sepse Kosova–është Serbi”, ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter, Margarita Simonyan, kryeredaktorja e “Russia Today”, në nëntor 2022, kur u hap mediumi i ri në Serbi.

Përveç audiencave serbishtfolëse, mediet ruse i kanë targetuar me informata dezinformuese edhe ato të gjuhëve me më shumë folës, si spanjishtja e arabishtja. Për shembull, gjatë tensioneve në veri të Kosovës në dhjetor 2022, lajmet e “Russia Today” në anglisht e spanjisht, të mbështetura me analistë në studio, e fajësojnë NATO e Qeverinë e Kosovës për ndezjen e tensioneve.

Në dhjetor 2022 kur do të largoheshin barrikadat në veri të Kosovës, në “Russia Today” propagandohej mundësia e përsëritjes së operacionit ushtarak “Stuhia” (Oluja) të vitit 1995 gjatë luftës në Kroaci. Në këtë operacion, Kroacia kishte rimarrë 18% të territorit në rajonin e Krajinës, që e kishte humbur nga Serbia në fillim të luftës, dhe sipas Komitetit të Helsinkit, ushtria kroate kishte vrarë 410 civilë serb dhe dëbuar rreth 200,000 nga shtëpitë e tyre.

Mediet ruse edhe në kohë kur nuk ka pasur tensione të dukshme në veri të Kosovës kanë pohuar pa dëshmi se roli i forcave të NATO dhe shteteve perëndimore është të shkaktojë kriza në Kosovë dhe të nxisë dhunë ndaj komunitetit serb. Përkundrazi, shtetet e BE dhe NATO vazhdimisht kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe i kanë angazhuar Kosovën dhe Serbinë në dialog të lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura mes tyre.

Në dhjetor 2022, Kosova aplikoi për antarësim në BE. Ndërkohë, pesë portale ruse në arabisht dezinformuan lexuesit e tyre për ligjshmërinë e aplikimit të Kosovës. Një projekt i BE, “EU vs. DISINFO”, ka idenfitikuar artikuj që rrejshëm pretendojnë se dorëzimi i aplikacionit të Kosovës është në kundërshtim me ndaljen e aplikimit në organizata ndërkombëtare të pajtuar me atë që njihet si Marrëveshja e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë në shtator të vitit 2020.

Një prej pikave të Marrëveshjes së Washingtonit, e cila u nënshkrua atëkohë nga presidenti Vučić dhe ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, parashihte se Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare deri më 4 shtator 2021, në këmbim të ndaljes së fushatës së Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës. Ndryshe nga ç’u pretendua nga portalet ruse, moratoriumi i aplikimit në organizata ndërkombëtare, siç është quajtur gjerësisht në mediat kosovare, nuk ka qenë në fuqi në vitin 2022 kur Kosova dorëzoi aplikimin në BE.

Për Pecin nga KIPRED, kjo është narrativa e tretë e që ka të bëjë me denigrimin e rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. “Përmes Kosovës po bëhet lufta kundër Perëndimit. Agresiviteti (i dezinformimit rus) ka të bëjë më shumë me Perëndimin sesa me Kosovën”, thotë ai. “Të mos harrojmë se e ka për qëllim edhe prekjen e opinionit global në përgjithësi”.

Interesat e Serbisë e Rusisë, sipas tij nuk janë të njëjtja, por ndërthuren shpesh kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Serbisë i duhet Rusia për ta luftuar Kosovën, Rusisë i duhet Serbia për ta destabilizuar rajonin”, thotë Peci. ”Serbisë i duhet Rusia për ta bllokuar Kosovën në institucione ndërkombëtare e të mos harrojmë që Serbia e Rusia kanë lobuar bashkë për çnjohjet e Kosovës… Ndryshojnë për nga nauncat sepse Serbia e ka prioritare luftimin e Kosovës, ndërsa Rusia luftimin e Perëndimit”.

Kina, foto: Glaborde7 në Canva
Kina, foto: Glaborde7 në Canva

 

Kina sponsorizon lajme në gjuhën shqipe

Një video e titruar në shqip dhe e sponsoruar nga mediumi kinez, Radio “Ejani”, paraqet pakënaqësitë e disa qytetarëve evropianë për inflacionin që e ka rënduar ekonominë globale. Stresi ekonomik i tyre, në bazë të videos së publikuar, është shkaktuar prej sanksioneve që BE i ka vënë Rusisë për ta dënuar pushtimin e Ukrainës.

Në përshkrimin e videos, ku paraqiten protestues në Moldavi e Gjermani, shkruhet: “Pas shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas, BE ushtroi sanksione mbi Rusinë, por vetë sanksionet kanë shkaktuar gjithashtu mungesa të energjisë dhe rritje të inflacionit në Evropë”. Më tej, protestuesit propozojnë që të gjendet zgjidhje diplomatike me Rusinë dhe që BE të ndalë mbështetjen e Ukrainës me armatim.

Ndonëse Republika Popullore e Kinës është kundërshtare e ashpër e pavarësisë së Kosovës dhe përfaqësohet në Kosovë me zyrë ndërlidhëse, ashtu si Rusia — Radio “Ejani” targeton edhe shqipfolësit në Kosovë. Me seli në Tiranë, me të cilën Kina i ka themeluar marrëdhëniet diplomatike për herë të parë para shtatë dekadash, ky medium është shtetëror.

Ndër lajmet e para të sponsoruara në Facebook të portalit kinez në shqip promovonte liderin Xi Jinping, duke shfaqur vizita të tij tek banorët e prekur nga Covid-19. Përderisa në fillim në vitin 2019 përmbajtja kishte qenë kryesisht më politike, së voni ajo është diversifikuar duke përfshirë edhe më shumë informacione për ekonominë e kulturën e Kinës dhe kryesisht duke theksuar narrativat propagandistike zyrtare të qeverisë Kineze.

Për shembull, në shkurt të vitit 2022 ishte reklamuar një lajm për rajonin e Xinjangut, duke e paraqitur si vend të këngëve e valleve. Por është pikërisht ky rajon ku jetojnë rreth 12 milionë ujgurë, kryesisht myslimanë, që e ka vënë Kinën në qendër të shumë kritikave ndërkombëtare për shtypjen e ujgurëve, përfshirë akuzime për krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid të mundshëm. Në përshkrimin e videos së sponsoruar në shqip, shkruhet “Xinjiang-u është një rajon këngësh e vallesh. Ne ujgurët jemi njohur gjithmonë si një kombësi që mund të vallëzojë dhe të këndojë”. Nga viti 2019 deri në fillim të vitit 2022, në këtë faqe janë mbi 40 lajme të sponsoruara në Kosovë.

Një tjetër medium shtetëror kinez, CGTN, përdor të njëjtën metodë, por po ashtu duke sponsoruar përmbajtje edhe në gjuhën angleze. Nga videot me panda e këlyshë të lezetshëm të tigrave, te materialet për luftën në Ukrainë e deri tek fjalimet e takimet e Xi Jinping janë paguar nga CGTN për audiencën në Kosovë.

Nga faqja e CGTN vërehen 440 materiale të sponsoruara në periudhën maj 2019-shkurt 2022. Si te sponsorizimet e CGTN, ashtu edhe te ato të faqeve tjera të mediumeve shtetërore kineze në anglisht, shihet se veç një pjesë e vogël e lajmeve reklama kanë dalë para syve të lexuesve pa iu treguar se burimi i lajmit është medium shtetëror kinez.

Një raport i organizatës National Democratic Institute (NDI) me seli në ShBA përmend grupe të fokusit me gazetarë kosovarë, të cilët flasin për medie kosovare që financohen nga Kina. Derisa nuk përmenden emra konkretë mediesh, ka raste kur shihet se ka pasur artikuj në media kosovare ku janë plasuar përmbajtje të mediumeve shtetërore kineze. Por, përfshirja e medieve shtetërore kineze në Kosovë identifikohet përmes rrjeteve sociale ku sponsorohen lajmet që vijnë nga mediet kineze.

Sinologia Ana Kristinovska, njëherësh drejtore e organizatës “ESTIMA” në Maqedoni të Veriut, organizatë e cila mbledh ekspertë e konsulentë me njohuri nga Ballkani Perëndimor, Kina dhe BE, thotë se lajme të tilla si videoja me qytetarët evropianë që ishin të pakënaqur me fokusin në Ukrainë, janë pjesë e narrativës zyrtare kineze. Videon me protestat ajo e sheh si projeksion të shpresës së Kinës se shtetet e Evropës do ta përmbysin politikën e tyre mbështetëse ndaj Ukrainës.

“Andaj, shpresojnë që qeveritë evropiane do ta prapësojnë politikën e tyre herëdokur [për shembull sanksionet e armatosjen e Ukrainës] si rezultat i pakënaqësisë publike e rëndimit të gjendjes së tyre të brendshme”, tha Kristinovska.

Paraqitja e ShBA në përmbajtjet e medieve shtetërore kineze nëpër vendet evropiane, sipas saj, është e tillë që të nxit mosbesimin e evropianëve ndaj ShBA. Kristinovska thotë se qëllimi i Kinës në kontekstin e luftës në Ukrainë është përçarja BE-ShBA.

“Ajo çka po përpiqet të bëjë është t’i zgjedhë ngjarjet e argumentet që i shkojnë për shtat, ato që mund t’i rrotullojnë në atë mënyrë që e mbështesin narrativën e tyre: se SHBA-ja është e papërgjegjshme ndaj pjesës tjetër të botës dhe se shtetet evropiane s’duhet t’i ndjekin politikat e ShBA-së dhe që duhet të kuptohen e të negociojnë me Rusinë”, thotë Kristinovska.

Marrë për bazë burimet e ndryshme të dezinformimit në Kosovë e rreth Kosovës, Osmani nga Hibrid.info mendon që institucionet e Kosovës duhet të angazhohen shumë më shumë për edukim të gjithmbarshëm mbi mediet, atë digjital e mendimin kritik.

“Dje është vonë, duhet ta sjellim menjëherë”, thotë ai.

Raportet e nismave jo-qeveritare ndihmojnë për të kuptuar format si paraqitet çrregullimi informativ që lidhet me Kosovën. Sidoqoftë, nuk ka të dhëna të sistematizuara, që tregojnë për fushatat dezinformuese të aktorëve të jashtëm kundër Kosovës si shtet dhe të atyre që i drejtohen audiencës në Kosovë.

Mungesa e të dhënave dhe e angazhimit të politikëbërësve në këtë fushë, e sjell Kosovën në pozitë të sikletshme, pasi s’ka mekanizma për t’i ndihmuar qytetarët e saj të mbrohen nga çrregullimi informativ dhe as përgjigje e kundërpërgjigje të qarta ndaj dezinformimit kundër Kosovës në hapësirën botërore digjitale.

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.