Partitë opozitare krijuan histeri – tha kryeministri Mickoski për dezinformatat se uji në Shkup është i ndotur.

Më shumë se dhjetë persona janë thirrur për intervistim në MPB lidhur me rastin e mesazheve se uji në Shkup është i ndotur, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një përpjekje për të shkaktuar shqetësim dhe pasiguri te qytetarët, si një lloj sulmi hibrid, transmeton Portalb.mk.

Mickoski tha se bëhet fjalë për qendra që krijojnë histeri në rrjetet sociale, duke akuzuar se pas tyre qëndrojnë partitë opozitare.

“Shpresoj që me ndryshimet e reja në Kodin Penal të ketë edhe dispozita ndëshkuese për persona të tillë që me vetëdije krijojnë histeri, gjegjësisht kryejnë një lloj sulmi hibrid, duke krijuar ndjenjë shqetësimi dhe frike te qytetarët. Por ajo që më shqetëson veçanërisht është se mendoj se këtu ka edhe përpjekje të tjera, më shumë komerciale, sepse brenda një dite, papritmas, një pjesë e madhe e marketeve i zbrazën rezervat dhe sasitë e ujit të ambalazhuar”, tha Mickoski.

Sa i përket akuzave të LSDM-së, se Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, janë përgjegjës për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar, Mickoski tha se kryetari i Komunës së Gostivarit është kuadër i cili në zgjedhjet e fundit është mbështetur nga LSDM-ja.

“Prandaj, nga SDSM-ja nuk do të dëgjoni të kërkojnë përgjegjësi nga kryetari i komunës, sepse ai është kuadër i tyre. Përkundrazi, do të dëgjoni se kërkojnë përgjegjësi aty ku nuk ka përgjegjësi, ndërsa nga ana e Qeverisë ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur që situata të normalizohet”, tha kryeministri.

Kujtojmë se, më 12 gusht në rrjetet sociale u shpërndanë lajme të rreme se uji në Shkup nuk është i sigurt për pije, pasi përmban bakterien escheria coli. Lajmi menjëherë u demantua nga autoritetet.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ – Shkup, Ivan Mitrovski, për tha se uji në Shkup është teknikisht i rregullt, nuk ka nevojë për panik. Me konferencë për shtyp doli edhe kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski i cili tha se në ujin e Shkupit nuk ka Escherichia coli. Ai tha se mesazhet që u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, me dezinformata për kontaminimin e pretenduar të ujit, janë dezinformata, duke drejtuar gishtin nga LSDM-ja.