Kush janë anëtarët e Antikorrupsionit, të cilët u zgjodhën me biografi të fshehta për publikun

Pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Tatjana Dimitrovska, Cveta Ristovska, Sofija Spasovsa Medarska, Servet Demiri, Besnik Xhemaili, Biljana Karakashova Shulev dhe Zoran Bogoevski janë anëtarët e rinj të Antikorrupsionit, të cilët do të duhet të fillojnë me punë prej 8 shkurtit të vitit të ardhshëm, njofton Portalb.mk.

Sipas asaj që mund të konkludohet fillimisht, shumica e përbërjes së re të KShPK-së do të përbëhet nga revizorë. Bëhet fjalë për Zoran Bogoevskin, Cveta Ristovskën (udhëheqëse e sektorit për revizion) dhe Tatjana Dimitrovskën, e cila do të jetë dhe kryetare e Antikorrupsionit.

Dy nga anëtarët deri tani kanë qenë të punësuar në Komisionin Kundër Korrupsionit – Biljana Karakashova Shulev (këshilltare për monitorimin e korrupsionit në prokurimet publike) dhe Besnik Xhemaili (këshilltar për inspektimin antikorrupsion të legjislacionit në lidhje me aktivitetet me interes publik dhe zhvillim të qëndrueshëm).

Servet Demiri vjen nga Agjencia e Investimeve, ndërsa paraparakisht ka punuar në një trup auditimi për IPA. E vetmja avokate, përkatësisht gjyqtare në komision është gjyqtarja nga Gjykata Themelore Civile Shkup, Sofia Spasova Medarska, bashkëshortja e avokatit Filip Medarski.

Jotransparencë gjatë përzgjedhjes dhe dyshim për votim të orkestruar

Meta.mk, nëpërmjet një analize shkruajti se biografitë e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë sekrete për publikun. Biografitë e printuara i morën vetëm anëtarët e komisionit që vendos për përzgjedhjen e tyre dhe anëtarët që i bënin intervistat.

Atyre u duhej të nënshkruanin një marrëveshje konfidencialiteti sepse biografitë përmbanin “të dhëna personale”. Mbetet e paqartë se pse këto të dhëna, si numri i vetëm amë i qytetarit, adresa e banimit apo numri i telefonit nuk u fshehën, pra nuk u fshinë dhe pastaj të njëjtat të publikoheshin në mënyrë që publiku të mund të shihte se cilët kandidatë pretendojnë të luftojnë kundër korrupsionit në katër vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër intervistimi i kandidatëve, ndërsa në emër të transparencës, u transmetua në kanalin parlamentar, por për këtë transmetim nuk kishte asnjë njoftim, ndërsa kanali parlamentar nuk mund të rishikohet edhe pas transmetimit të programeve, siç është rasti me kanalet e tjera televizive. Për këtë shkak vihet në pikëpyetje se sa përzgjedhja e antikorrupsionerëve të ardhshëm ishte transparente, apo thjesht fshihet pas perdes së llogaridhënies.

Anëtarë të komisionit që bën vlerësimin e kandidatëve ishin Eli Panova nga VMRO-DPMNE, Berat Ajdari nga BDI, Fanica Nikolloska nga LSDM dhe Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Demokratike. Krahas këtyre në komision ishin edhe Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit, Nikolla Dodov dhe Snezhana Kamillovska Trpovska nga Këshilli për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Sektorit Civil.

Për përzgjedhjen e kandidatëve, reagim të ashpër pati nga sektori civil. Pas publikimit të rang-listës së kandidatëve për përbërjen e radhës të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), anëtarja e Komisionit për Selektim për Zgjedhjen e Kryetarit dhe Anëtarëve të Komisionit Kundër Korrupsion Snezhana Kamilovska-Tërpovska bëri me dije se ka mendim të ndryshëm në lidhje me listën e përcaktuar në të cilën, sipas saj, vë në dukje votim të njëanshëm dhe të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit.

“Nga ranglista e treguar shihet se si përfaqësues i sektorit civil në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit kam një perceptim krejtësisht të ndryshëm për kandidatët e zgjedhur, gjë që tregon qartë qëndrimin e organizatave të shoqërisë civile në lidhje me përbërjen e ardhshme”, thuhet në letrën KamilovskaTërpovska.

Ajo tha se është e habitshme se si përfaqësuesit e tjerë të Komisionit për Selektim “gjetën kompromis pikërisht dhe vetëm për këta kandidatë, pavarësisht intervistave të dobëta, refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta për situata sociale, si procesi i kapjes së shtetit, rastet e korrupsionit të lartë, që tashmë janë objekt i punës së KShPK-së aktuale, si dhe janë pjesë e situatave të konstatuara nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, çështje që lidhen me lidhjet politike dhe gjyqësore, tregtimin e ndikimit, lobimin, dhe ngjashëm”.

Përveç kësaj, shtoi KamilovskaTërpovska, kandidatët që treguan njohuri të shkëlqyera të fushës, gatishmëri për të dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë dhe me kompetenca të shkëlqyera, nuk u vlerësuan mirë nga anëtarët e tjerë, gjë që i pengoi ata të luftonin për postin e kryetarit dhe anëtarit të KShPK-së.

Edhe Platforma e Organizatave Civile për Luftën kundër Korrupsionit, ka reaguar ashpër duke theksuar se ka pasur ndikime partiake dhe manipulim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Antikorrupsionit duke e mbështetur plotësisht Kamilovska-Trpovskën.