BE-ja tha se po zhvillon dialog me Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen
Bashkimi Evropian po zhvillon dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimet e bëra në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, tha komisionarja për Zgjerim e bllokut, Marta Kos, raporton Radio Evropa e Lirë. Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u iniciuan nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u miratuan më 6 tetor. Pas këtij vendimi, komuniteti evropian shprehu shqetësime lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe për pavarësinë e gjykatës me seli në Hagë.
Miratimit përfundimtar të ndryshimeve i paraprinë protestat kundër aktgjykimit dënues të 16 shtatorit kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u dënuan në shkallë të parë për krime lufte.
Protestuesit kërkuan ndryshime në ligj dhe mbështetje më të madhe institucionale për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, që u shpallën fajtorë nga Gjykata Speciale.
Por, me kërkesën e vetë nismëtares së ndryshimeve, ligji u kthye në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula më 22 tetor.
“Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë të minojnë çdo përparim, por veçse jemi në dialog sa i përket këtyre ndryshimeve me Qeverinë e Kosovës”, tha Kos gjatë një konference për media në Bruksel, duke folur për përparimin e Prishtinës sa i përket reformave.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me dialogun e përmendur nga komisionarja Kos dhe çfarë shqetësimesh ka shprehur BE-ja lidhur me ndryshimet në ligj, por ende nuk ka marrë përgjigje.
BE-ja kishte shprehur shqetësime për ndryshimet në Ligjin për mekanizmin e drejtësisë me seli në Hagë të Holandës, duke argumentuar se duhet konsultuar edhe vetë blloku për ndryshimet në ligj.
Në prill të vitit 2014, përmes një letërkëmbimi mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, vendi mori përsipër një sërë zotimesh për Gjykatën Speciale.
Në mesin e zotimeve ishte dhe që Kosova të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin e gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).
Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Pas kthimit të ligjit në Kuvend, nga BE-ja deklaruan se presin që të konsultohen “nëse rinisin diskutimet në Kuvend” për të, pikërisht duke u thirrur në “frymën e letërkëmbimit” mes Jahjagës dhe Ashtonit.
Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara më herët kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën për ndryshimet në ligj. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Çfarë parashohin ndryshimet?
Ndryshimet në Ligjin për Specialen, që u miratuan mbrëmjen e 6 tetorit, nuk parashohin shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku janë trajtuar disa raste për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Megjithatë, aty parashihen ndryshime për disa çështje kyç të funksionimit të gjykatës.
Një nga ndryshimet kryesore në Ligjin e miratuar ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Specialja.
Në Ligjin e ndryshuar parashihet lidhja e juridiksionit të tyre me pretendimet për trafikim organesh të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, që ishte bërë shkas për krijimin e Gjykatës Speciale.
Sipas ligjit të ndryshuar, Specialja do të duhet të merret me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Në këtë juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, torturat si dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit që përmenden në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
Kjo nënkupton që ligji synon që Speciales t’i hiqet juridiksioni për të ndjekur krimet e tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me periudhën kohore. Me ligjin fillestar, Specialja trajton krimet që pretendohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Por, me ndryshimet e miratuara më 6 tetor, kjo periudhë kufizohet nga 1 korriku 1999 deri më 31 tetor 2000.
Ndryshimet në ligj parashohin që rastet që janë në shkallën e Supremes, të transferohen në Kosovë.
Ndërkaq, dënimet maksimale janë paraparë të jenë deri në 15 burgim.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me atë se të dënuarit e Gjykatës Speciale, sipas ndryshimeve të miratuara më 6 tetor, do të mund të përfitonin nga falja presidenciale.
Por, ligji i Kosovës për faljen e përjashton të drejtën e kërkimit të faljes presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.