Kujt i takon Zekati?

Çështja e zekatit në trojet tona është një ndër problemet më të medha, është obligimi i cili më së paku praktikohet nga muslimanët e trojeve tona duke harruar se, zekati është në shkallën më të lartë dhe më dhe më të çmuar prej ibadeteve që bëhen për Allahun xh.sh.

Shkruan: Muzemil Osmani

Njëra nga pesë kushtet e Islamit është zekati, prej ku nënkuptohet edhe vlera e tij.  Zekati luan rol të rëndësishëm në jetën e muslimanit në këtë botë por duke mos e harruar edhe botën tjetër. Mosdhënia e zekatit konsiderohet një prej mëkatëve të mëdha, dënimi  për të merret në botën tjetër.

Është shumë më rëndësi të potencojmë se Islami si fe i kushtoi shumë rëndësi edhe distribuimit d.m.th i kushtoi kujdes të madh vendit ku duhet të jepët zekati. Islami këtë çështje nuk e la në duart e imamëve që ata të bëjnë ndarjen e tij sipas hamendjes dhe vlerësimit të tyre, po ashtu, Allahu xh.sh. nuk e  la ndarjen e zekatit në duart e atyre që lakmojnë pasurinë, që tentojnë të marrin edhe atë që nuk u takon atyre.

Kur’ani e shtjelloi këtë problematikë shumë hollësisht dukë i numruar edhe grupet të cilëve u takon zekati dhe nuk la që këtu të futet logjika e çdo kujt.

Definicioni i Zekatit

Termi „ Ez-Zekat“  në aspektin gjuhësor është infinitiv i foljes zeka, thuhet zeka esh-shej’u është shtuar dhe rritur, po ashtu thuhet zeka fulanun kur përmisohet. Pra,  Zekati është: bereqet, shtim, pastrim dhe përmisim.

Ndërsa në aspketin terminologjik të sheriatit Islam do të thotë:  „Pronësim i një pjese të caktuar të pasurisë, prej pasurisë së caktuar, për personin e caktuar që ligjëdhënsi Islam e ka caktuar të jepet për hir të Allahut xh.sh  “.

Kur’ani për Zekatin

Zekati është një prej pesë sharteve të Islamit,  ky obligim përmendet në shumë vende në Kur’an dhe në Hadithet e Muhamedit a.s. Zekati së bashku me namazin në Kur’an është përmenduar në rreth 30 vende kurse vetëm  zekati  në  70 vende.

Le t’i theksojmë vetëm disa nga ajetet kur’anore ku Allahu xh.sh  kërkon prej nesh që ta kryejmë këtë obligim, duke pasur parasysh se numri i ajeteve që flasin për zekatin është shumë i madhë.

Ajeti i parë:

“Faleni namazin dhe jepni zeqatin, dhe faluni me ata që falen (bini në rukuë me ata që bien)”.

Ajeti i dytë:

“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. Allahu dëgjon e sheh”.

Ajeti i tretë:

“…dhe kryjeni me rregull faljen, jepeni zeqatin, huazoni (jepni sadaka) për hir të Allahut hua të mirë, se çka të përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te Allahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh…”

Ajeti i katërt:

“….e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve), e japin zeqatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona ”.

Hadithet për Zekatin

Numri i haditheve që flasin për zekatin është shumë i madh gjë që tregon qartë për vlerën dhe rëndësinë që ka ky farz në Islam.

Hadithi i parë:

“ Islami është ngritur mbi pesë ( shtylla ): në të dëshmuarit se nuk ka Zot tjetër, përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s është i Dërguari i Zotit, në kryerjen e Namazit, në dhënien e Zekatit, në të vizituarit e Ka’bes dhe në agjërimin e Ramazanit „.

Hadithi i dytë:

“ Nuk ka asnje ditë që gthinë, e njerëzve të mos u vijnë dy melek, njëri prej tyre thëret O Zoti im, kush i ka dhënë sadaka të nevojshmit jepi konpenzim. Tjetri thotë: O Zoti im, ai që e ruan pasurinë aq shumë sa që nuk jep asgjë, jepi shkatërrim „.

Hadithi i tretë:

“….Allahu i ka ngarkuar me dhëniene të zekatit nga pasuria e tyre, i cili do të mirret nga të pasurit prej tyre dhe do të kthehet të varfërve nga mesi i tyre „.

Hadithi i katërt:

“Kush jep sadakë, e cila është sa vlera e një hurme, të fituar në mënyrë të ndershme, ndërsa Allahu nuk pranon asgjë tjetër pos asaj që është fituar në mënyrë të ndershme e hallall, Allahu do ta marrë në dorën e vet, e pastaj do ta kultivojë për pasurin e saj, si dikush prej jush që e rrit dhe kujdeset për mëzin e vogël, gjersa të mos bëhet si kodër “.

Kujt i takon Zekati

Allahu xh.sh. ka përcaktuar qartë se kujt mund t’i jepet zekati dhe kush ka të drejtë për të, duke numruar në mënyrë taksative kategoritë e shfrytëzuesve.

Allahu xh.sh. thotë:

“ Allahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet ”.

  1. Të varfërit

Sipas sheriatit Islam i varfër konsiderohet ai person i cili posedon pasuri më pak se nisabi, ose më pak se vlera e tij. Edhe pse ai person fizikisht është i shëndosh dhe mund të punojë e fitojë. Sipas sheriatit Islam i varfër konsiderohet edhe ai person i cili ka tokë apo shitore por të ardhurat nuk mund t’i mbulojnë harxhimet esenciale për jetes.

  1. Miskin – Nevojtarët

Miskin sipas sheriatit Islam është ai person i cili nuk posedon kurrfarë pasurie, ai është në gjendje më të keqe se i varfëri, ku nënkuptohet njeriu i cili banon në tokë të pluhërosur për shkak të skamjes së madhe. Miski ka të drejt t’u kërkoj ushqim për mbijetesë. Për këtë  grup kemi edhe Hadithin  Muhamedit a.s ku thotë:  “ Nevojtari nuk është ai që sillet duke kërkuar në mesin e njerëzve të cilin e largojnë një apo dy kafshata, një apo dy hurma, përkundrazi necvojtarë quhet ai që nuk gjenë pasuri të mjaftueshme dhe nuk kuptohet në mesin e njerëzve se është i varfër në mënyrë që t’i jepet sadaka dhe nuk ngrihet për tu kërkuar njerëzve.”

Duhet të cekim se sipas disa fukahave nuk ka dallim mes miskini dhe fekirit, ku sipas tyre të dy janë në një gjendje të njejtë, ku sipas tyre shprehja Fekir dhe Miskin është e ngjajshme si Islam dhe Iman.

  1. Punëtorët që e tubojnë zekatin

Këtu bëjnë pjesë personat të cilit bëjnë tubimin e zekatit, ku sipas ajetit Kur’anor edhe këtyre u takon një pjesë e zekatit. Kusht kryesor i këtyre është që të jenë njohës të mirë të dispozitave të zekatit.

Tubuesit e  zekatit duhet të jenë musliman të drejtë, t’i njohin mirë parimet islame dhe  të jenë të aftë për tubim sepse zekati është amanet i cili duhet respektuar. Zekati është pasuri shoqërore, andaj për mbledhësin nuk lejohet të marrë nga ajo pa të drejtë. Në lidhje më këtë, Adij b. Umejri transmeton hadithin nga Muhamedi a.s i cili thoshte: “Atë që kemi punësuar në një punë ( për tubimin e zekatit ) le të na vijë me pakicën dhe shumicën (e asaj pasurie), çka t’i jepet (si pagesë nga shteti për mundin që e ka bërë ) le ta marrë e çka jo, mos të marrë”.

Lejohet që tubuesit e zekatit të jenë edhe të pasur por të mos jenë nga familja e Muhamedit a.s., duke u mbështetur në hadithin e Ebu Seid el Hudrit që thotë se Muhamedi a.s ka thënë: “Sadakaja nuk i lejohet një të pasuri me përjashtim të pesë rasteve: Për atë që merret me shpërndarjen e saj, apo një njeri që e ka blerë me pasurin e tij, apo një tjetër që është zhytur në borxhë ose ai që lufton në rugë të Allahut ose kur një nevojtari jepet sadaka dhe ai ia dhuron një të pasuri ”.

  1. Për përfitimin e zemrave

Zekati u jepet edhe atyre personave të cilët duhet përfituar zemrat e tyre e të anojnë në Islam, apo për tu mbrojtur nga sherri dhe dëmet e tyre, të shpresohet nga ndonjë e mirë e cila është në interesë të muslimanëve.

Ky grup njerëzish ndahet në disa kategori:

4.1.Grupi që u jepet që të hyjnë në Islam siç ishte rasti me Sufjan bin Umeje të cilit Muhamedi a.s i dha nga plaçka e luftës së Hunejnit edhe pse ai ishte mushrik.

4.2.Grupi i dytë janë ata persona të cilëve u jepet zekat vetëm e vetëm mos t’i sjellin dëm shtetit islam.

4.3.Grupi i tretë janë personat të cilët janë në fillim të islamit, për të përforcuar zemrat e tyre u jepet zekat.

  1. Për lirimin e robit

Këta janë ata robër të cilët bien dakord me pronarët e tyre se do t’ua japin një pjesë të pasurive, ndërsa si kundër vlerë për këtë ata do t’i lënë të lirë.

Atëherë  ai rob i cili dëshiron të lirohet nga robëria, por nuk ka pasuri i takon të marrë nga pasuria e zekatit. Për këtë Allahu xh.sh flet në Kur’an ku thotë:

”E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t’i lironi në bazë të kompensimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm dhe jepuni nga pasuria që ua ka dhënë Allahu juve ”.

Duhet të cekim se ky grup i njerëzve për momentin nuk ekziston, sepse nuk ka më robër.

  1. Borxhliut

Të zhyturve në borxhe, pavarësisht a është zhytur në borxhe për interesa personale,sikur që është martesa, apo blerja e barnave për shërim, apo për interesa të përgjithsme shoqërore.[21] Argument për këtë është ngjarja kur Pejgamberi a.s  i ka thënë njërit prej sahabeve i cili ishte i zhytur në borxhe “Qëndro te ne derisa te vijë zekati,pastaj i urdhëriojmë që të ndajnë zekat edhe për ty”.

Muxhahidi ka thënë: “ Tre llojë njerzish konsiderohen borxhlinj: njeriut të cilit vërshimi ia ka rrëmbyer pasurinë, njeriut të cilit zjarri ia ka djegur pasurinë dhe një njeri i cili ka fëmijë shumë e nuk posedon pasuri, ai person hyn në borxh, me qëllim që t’i mbloj harxhimet e familjes së tij ”.

Duhet pasur kujdes të veçantë se borxhlinjët të cilët kan hyrë në borxh për veprime të ndaluara islamikisht siç është droga, alkooli, luajtja e kumarës etj. këtyre personave nuk u jepet zekati për të paguajtur borxhin.

  1. Në rrugë të Allahut

Bëhet fjalë për një grup njerëzish të cilët për hir të ngritjes së Islamit shkojnë në luftë, këtij grupi u jepet zekat aq sa ka nevojë për përgatitje për në luftë.

Fukahatë e katër medh’hebeve janë të një mendimi se këtu bëhet fjalë për xhihadin. Mirpo shtrohet pyetja se me fjalën xhihad a janë për qëllim vetëm lufta e armatosur me armë apo edhe format tjera të saj?

Sot fjala xhihad ka një kuptim më të gjërë sesa lufta e armatosur, ngase lufta me armë sot llogaritet një nga llojet e xhihadit. Mundet që të luftohet edhe me laps edhe me gjuhë. Gjithashtu xhihadi mund të bëhet edhe me forma tjera siç është lufta mendore, ekonomike, politike dhe nëpërmjet mediumeve publike.

Në rastet tona, sipas mendimit të shumicës së ulemave, më e rëndësishmja është kategoria e shtatë “për të mirën e përgjithshme – për në rrugën e Allahut – “fi sebilil-lahi”, që përfshin të gjitha llojet e arsimit dhe edukimit islam, gjegjësisht ngritjen dhe zhvillimin e instituteve dhe enteve fetare, qëllimi i të cilave është ruajtja dhe avancimi i parimeve islame.

  1. Udhëtarve

Udhëtar të cilët mund të ndihmohen me pasurinë e zekatit janë ata njerëz të cilët tentojnë të shkojnë në udhëtim për ndonjë veprim të mirë siç është haxhi, apo arsimimi, por nuk u mjafton pasuria. Gjithashtu udhëtarë konsiderohen ato persona të cilët nga ngelur pa pasuri në ndonjë vend të huaj, të tillët duhet ndihmuar me zekat.

Kush ka prioritet në zekat

Muhamedi a.s thotë: “O ummeti i Muhamedit pasha Atë i Cili më ka dërguar me të vërtetën, vërtet Allahu nuk do pranoj sadakan prej asnjë njeriu që ka farefis, i cili ka nevojë për ndihmë, kurse ai e orienton atë te të tjerët. Pasha Atë në dorën e të Cilit ndodhet jeta ime, Allahu njeriun e tillë në ditën e gjykimi as që do e shikojë ”.

Më mirë është nëse dikush fillon nga vëllezërit e tij, motrat, pastaj fëmijët, xhaxhallarët, motrat e babait, motrat e nënës, pastaj familjarët e tjerë, fqinjët pastaj banorët e lagjes dhe në fund banorët e vendit.