Kryqi i Kuq dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë realizuan projekt humanitar në Brodec
Në kuadër të programit ‘Promovimi i Vlerave Humane’, Kryqi i Kuq së bashku me nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, realizuan një projekt humanitar në Shkollën Fillore në fshatin Brodec, shkruan Portalb.mk.
Qëllimi i projektit ishte krijimi i kushteve më të mira për fëmijët e këtij fshati malor, të cilët përballen me mungesë të hapësirave për lojë, pushim dhe aktivitete sportive.
Gjatë realizimit të projektit është rregulluar oborri i shkollës, janë vendosur ulëse për nxënësit, është përmirësuar fusha sportive për futboll dhe basketboll, ndërsa shkallët dhe hapësirat për ulje janë ngjyrosur me ngjyra të gjalla dhe të këndshme.
Në kuadër të projektit është krijuar edhe një kënd lojërash për fëmijët, me luhatëse dhe hapësira argëtuese. Po ashtu janë siguruar kontejnerë për mbeturina, me qëllim që oborri i shkollës të mbahet i pastër dhe i rregullt.

Një pjesë e projektit është realizuar me aktivitetet dhe buxhetin e organizatorëve, ndërsa pjesa tjetër është mbështetur nga donatorë humanitarë. Falë kësaj mbështetjeje janë vendosur edhe katër reflektorë të mëdhenj, të cilët do t’u mundësojnë fëmijëve ta shfrytëzojnë oborrin e shkollës edhe gjatë mbrëmjeve verore.
Kordinatorja e projektit, Zilija Fidani për Portalb.mk tha se ky projekt ishte më shumë se një rregullim i oborrit të shkollës.
“Ky ishte një kontribut për buzëqeshjet e fëmijëve dhe një mbështetje për familjet e fshatit Brodec, ku mundësitë dhe hapësirat për aktivitete të lira janë të kufizuara. Gëzimi i nxënësve dhe kënaqësia e Drejtorisë së shkollës janë dëshmia më e mirë se kjo punë kishte vlerë dhe ndikim humanitar në komunitet”, tha diseminatorja Zilija Fidani.
Ajo falënderoi nxënësit, vullnetarët, donatorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti humanitar.