Kryeministri Kovaçevski sot merr pjesë në Forumin e 6-të të Paqes në Paris

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot, së bashku me disa krerë shtetesh dhe qeverish, drejtues të organizatave ndërkombëtare, figura me ndikim nga biznesi ndërkombëtar, nga organizatat e shoqërisë civile, nga komuniteti akademik, do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të 6-të të Paqes në Paris, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi kryesor i Forumit është të inkurajojë bashkëpunimin dhe kërkimin e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballet bota.

Në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri Kovaçevski do të trajtojë temën “Trajtimi i pabarazive dhe zbatimi i përshpejtuar i qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm”.

Në kuadër të vizitës së punës në Paris, kryeministri Kovaçevski është paraparë të ketë takim bilateral me ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien.

Kujtojmë se dje kryeministri Kovaçevski, zhvilloi vizitë zyrtare në UNESCO në Paris, ku u prit nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Odre Azule. Vizita e Kryeministrit Kovaçevski është vizita e parë e një Kryeministri të Maqedonisë në UNESCO.

Kryeministri Kovaçevski, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, realizuan takim me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Azule.

Në takim u theksua se këtë vit Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 30 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Kovaçevski mbajti fjalim në margjinat e Konferencës së Përgjithshme të 42-të të UNESCO-s, e cila mbahet në selinë e UNESCO-s në Paris.