Kovaçevski në UNESCO: Maqedonia e Veriut kontribuon në multilateralizmin efektiv

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, filloi vizitën zyrtare në UNESCO në Paris, ku u prit nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Odre Azule. Vizita e Kryeministrit Kovaçevski është vizita e parë e një Kryeministri të Maqedonisë në UNESCO, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, realizuan takim me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Azule.

Në takim u theksua se këtë vit Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 30 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Kovaçevski mbajti fjalim në margjinat e Konferencës së Përgjithshme të 42-të të UNESCO-s, e cila mbahet në selinë e UNESCO-s në Paris.

“Parimet mbi të cilat Maqedonia e Veriut e udhëheq politikën e saj të jashtme janë shprehje e politikës së brendshme të vendit për ndërtimin dhe ruajtjen e demokracisë multikulturore dhe gjithëpërfshirjes së përhershme të diversitetit në proceset demokratike, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve të ndryshme etnike dhe grupeve të cenueshme. Një kulturë dialogu dhe kompromisi, edhe pse e bazuar në parandalimin e mosmarrëveshjeve, shkon paralelisht me angazhimin tonë për multilateralizëm aktiv dhe efektiv”, tha Kovaçevski.

UNESKO është një agjensi e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945. Qëllimi i deklaruar i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në botë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsmit, shkencës, dhe kulturës. Më tutje kërkon edhe respektimin universal të drejtësisë, ligjeve të shtetit dhe të drejtave të njeriut, liri këto themelore të shpallura në kartën e OKB-së. Është trashëgimtare e Komisionit Ndërkombëtar për Bashkëpunim Intelektual të Lidhjes së Kombeve.

Kujtojmë se përfaqësuesit e UNESCO-s dhe të Konventës së Bernës në prill të këtij viti dolën me tri vërejtje konkrete para autoriteteve lokale të rajonit të Ohrit. E para është çështja e ndërtimeve pa leje.

E dyta është çështja e menaxhimit të liqenit dhe e treta është situata alarmante me Moçalin e Studençishtës, i cili është zonë e mbrojtur. Ekspertët kërkojnë që të planifikohet mirë se ku do të vendoset marina e re, por të mos jetë kanali në afërsi të Moçalit të Studençishtës. Kryetari i Ohrit thotë se gjërat nuk mund të përmirësohen për një kohë të shkurtër.

Takimi i radhës do të jetë në fund të dhjetorit. Deri atëherë, në bazë të asaj që shohin në terren, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare do të përgatisin një raport, në bazë të të cilit autoritetet do të marrin masa shtesë dhe rekomandime për zbatim në periudhën e ardhshme.