Kryeministri i Australisë, Albanese njoftoi ligje të reja kundër gjuhës së urrejtjes

Ligjet kundër gjuhës së urrejtjes do të zgjerohen për të synuar drejtpërdrejt “predikuesit e urrejtjes” në kuadër të një shtytjeje të re për të zhdukur “antisemitizmin”, pasi kryeministri i Australisë, Anthony Albanese pranon se mund të ishte bërë më shumë përpara masakrës së plazhit Bondi. Ministri i punëve të brendshme do të ketë gjithashtu kompetenca për të anuluar dhe refuzuar vizat e njerëzve që përhapin “urrejtje dhe përçarje” sipas një plani me pesë pika të njoftuar të enjten, pas ditësh presioni në rritje ndaj kryeministrit për të bërë më shumë pas sulmit të së dielës në një festë të Hanukës, raporton The Guardian.

Kjo ndodhi ndërsa të pranishmit u mblodhën në Sydney për funeralin e 10-vjeçares Matilda – më e vogla nga 15 viktimat.

“Shikoni, sigurisht që gjithmonë mund të ishte bërë më shumë. Qeveritë nuk janë perfekte. Unë nuk jam perfekt”, tha Albanese.

Plani i Koalicionit përfshin ndërprerjen ose bllokimin e financimit për projektet e artit dhe kërkimit që mbështesin “aktivitetet antisemitike”, ringjalljen e idesë së heqjes së shtetësisë nga shtetasit e dyfishtë që përfshihen në aktivitete terroriste dhe ndalimin e lëshimit të vizave për çdo person nga një “enklavë terroriste” – përfshirë Gazën, pavarësisht se atje Izraeli kryen gjenocid mbi popullatën civile!

Ley kërkoi që Albanese të thërrasë parlamentin javën e ardhshme për të miratuar ligje para Krishtlindjeve.

Fokusi i kryeministrit në shtrëngimin e ligjeve të kontrollit të armëve menjëherë pas të shtënave të së dielës shkaktoi pretendime, përfshirë edhe nga ish-kryeministri liberal John Howard, se ai po përpiqej të shpërqendronte vëmendjen nga një dështim për t’iu përgjigjur siç duhet gjuhës së urrejtjes.