Kaosi me mbeturinat në Shkup, aktakuzë ndaj ish-drejtorit Sabahadin Rustemi dhe ish-menaxherit në NP “Higjiena Komunale”

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti aktakuzë ndaj ish drejtorit të NP “Higjiena Komunale” Shkup dhe menaxherit për veprën penale Rrezikim i Mjedisit dhe Natyrës me Mbeturina, si bashkëpunëtorë. Hetimi konstatoi se ata, përmes mosmenaxhimit të duhur të mbeturinave gjatë tetorit, mundësuan krijimin e deponive ilegale dhe rrezikuan mjedisin, shëndetin e njerëzve dhe natyrën. I akuzuari kryesor, ushtrues detyre i drejtorit të NP “Higjiena Komunale”, nuk i përmbushi obligimet ligjore dhe statutore, ndërsa menaxheri i mbeturinave veproi në kundërshtim me ligjet për mjedisin. Prokuroria propozoi zëvendësimin e paraburgimit me masa paraprake dhe largim të përkohshëm nga puna për menaxherin e mbeturinave, transmeton Portalb.mk.

“Pas kryerjes së hetimit, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti një aktakuzë kundër dy personave, të cilët akuzohen se kanë kryer vepër penale si bashkëpunëtorë – Rrezikim i Mjedisit dhe Natyrës me Mbeturina sipas Nenit 230, paragrafi 1, në lidhje me Nenin 22 të Kodit Penal.

Hetimi tregoi se gjatë tetorit të këtij viti, dy të pandehurit, duke mos mbikëqyrur mbledhjen, transportin dhe menaxhimin jo të duhur të mbeturinave, mund të kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme në cilësinë e tokës, ajrit ose ujit, rrezik për jetën ose shëndetin e njerëzve, ose shkatërrimin e florës ose faunës në një shkallë më të gjerë”, njofton Prokuroria.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të NP “Higjiena Komunale” Shkup veproi në kundërshtim me Statutin e ndërmarrjes, Ligjin për Veprimtari Komunale dhe nuk i zbatoi vendimet dhe përfundimet e Bordit të Drejtorëve, nuk u kujdes për zbatimin e politikës afariste të ndërmarrjes, nuk i kreu detyrat nga fushëveprimi i tij i punës, nuk mori pjesë në përcaktimin e kritereve për përdorimin dhe ndarjen dhe menaxhimin e fondeve të gjeneruara nga funksionimi i ndërmarrjes, nuk e monitoroi dhe analizoi zbatimin e planeve dhe detyrimeve kontraktuale dhe nuk ndërmori masa për zbatimin e tyre dhe nuk siguroi masa për mbrojtjen e mjedisit. Si drejtor i një ndërmarrjeje publike që është ofrues i shërbimeve komunale, ai ishte i detyruar, por prapë nuk e kreu ofrimin e shërbimeve komunale në mënyrë konsistente dhe cilësore dhe nuk u kujdes për mirëmbajtjen e objekteve dhe pajisjeve në gjendje funksionale dhe të rregullt.

Së bashku me të pandehurin e dytë, i punësuar si Menaxher i Mbeturinave – nëngrupi 5, ofrues shërbimesh në fushën e aktiviteteve komunale i cili kishte Certifikatë për Kalimin e Provimit Profesional për Menaxhimin e Mbeturinave nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin për Mjedisin Jetësor dhe Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, nuk ndërmorën masa dhe aktivitete për mbrojtjen e mjedisit dhe nuk i zbatuan planet dhe programet për menaxhimin e mbeturinave komunale në zonën e Qytetit të Shkupit.

Meqenëse nuk e kryenin aktivitetin e tyre kryesor të mbledhjes dhe transportit të rregullt të mbeturinave jo të rrezikshme, as nuk kërkuan ndryshim të Planit Operativ dhe Programit Operativ, të pandehurit mundësuan krijimin e deponive në sipërfaqe publike dhe të trafikut duke hedhur mbeturina komunale në afërsi të kontejnerëve të caktuar të mbledhjes.

Meqenëse mbledhja e provave ka përfunduar dhe të pandehurit nuk kanë më mundësi të ndikojnë në procedurë, prokurori publik propozoi që masa e paraburgimit të zëvendësohet me masa paraprake – ndalim për të dalë nga vendbanimi i tyre, detyrim për t’u paraqitur në gjykatë periodikisht dhe sekuestrim të përkohshëm të një dokumenti udhëtimi ose dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalim për lëshimin e tij. Për të akuzuarin, menaxher të mbeturinave, i cili është ende i punësuar në NP “Higjiena Komunale”, prokuroria propozoi edhe një masë shtesë – ndalim për kryerjen e aktiviteteve të caktuara të punës që lidhen me veprën penale, përkatësisht largim të përkohshëm nga vendi i punës.

Ish drejtori Sabahadin Rustemi dha dorëheqje për arsye morale. Ai u arrestua për veprën penale të rrezikimit të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sepse kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe aktivitetin themelor të kompanisë për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit.

Inspektimet e jashtëzakonshme dhe mendimi i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik konfirmuan se menaxhimi i tillë i mbeturinave shkaktoi dëme në tokë, ajër dhe ujë, me një rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.