Kryeministri hungarez Viktor Orban më 25 dhe 26 shtator për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në një intervistë për “360 Gradë” në MRT 1 ka konfirmuar se kryeministri hungarez Viktor Orban do ta vizitojë vendin deri në fund të këtij muaji. Sipas Mucunskit, për momentin nuk dihet saktësisht se ku do të mbahet ky takim, ndërsa jozyrtarisht përmendet Ohri dhe data të mundshme – 25 dhe 26 shtator, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për të komentuar mbi pretendimet se Hungaria po vepron si mbulesë për Kinën në kredinë prej 500 milionë eurosh për vendin, Mucunski u përgjigj se nuk ka parë asnjë provë të besueshme për një pretendim të tillë dhe se kredia ishte nga një shtet anëtar i Bashkimi Evropian, i cili aktualisht kryeson BE-në.

Në vërejtjen e gazetarit se Hungaria është anëtare e BE-së, por edhe një vend që aktualisht ka miliarda euro të ngrira nga fondet e BE-së dhe i vetmi vend në historinë e Unionit për të cilin është nisur një mekanizëm për heqjen e të drejtës së votës në Këshillin e BE-së për shkak të problemeve të qeverisjes së ligjit, Mucunski thotë se do të bashkëpunojnë me të gjithë – nga Hungaria, në Austri, Francë dhe Gjermani.

“Hungaria është një vend, kryeministri i të cilit mban rregullisht takime dypalëshe me përfaqësuesit më të lartë të disa prej vendeve që ju renditët. Madje është pranuar prej tyre edhe në kryeqytetet e tyre, me të cilat tregton, me të cilët ka bashkëpunim të shkëlqyer diplomatik dhe ekonomik, kështu që nëse duam ta shohim përmes prizmit të sfidave të caktuara që ka, do të jetë gjithmonë aty. Një shtet anëtar nuk do të pajtohet me një tjetër, një tjetër nuk do të pajtohet me një të tretë. Por çfarë do të thotë kjo, nëse Republika Çeke ose Sllovakia hapin një mosmarrëveshje nesër, ne duhet të zgjedhim me kë të bashkëpunojmë. Ne do të bashkëpunojmë me Gjermaninë dhe Hungarinë dhe Austrinë dhe Francën”, thotë Mucunski.

Në pyetjen se pse Hungaria do të ishte e interesuar t’i jepte kredi Maqedonisë në një situatë kur treguesit makroekonomikë të saj janë larg të qenit të ndritshëm – me një borxh të madh publik dhe një deficit shumë të lartë – Mucunski thotë se ky është një shqetësim i kryeministrit hungarez dhe se marrëveshja është shpallur publikisht.

“Kritika më e madhe është se për atë kredi ka shërbime juridike që janë të natyrshme. Nëse kritika është se paguhen 70 mijë euro për një kredi që është në të gjitha kushtet e tregut, atëherë ajo kritikë nuk qëndron. Cili është sfondi? Hungaria, si vendi më i afërt me rajonin e Ballkanit Perëndimor, dëshiron stabilitet dhe njeh potencialin në qeverinë e re. Nëse nuk mund të sigurojmë një kredi me kushte të mira, kritikohemi për marrjen e kredive të mëdha. Tani problemi është se kredia ka ardhur nga një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, por aktualisht ka pasur mosmarrëveshje me KE-në dhe disa shtete anëtare”, tha ministri.

I pyetur – cili është çmimi i kredisë, në kontekst të deklaratës së ministrit të Transportit se në lidhje me kredinë shihet edhe hyrja e mundshme e operatorit hungarez të telekomunikacionit “4iG”, ministri i Jashtëm thotë se vendi ka rregulla shumë të qarta se kush mund të marrë koncesion dhe kush ka mundësi të performojë në tregun e telekomunikacionit, duke shtuar se ata si Qeveri po punojnë vetëm për modernizimin e tregut të telekomunikacionit dhe diversifikimin më të madh.

“Qeveria ka interes parimor për një operator të tretë, por kjo nuk do të thotë se do të ketë apo do të jetë ‘4iG’. Nëse ka investime hungareze në vend, nëse kompanitë hungareze investojnë në ndonjë sektor – çfarë nuk shkon me këtë? Ne kemi rregulla shumë të qarta në lidhje me koncesionet dhe kush mund të hyjë në tregun e telekomunikacionit si operator i tretë potencial. Qeveria nuk mund të vijë dhe të thotë që nga nesër 4iG do të jetë operatori i tretë, kjo është ligjërisht e pamundur”, tha Mucunski.

Ministri tha gjithashtu se Hungaria është një partner tradicional i rajonit dhe një vend që është kryesues aktual i Bashkimit Evropian dhe nga ky këndvështrim, ai mendon se është krejtësisht normale dhe e natyrshme që vendi të ketë marrëdhënie të forcuara me Budapestin. Krahas kultivimit të marrëdhënieve të mira me Hungarinë, ai tha se dëshirojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, dhe kjo shihet pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Kurti në vend, vizitës së Mucunskit në Sofje dhe Beograd, por edhe takimin e mundshëm me ministrin e Jashtëm grek, i cili sipas Mucunskit duhet të bëhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.