RMV, projektligji për kredinë nga Hungaria kaloi filtrin e komisionit parlamentar
Projektligji për huamarrjen prej 500 milionë eurosh të vendit nga Banka Hungareze e Eksport-Importit kaloi filtrin në Komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet. Pas seancës së sotme të Komisionit, ligji i propozuar do të kalojë për procedurë të mëtejshme në Kuvend, transmeotn Portalb.mk.
Deputeti Bojan Stojanovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së e drejtoi seancën e Komisionit për financa dhe buxhet, pasi kryetarja e këtij organi, deputetja nga opozita e LSDM-së Sanja Llukarevska nuk e thirri seancën në afatin e caktuar 24-orësh. Për këtë, seancën e thirri kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe caktoi deputetin Stojanoski të udhëheqë me të.
Deputetët e LSDM-së, të cilët dje kërkuan që qeveria ta tërheqë atë nga procedura e shkurtuar dhe ta dorëzojë projektligjin në procedurë të rregullt, nuk ishin të pranishëm në seancë dhe nuk morën pjesë në diskutimin e komisionit.
Zgjidhjen e propozuar ligjore para deputetëve ua sqaroi zëvendësministri i Financave Nikolçe Jankulovski. Ai përsëriti se kredia do të tërhiqet në një këst dhe se afati për shlyerjen e saj është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh.
Norma e interesit është fikse dhe është 3.25 përqind dhe komisioni për fondet e patërhequra është 0.5 përqind e kredisë në vit. Kredia do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, i cili ishte i pranishëm në seancë, nga foltorja e Kuvendit pyeti se pse deputetët e LSDM-së nuk kanë dorëzuar ndonjë amendament dhe nuk kanë marrë pjesë në diskutimin e komisionit, përkundër faktit se kanë pasur kundërshtime për miratimin e ligji për huamarrje.
“Pse nuk erdhën? Rregullorja i lejon kryetarit të këtij komisioni, i cili në këtë rast është nga radhët e opozitës, të përcaktojë dinamikën e seancës. Pse nuk kemi punuar 24 orë në ato tri ditë që janë votuar sipas Rregullores, të cilën e kanë votuar me konsensus, që të diskutojmë amendament për amendament. Pse nuk kanë paraqitur mijëra amendamente, pse nuk i kemi shqyrtuar një nga një, që publiku të shohë nëse dikush kishte apo jo qëllime korruptive”, tha Stojanoski.
Në këtë kuptim, ai përsëriti se kryetarët e komunave të udhëhequra nga LSDM-ja, ndër të tjera, kanë aplikuar në thirrjen për projekte për komunat, të cilat do të financohen nga kredia nga Hungaria.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.