Mucunski: “Propozimi francez plus” do të ndalojë bilateralizimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE
Pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për “propozimin francez plus”, dhe pas njoftimeve se në Bruksel këtë javë do të prezantohet plani për zhbllokimin e integrimeve evropiane, shefi i diplomacisë së Maqedonisë Timço Mucunski, në një intervistë për “360 gradë”, tha se para së gjithash ka të bëjë me ndalimin e bilateralizimit, transmeton Portalb.mk.
“Propozimi francez plus” është një plotësues i gjithë asaj që ekziston aktualisht si një situatë de facto në atë mënyrë që ne do të jemi absolutisht të sigurt, pa asnjë hezitim, që nga momenti që të fillojmë negociatat me BE-në, nuk do të kemi bilateralizim të rrugës sonë. Që nuk do të thotë se një shtet anëtar nuk do të jetë në gjendje të na bllokojë në drejtim të kryerjes së reformave në fushën e financave publike, në drejtim të mos kryerjes së reformave në fushën e sundimit të ligjit, por të ndalojë këto kërkesat dypalëshe”, shpjegon Mucunski.
Ministri i Politikës së Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme pohon se kjo mund të arrihet përmes institucioneve të BE-së, nëse Unioni është seriozisht i përkushtuar ndaj nesh dhe rajonit.
“Garancionin e kërkojmë në radhë të parë përmes institucioneve të Bashkimit Evropian. Dhe mendojmë se përveç zbatimit të vonuar të ndryshimeve kushtetuese, një rrugë e drejtë mund të jetë edhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe vendosja e një sistemi mes vendit tonë dhe institucioneve evropiane”, tha ai.
Kur ekziston dëshirë midis shteteve anëtare, do të gjendet mënyrë për të bindur një anëtar që po bën problem, nëse çështja është strategjike. Pyetja është nëse BE-ja është e sinqertë në dëshirën për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor dhe besoj se është e sinqertë, thotë Mucunski.
“Ne u themi se rruga që keni bërë na dëmton, do t’ju dëmtojë edhe juve, le të nxjerrim një rrugë të re. Dhe jo vetëm kaq, por ne ofrojmë edhe një zgjidhje logjike. Ne ofrojmë një zgjidhje që nuk është as e tmerrshme dhe as e rrezikshme nga pikëpamja juridike dhe politike. Ne jemi mbështetës të konceptit se vendimet e shpejta në politikën e jashtme sjellin zgjidhje të mira. Ne pamë se si një qeveri e mëparshme, pas disa muajsh nga formimi i qeverisë, donte të pohonte se gjen zgjidhjet më të përshtatshme në politikën e jashtme, kështu që na çoi në këtë situatë me protokolle, me ndryshime kushtetuese, me një milion probleme të natyrës teknike, me një gjoja përmirësim të marrëdhënieve të ndërsjella, por më pas gjithçka që u kërkohej – ata pranuan. Dhe tani jemi sjellë në një situatë të tillë që duhet ta çojmë punën nga një gjendje shumë e varur në një situatë ku të kemi të paktën dinjitet dhe integritet minimal për ta çuar vendin përpara”, thotë Mucunski.
Kryeministri Mickoski përsëriti qëndrimin e tij se qeveria në Shkup është e gatshme të bisedojë me qeverinë bullgare për propozimin e saj për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në vend, por pasi Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së.
Më 18 gusht të vitit 2023, debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbaroi brenda pak orësh dhe votimi nuk ndodhi pasi që nuk kishte numra të mjaftueshëm të deputetëve që do të votonin për. Deputetët e VMRO DPMNE-së që atëherë ishte në opozitë votuan kundër.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.