Kryeministri bullgar Denkov: Aktualisht nuk kemi kërkesa të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut

Në fjalimin e tij nga Parlamenti Evropian, kryeministri bullgar Nikolaj Denkov komentoi marrëdhëniet e vendit të tij me Maqedoninë, duke kujtuar se Bullgaria është vendi i parë në botë që e njeh vendin tonë si shtet të pavarur evropian, transmeton Portalb.mk.

“Për fat të keq, me kalimin e viteve marrëdhëniet tona janë përkeqësuar dhe nuk mendoj se Bullgaria është fajtore për këtë. Prandaj dua të them qartë se Bullgaria aktualisht nuk ka kërkesa të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut, përveç atyre që janë vendosur në vendimin e Bashkimit Evropian vitin e kaluar”, përfundoi Denkov, raportojnë mediat bullgare, duke theksuar se Maqedonia e Veriut duhet ta përmbushë marrëveshjen.

Ai shtoi se lidhur me këtë çështje nuk pranon asnjë kritikë ndaj vendit të tij.

Kjo deklaratë e Denkovit vjen pasi disa eurodeputetë i kërkuan Sofjes që t’i hapë rrugën Shkupit për anëtarësim në BE, për vendosmërinë evropiane të të cilit nuk ka dyshime, sepse për t’i hapur dyert për negociata, ajo ka ndryshuar edhe emrin.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.