Konfederatë Evropiane me Ballkanin Perëndimor?
Ish-deputeti i partisë Konservatore në Britani, Nik Boules i ka propozuar kryemistrit britanik, Andy Burnham që Ballkani Perëndimor të futet në listën e “Konfederatës Evropiane”, ky propozim parasheh një zonë më të gjerë evropiane të tregtisë së lirë, ku do të përfshiheshin BE-ja, Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Sipas propozimit, hapsira e tregtisë së lirë do të lidhej edhe me detyrime të sigurisë ku vendet anëtare do t’i premtonin njëra-tjetrës mbrojtje në rast sulmi, sipas modelit të NATO-s.
Kjo ide nga Londra vjen në kohën kur edhe Brukseli po përgatit rregulla të reja për vendet kandidate për zgjerim.
Sipas njoftimeve, KE-ja po punon për ndryshimin e kushteve për anëtarët e rinj dhe pritet të publikojë propozime për përcaktim më të saktë të të drejtave të tyre, por edhe për mekanizma mbrojtës.
Megjithatë detaje konkrete dhe përfundimtare ende nuk janë publikuar.
Sipas zyrtarëve, po përgatiten propozime për ndryshimin e rregullave për anëtarët e rinj, i cili do t’u prezantohet liderëve të BE-së në takimin e Këshillit Evropian që nis më 15 tetor.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.