Krimet financiare në DAP: 20 persona nën hetim, dëmtuan buxhetin e shtetit me 4,8 milionë euro

Pas bastisjes së djeshme në 16 lokacione, 20 persona janë nën hetim të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të cilët përmes Drejtorisë për të Ardhura Publike e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit prej 4,8 milionë euro (297.733.844 denarë). Prokuroria kërkoi paraburgim për 10 persona, ndërsa për 10 të tjerë masa kujdesi, raporton Portalb.mk.

Nën drejtimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, hetuesit e Qendrës Hetuese të Prokurorisë, me asistencën e MPB-së, dje deri vonë gjatë natës kryen kontroll në 16 lokacione në të gjithë vendin. Gjatë kontrollit u sekuestruan dokumente fiktive, para të gatshme, armë dhe vula të rreme të subjekteve juridike.

Aksioni ishte rezultat i veprimeve të Qendrës Hetuese të Prokurorisë dhe Drejtorisë për Inteligjencë Financiare, pas informimit nga Agjencia për Siguri Kombëtare, ku u siguruan prova për dyshim të bazuar për vepra penale me natyrë financiare.

“Bazuar në këtë, Prokuroria ka hapur lëndë dhe ka nxjerrë urdhër për kryerjen e hetimeve kundër 20 personave që kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në shumën prej 297.733.844 denarë ose 4,8 milionë euro”, informoi Prokuroria.

Prokuroria sqaroi se i dyshuari kryesor, shtetas serb dhe pronar e menaxher i dy subjekteve juridike, së bashku me dy zyrtarë nga DAP – Drejtoria Rajonale e Shkupit, gjatë vitit 2023 formuan grup me qëllim kryerjen e veprave penale: shmangie tatimore, mashtrim tatimor, pastrim parash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në periudhën 2023–2025, në grup u përfshinë edhe pronarë, menaxherë dhe punonjës të tjerë të subjekteve juridike në Shkup dhe Gjevgjeli. Me paraqitjen e të dhënave të pasakta në deklaratat tatimore dhe me ndihmën e punonjësve tatimorë nga DAP, gjatë periudhës 2023–2024, i dyshuari kryesor shmangu pagesën e taksave në shumën prej 11.593.403 denarë”, tha Prokuroria.

Nga atje shtojnë se të dyshuarit e tjerë, pronarë dhe menaxherë të subjekteve juridike, me deklarata të rreme kërkuan dhe punonjësit e dyshuar miratuan kthim tatimor të paarsyeshëm për subjekte juridike jo-rezidente, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në shumën 31.175.168 denarë.

“Për më tepër, disa nga të dyshuarit gjatë së njëjtës periudhë kryen transferime dhe tërheqje parash për të fshehur burimin e parave të fituara nga vepra penale, në shumën totale prej 91.985.197 denarë”, tha Prokuroria.

Më tej thuhet se provave të deritanishme u referohet se punonjësit e dyshuar në DAP– Drejtoria Rajonale Shkup, disa në pozita të larta drejtuese, me keqpërdorime të përsëritura të detyrës zyrtare, shkaktuan dëm të përgjithshëm në buxhetin e RMV-së prej së paku 162.980.076 denarë.

Prokurori publik, duke vlerësuar rrethanat, konstatoi se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit për dhjetë të dyshuar dhe propozoi gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup caktimin e paraburgimit për tetë persona, ndërsa për dy persona masa është caktuar më parë në një çështje tjetër të lidhur me Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së.

Për dhjetë personat e tjerë, prokurori publik ka propozuar masa kujdesi, përfshirë ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të lidhura me veprën penale dhe aktiviteteve si punonjës zyrtarë në DAP të RMV-së.

Sot, Gjykata Penale caktoi masa kujdesi për nëntë të punësuar në DAP pas aksionit që u zhvillua dje.

“Në lidhje me aksionin e djeshëm të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që ka të bëjë me të punësuar në DAP, në Gjykatën Themelore Penale Shkup është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj 10 personave, nga të cilët 9 janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake. Pas deklarimit të tyre, gjyqtari e pranoi propozimin dhe ndaj të gjithëve caktoi masa sipas pikave 2, 3, 6 dhe 7, përkatësisht: konfiskim të dokumentit të udhëtimit, detyrim për paraqitje në gjykatë, ndalim të komunikimit me persona të caktuar dhe ndalim të ushtrimit të aktiviteteve të caktuara të punës”, njoftuan nga Gjykata Penale.

Siç raporton Telma, njëra nga të arrestuarat është një ish-deputete, tani e punësuar në DAP, ndërsa pjesë e skemës kriminale është edhe një kompani e njohur për tregti me derivate dhe në pronësi të pikave të karburantit.