Në Bogorodicë u gjetën pistoletat zyrtare të vjedhura nga sigurimi i NP “Parqe dhe Gjelbërim” në Shkup
Gjithsej 9 pistoleta zyrtare, që ishin objekt i veprës penale ‘vjedhje e rëndë’ e kryer më 5 janar nga ambientet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” në Shkup, janë gjetur në një automjet “Shkoda Oktavia”, në pronësi të një personi juridik nga Prilepi, gjatë një kontrolli doganor në pikën kufitare Bogorodicë, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një banori të Prilepit, i cili më 14 janar e kishte marrë me qira automjetin nga kompania dhe me të kishte tentuar t’i kalonte përtej kufirit pistoletat gjysmëautomatike, të fshehura veturë.
“Nga numrat serikë është konstatuar se bëhet fjalë për armët që më herët ishin vjedhur nga ambientet zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërim” – Shkup dhe ishin të regjistruara si armë zyrtare të sigurimit në këtë ndërmarrje publike në Shkup”, thanë nga Prokuroria Publike.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale ‘Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve ose materialeve shpërthyese’, sipas nenit 396, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.