Mjekët mbështesin projektligjin për duhanin, shoqatat me peticione për gjoba për hedhjen e bishtave të cigareve
Projektligji për mbrojtje nga duhani ka marrë mbështetje edhe nga Oda e Mjekëve. Për mjekët, kjo nuk është çështje politike, por jetike, pasi ka të bëjë me shëndetin dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, të rinjve dhe kategorive të cenueshme, transmeton Portalb.mk.
Nga Oda theksojnë se mjekët çdo ditë i shohin pasojat dhe sigurojnë se zbatimi i rreptë i masave ligjore do të nënkuptojë më pak hospitalizime dhe më shumë jetë të shpëtuara.
Sipas tyre, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet malinje, gjendjet kronike pulmonare dhe shumë probleme të tjera shëndetësore janë drejtpërdrejt ose tërthorazi të lidhura me duhanpirjen dhe përbëjnë një barrë serioze si për individin, ashtu edhe për sistemin shëndetësor.
“Duke ndjekur praktikat e mira evropiane, Oda e Mjekëve vlerëson se masat e reja për kontrollin e produkteve të duhanit dhe nikotinës, si dhe mbrojtja nga duhanpirja pasive, do të kontribuojnë ndjeshëm në uljen e numrit të përdoruesve të rinj të këtyre produkteve, në mbrojtjen efektive të joduhanpirësve në hapësira të mbyllura dhe në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm jetese dhe pune”, thonë nga Oda e Mjekëve.
Nga ana tjetër, problemi i bishtave të cigareve po merr edhe dimension sigurie.
Shoqata e qytetarëve “Për një Maqedoni më të pastër” i ka dërguar një peticion me mbi një mijë nënshkrime Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ata kërkojnë që sistemi “Qytet i Sigurt” të detektojë dhe të ndëshkojë hedhjen e bishtave të cigareve nga automjetet.
Marko Xhambazoski nga kjo shoqatë thotë se bishti i cigares nuk është një gjë e vogël, por është ndotës, por edhe një shkëndijë potenciale për zjarr.
“Përveç problemit estetik, këtu kemi edhe një problem ekologjik. Nëse e marrim bishtin e cigares si mbeturinën më të shpeshtë që e gjejmë nëpër rrugë, ai përmban shumë substanca toksike që ndotin tokën dhe ujin dhe duhen shumë vite për t’u shpërbërë, sepse përmban shumë mikroplastikë. Po ashtu, kjo paraqet edhe kërcënim për sigurinë publike”, tha Xhambazoski.
Kryeministri Hristjan Mickoski ka thënë se sistemi “Qytet i Sigurt” për momentin mund të regjistrojë vetëm kundërvajtje të përcaktuara me ligj, ndërsa për të detektuar hedhjen e bishtave të cigareve dhe mbeturinave të tjera nevojiten ndryshime ligjore.
Zbatimi i “Safe City” pritet të fillojë më 1 shkurt.