“Krejt e thirrin Rexhën” rikthehet në Cineplexx MK: projeksion falas për publikun më 15 qershor

Në kuadër të iniciativës “Filmi maqedonas. Në ekran të madh.”, organizuar nga Agjencia e Filmit dhe Cineplexx MK, publiku do të ketë mundësi ta ndjekë falas filmin “Krejt e thirrin Rexhën” më 15 qershor me fillim nga ora 19:00 në Cineplexx MK. Pas një rruge të suksesshme me publikun në Maqedoni dhe diasporë, filmi rikthehet edhe një herë në ekranin e madh, kësaj radhe si pjesë e programit që synon të rikthejë vëmendjen ndaj filmit vendor dhe kinemasë maqedonase, shkruan Portalb.mk.

Ky rikthim nuk është thjesht një projeksion tjetër. Është një mundësi e re që publiku ta përjetojë edhe një herë historinë e Rexhës në formatin më të bukur të mundshëm: në kinema, me emocionin e sallës, me reagimin e publikut dhe me fuqinë që vetëm ekrani i madh mund ta japë.

Pas një rruge të suksesshme në Maqedoni dhe diasporë, filmi “Krejt e thirrin REXHËN” ka dëshmuar se tregimet tona, personazhet tona dhe realitetet tona kanë vend të rëndësishëm në kinematografi. Ai arriti të krijojë lidhje të fortë me publikun, duke u kthyer në një nga titujt që u diskutua, u shpërnda dhe u përjetua gjerësisht.

Përmes kësaj iniciative, Agjencia e Filmit dhe Cineplexx MK synojnë të rikthejnë vëmendjen te filmi vendor dhe të hapin më shumë hapësirë për prodhimet kinematografike nga vendi ynë.

Hyrja është falas. Publiku ftohet të jetë pjesë e këtij rikthimi të veçantë të Rexhës në ekranin e madh.

Afishja e projektit “Filmi maqedonas. Në ekran të madh”. Foto: Ibër Deari
Afishja e projektit.