Kovaçevski: Zgjedhje në maj, marrëveshja e koalicionit me BDI-në e qartë, ASh ka kapacitet të jetë pjesë e koalicionit evropian

Konsideroj se ka hapësirë ​​të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve në maj, në mandatin e tyre të rregullt, ndërsa për qëndrimet përfundimtare të partive politike do të informojmë kur të arrihet konsensus më i gjerë brenda Kuvendit, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, të gjitha vendimet kadrovike do të ndahen me publikun pasi të miratohen nga organet zyrtare të partisë.

LSDM-ja dhe BDI-ja, nënvizoi kryeministri, kanë marrëveshje të qartë koalicioni, ndërsa Aleanca për Shqiptarët (ASh) ka kapacitetin të diskutojë për shtet dhe shoqëri ekonomikisht të begatë me drejtësi sociale dhe demokraci në nivelin më të lartë, me liri mediatike dhe sundim të ligjit, të cilat janë themelet, siç theksoi, për ndërtimin e frontit të koalicionit të gjerë.

Aktualisht, informon Kovaçevski, janë duke vazhduar bisedimet për finalizimin e Kodit Zgjedhor dhe përfshirjen në të të gjitha vëzhgimet e OSBE/ODIHR-it.

Tashmë është finalizuar në masën më të madhe dhe shumë shpejt, tha ai, do të jetë në seancë qeveritare, si dhe në seancë në Kuvend, gjatë së cilës do të merret një zgjidhje ligjore plotësisht e harmonizuar.

“Në këtë periudhë dhe në periudhën që kemi përpara, deri në zyrtarizimin e periudhës kur do të mbahen zgjedhjet, do të ketë shumë informacione interesante si për qytetarët ashtu edhe për mediat. Disa prej tyre do të jenë të sakta, por shumica prej tyre nuk do të jenë të sakta. Ne kemi marrëveshje të qartë koalicioni me BDI-në të publikuar në vitin 2020, sigurisht që po diskutohen modalitetet me ta, por qëllimi për të arritur një koalicion evropian që do të udhëheqë një front të gjerë është gjëja kryesore që do t’i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme. Të gjitha detajet dhe vendimet kadrovike që do të pasojnë do të ndahen me publikun pasi që do të kryhen nga organet zyrtare të partive“, theksoi Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Qendrën TIK për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave në Prilep.

Me rastin e formimit të koalicioneve, nënvizoi Kovaçevski, është thelbësore të ndajmë vlerat e përbashkëta që i referohen para së gjithash vizionit të një shoqërie moderne dhe një shteti modern.

“Nuk është çështje bindjeje, por kur formohen koalicione, është thelbësore të ndajmë vlera të përbashkëta që lidhen kryesisht me vizionin e një shoqërie moderne dhe një shteti modern me prosperitet ekonomik, drejtësi sociale dhe demokraci të nivelit më të lartë, liri të mediave, shteti i së drejtës është shumë më i avancuar sot dhe koalicionet do të ndërtohen mbi ato themele. Besoj se Aleanca ka kapacitet për të diskutuar tema të tilla dhe mendoj se mbi këtë bazë mund të diskutohet për koalicionet e ardhshme dhe performanca në zgjedhje, por le t’i lëmë diskutimet dhe organet zyrtare të partisë të marrin vendime në këtë drejtim”, nënvizoi Kovaçevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në konferencë për media muajin e kaluar ka folur për datat e mundshme për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, si dhe për afatet. Ai ndau tre data të mundshme për raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve.

Sipas tij, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Kështu, nëse raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 14 mars, atëherë shpallja e zgjedhjet duhet të jenë më 4 janar 2024. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Datat e mundshme sipas Xhaferit janë:

  • Raundi i parë: më 14 mars, 28 mars, 11 prill dhe 25 prill.
  • Raundi i dytë: 28 mars, 11 prill, 25 prill dhe 9 maj (datë kritike sepse inaugurimi do të duhet të jetë më 12 maj).

Zgjedhjet për president mbahen gjatë 60 ditëve të fundit të mandatit aktual të kreut të shtetit.