Kosova u anëtarësua në “Partneritetin e Qeverisjes së Hapur”

Republika e Kosovës është anëtarësuar në nismën ndërkombëtare të “Partneritetit për Qeverisje të Hapur” e cila përfshin 76 shtete, transmeton Portalb.mk.

Kosova ishte vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor e cila nuk ishte anëtare e kësaj nisme.

Njoftimin për këtë e dha kryeministri i Kosovës – Albin Kurti në platformën “X” (ish Twitter).

“I kënaqur të njoftoj se Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare dhe 104 lokale dhe nxit transparencën, llogaridhënien dhe qasjet novatore për angazhimin e publikut”, shkroi Kurti.

Nga ana tjetër, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës – Elbert Krasniqi tha se përmes anëtarësimit në këtë organizatë, Kosova i bashkohet kombeve të botës demokratike, kështu “duke u zotuar mbi parimet e përbashkëta për qeverisje të hapur, të përgjegjshme dhe inovative duke u angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”.

Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është  partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH-së është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë.

Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), si dhe Kosova së fundmi sipas njoftimit të autoriteteve të këtij vendi, e cila në dhjetor të vitit 2022 miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH).