Kosova në “hartën” e raketave iraniane
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, janë reflektuar në hapësirën digjitale në Ballkan, veçanërisht në kanale dhe profile nacionaliste pro-serbe e pro-ruse në Telegram dhe X (ish-Twitter), shkruan Sbunker.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe figura të tjera të larta u vranë pasi Izraeli dhe SHBA-të nisën një sulm “masiv” dhe të vazhdueshëm kundër udhëheqjes dhe ushtrisë së Iranit.
Përmbajtjet e analizuara tregojnë një zhvendosje të vëmendjes nga raportimi i situatës ndërkombëtare drejt instrumentalizimit të saj për agjenda të brendshme politike dhe anti-perëndimore, me theks të veçantë kundër Kosovës.
Elementi i përbashkët i këtyre postimeve është thirrja e hapur që Irani të sulmojë bazën ushtarake amerikane “Bondsteel” në Kosovë, një përshkallëzim ky i retorikës që tejkalon propagandën klasike dhe hyn në fushën e nxitjes së dhunës.
Postime me hartën e bazave amerikane – Bondsteel si objektiv i mundshëm
Njëri prej postimeve përmban një fotografi me hartën e bazave amerikane në rajon, të cilat sipas narrativës së shpërndarë janë brenda rrezes së raketave iraniane, përfshirë bazën në Bondsteel. Teksti shoqërues përmend lloje specifike raketash iraniane si “Khorramshahr”, “Khorramshahr 4” ose “Shahab”, duke sugjeruar se këto sisteme do të mund ta arrinin edhe Kosovën.
Përmendja e llojeve konkrete të raketave krijon një perceptim të ekspertizës ushtarake dhe i jep postimit gjoja një fasadë analitike, ndonëse qëllimi real është propagandistik.
Duke e futur Bondsteel-in në të njëjtën hartë me objektiva në Lindjen e Mesme, tentiohet të krijohet ideja se Kosova është pjesë legjitime e skenës të konfliktit.
Postimi nuk ofron asnjë kontekst strategjik real mbi kapacitetet apo qëllimet e Iranit, por e paraqet sulmin si diçka të mundshme dhe pothuajse të pritshme. Për ta shtyrë përpara narrativën anti-NATO, Bondsteel paraqitet jo si bazë e KFOR-it në kuadër të mandatit ndërkombëtar, por si simbol i “okupimit amerikan”. Kjo lloj përmbajtjeje synon të krijojë ndjesinë e cenueshmërisë së Kosovës dhe të forcojë perceptimin se prania amerikane është rrezik, jo garanci sigurie.
“Just do it” – thirrje e drejtpërdrejtë për sulm
Postimi tjetër shfaq po ashtu hartën ku theksohet Kosova, e shoqëruar me mbishkrimin “Just do it” (Vetëm bëje). Thirrja e qartë për veprim “Just do it” nënkupton inkurajim të drejtpërdrejtë për sulm ushtarak ndaj objektivit të paraqitur. Përdorimi i një slogani të njohur globalisht e banalizon një akt potencialisht katastrofik dhe e paraqet si veprim të thjeshtë e të menjëhershëm.
Postimi nuk përmban argumente politike apo historike, është thjesht nxitje emocionale për përshkallëzim. Ky është shembull tipik i propagandës digjitale që synon mobilizim emocional, jo debat racional.
Kanali BUNT që shpërndau postime të tilla është qendra e ekosistemit propagandistik.
Me mbi 110 mijë ndjekës e postime me një mesatare prej 100 në ditë, “Bunt-i” është nyja kryesore e koordinimit narrativ midis kanaleve pro-ruse dhe pro-serbe. Përmbajtjet e tij mbështeten dhe amplifikohen nga kanalet që kanë target veriun e Kosovës, si: “Korridor”, “Bunker” e “Srpski Vestnik”.
Këto kanale funksionojnë sipas modelit që përforcon narrativën në mënyrë ciklike. Një kanal shpërndan mesazhin, shpesh të ngarkuar emocionalisht, kanalet e tjera e ripostojnë apo e komentojnë dhe kështu mesazhi amplifikohet. Rezultati është një ekosistem i rrezikshëm, ku përhapen urrejtja e dezinformimi dhe nxitet radikalizmi.

Postime në X me “koordinata” të bazës amerikane
Një fushatë e tillë u ndërmor edhe në plafformën X dhe media online.
Njëri prej artikujve përmban një hartë nga Google Maps me vendndodhjen e një objekti amerikan në Kosovë, i shoqëruar me mesazhin në gjuhën serbe: “Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”.
Simulimi i dhënies së koordinatave krijon narrativën e bashkëpunimit simbolik me një aktor të jashtëm armiqësor. Ironia me nëntekst kërcënues: “Faleminderit paraprakisht” nënkupton miratim të një sulmi të mundshëm.
Instrumentalizimi i mosnjohjes së Kosovës nga Irani
Postimi tjetër e kritikon deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë që dënoi sulmet iraniane ndaj shteteve të Gjirit, duke theksuar se vendet e Gjirit e kanë njohur Kosovën kurse Irani nuk e ka njohur atë. Kësisoj, qëndrimi ndaj një konflikti global reduktohet në një kriter të vetëm – njohja ose jo e Kosovës. Me synimin e krijimit të simpatisë për Iranin, paraqitet si “aleat” i heshtur për shkak të mosnjohjes së Kosovës. Kjo narrativë përforcon boshtin anti-perëndimor dhe e lidh politikën e jashtme serbe ekskluzivisht me çështjen e Kosovës, duke e shndërruar konfliktin në Lindjen e Mesme në instrument për debat të brendshëm nacionalist.
Deklaratat e Vuçiqit – krahasimi me NATO-n
Komenteve agresive dhe luftënxitëse iu fryu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, i cili e krahasoi situatën në Iran me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Duke folur për televizionin pro-qeveritar, Informer, Vuçiq tha se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, deklaroi Vuçiq.
Krahasimi që bënë Vuçiqi aktivizon narrativën e viktimizimit historik të Serbisë, duke mos i përmendur arsyet reale që kishin çuar në intervenimin e NATO-së në Kosovë. Barazim i SHBA-së e NATO-s me agresorë sistematikë e forcon narrativën anti-perëndimore që tashmë qarkullon në rrjete sociale. Edhe pse Vuçiq nuk bën thirrje direkte për dhunë, krahasimi i tij krijon terren të favorshëm për radikalizim të diskursit pasi retorika zyrtare përputhet me narrativat nacionaliste në platformat digjitale.
Bondsteel target i kanaleve serbe edhe para zhvillimeve në Lindje të Mesme
Kampi më i madh ushtarak në Kosovë, Bondsteel u bë target i kanalave pro-ruse e pro-serbe në Telegram edhe para se të nistë sulmi SHBA-Izrael kundër Iranit. Referencat pas raportimit të Politico për diskutime të hershme në Bruksel për zvogëlim të trupave, u përdoren për të ndërtuar narrativën se “Amerikanët kanë sinjalizuar fundin e misionit”. Por një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht nuk ka ndryshim në vendosjen e forcave amerikane.

Artikulli i publikuar nga Dnevnik (19 shkurt 2026) trajton pyetjen nëse baza Bondsteel kësaj radhe me të vërtetë do të largohet dhe sugjeron se administrata e presidentit amerikan po synon përfundimin e misionit të NATO-s në Kosovë. Diskutimet e hershme paraqiten si sinjale konkrete për mbyllje.
Përmes krijimit të ndjenjës së tranzicionit të pashmangshëm tentohet të shtyhet ideja e përfundimit të misionit të KFOR-it si proces që tashmë ka nisur. Përmes vendosjes së kornizës “okupim” prania ndërkombëtare përshkruhet si barrë financiare dhe politike.
Kjo narrativë krijon perceptimin se baza është e përkohshme dhe se largimi amerikan është çështje kohe, një element që më pas përdoret nga kanalet radikale për ta paraqitur Bondsteel-in si objektiv të pambrojtur ose të braktisur.
Postime të tilla kanë nxitur reagime radikale të komentuesve.
“Qofshin apo jo në Kosovë, i pret i njëjti fat, rroftë monarkia dhe ju, vëllezër, nxitoni për në Kosovë”, është njëi prej komenteve në postim. “Tërhiqu dhe ik pa lënë gjurmë, mallkuar qoftë çdo orë, çdo ditë pushtimi që kalove në Kosovën dhe M të shenjtë serbe”, është komenti tjetër.
Analiza e këtyre raportimeve shpërfaq disa prirje të qarta, kryesorja instrumentalizim i situatës në Lindjen e Mesme për agjendë anti-NATO dhe anti-Kosovë përmes thirrjeve për sulme ndaj objektivave në territorin e Kosovës.
Përdorim i narrativës së mosnjohjes së Kosovës nga Irani si bazë për simpati gjeopolitike, po bëhet përmes ndërlidhjes së diskursit politik zyrtar dhe propagandës digjitale nacionaliste. Këto zhvillime tregojnë një model të konsoliduar të komunikimit digjital që shfrytëzon çdo krizë ndërkombëtare për të fuqizuar narrativa anti-perëndimore dhe për ta paraqitur Kosovën si objektiv legjitim në një konflikt global. Në aspektin e sigurisë këto postime përbëjnë rrezik për radikalizim online, përhapje të dezinformatave, frikës si dhe tensionim të mëtejshëm të klimës politike në rajon.
