Kosova ende s’e ka humbur shansin e përfitimit të milionave nga Plani i Rritjes, por BE tërheq vëmendjen
Komisioni Europian është shprehur i shqetësuar që institucionet e Kosovës ende nuk janë formuar, gjë që sipas këtij mekanizmi europian po shkakton vonesa të mëtejshme në ratifikimin e Marrëveshjeve për Kredinë dhe Lehtësinë Financiare nga Plani i Rritjes. Një zëdhënës i Komisionit Europian tha për KALLXO.com që Kosova ende ka të drejtë përfitojë nga Plani i Rritjes, por duhet që të formojë institucionet sa më shpejt sepse ky mekanizëm është i përkohshëm.
“Kosova vazhdon të ketë të drejtë për të përfituar nga parapagesat sapo të ratifikohen marrëveshjet që lidhen me Mekanizmin për Reforma dhe Rritje. Megjithatë, ky mekanizëm është një instrument i përkohshëm, i parashikuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që procesi i ratifikimit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani për Rritje, në të mirë të qytetarëve të saj”, tha zëdhënësi.
Ky institucion europian, ripërsëriti se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve të nevojshme, mund të bëhet lëshimi i fondeve në kuadër të këtij Plani.
Edhe pse ka mbetur vetëm edhe një ditë nga afati i Kushtetueses, për të 52-tën herë ka dështuar konstiituimi i Kuvendit. Deputetët do të mblidhen edhe njëherë më 26.07.2025 në orën 14:00.
117 deputetë ishin të pranishëm në sallë, 54 kanë votuar për Komisionin për votim të fshehtë, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Partitë të ish-opozitës, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, sikurse edhe në herët e kaluara, as nuk i propozuan anëtarët për këtë komision, as nuk morën pjesë në votimin e tij. Në mungesë të kuorumit për votim.
Kushtetuesja më 24.07.2025 ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Me këtë vendim, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.
Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
Kjo kërkesë, sipas saj, ka karakter preventiv të pasojave juridike, nëse nuk konstitohet Kuvendi deri më 26 korrik, në frymën e aktgjykimit kushtetues.
“Kjo është një situatë e paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku përkundër Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm (30 ditësh), e që kanë mbetur edhe pak ditë (deri në skadim), dhe ende nuk shihet një konsensus për konstituimin e Kuvendit.” – ka deklaruar Osmani para mediave më 23.07.2025.
Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga BE-ja, që gjithsej deri në vitin 2027 janë 882 milionë, së pari duhet ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës. Pagesat e para të rregullta priten të ekzekutohen ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025 – pati thënë Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com në mars të vitit 2025.
Plani i Rritjes për Kosovën përfshin përfitimin e 882 milionë eurove që janë përcaktuar për Kosovën deri në vitin 2027.
“Komisioni dhe Kosova tani janë duke finalizuar hapat proceduralë të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës” – kanë thënë nga Komisioni Europian.
Ky institucion i BE-së konfirmon se Kosova ka bërë kërkesën për lirimin e parafinancimit deri në 7% të shumës totale të paraparë me këtë Pako (nga shuma fillestare treguese e financimit në dispozicion për secilin përfitues).
Sipas Komisionit, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e këtyre vendeve më afër Bashkimit Europian përmes reformave dhe investimeve.
Në Kuvendin e Kosovës procedura për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligje specifike.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 18, specifikon se Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për çështje të caktuara me shumicë të cilësuar (dy të tretat e të gjithë deputetëve).
Gjithashtu, Ligji nr. 04/L-052 për marrëveshjet ndërkombëtare detajon procedurat e ratifikimit – duke përfshirë dorëzimin e marrëveshjeve në Kuvend me iniciativë të vet, ose pas propozimit nga Qeveria.
Megjithatë, në praktikë, Kuvendi ka hasur në vështirësi për të arritur kuorumet e nevojshme për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare – duke rezultuar me dështimin e miratimit të tyre në disa raste.