Komunat me shumicë shqiptarë në RMV për tre vite nuk kanë formuar as edhe bordet inicuese për Këshillat Rinor Lokal

Këshillat Rinor Lokal te komunat me shumicë shqiptarë mbeten ende të paformuara edhe pse kanë kaluar tre vite nga miratimi i Ligjit për Pjesëmarrje të Rinjve në Politikat Rinore. Komuna e Kërçovës, Çairit, Dibrës dhe Strugës për gjatë këtyre tre viteve, që nga miratimi i Ligjit, ende madje nuk kanë formuar as bordet iniciuese, shkruan Portalb.mk.

Çdo komunë e ka për detyrë fillimisht të zgjedhë një bord iniciues i cili duhet të përzgjedhë anëtarët e Këshillit Rinor dhe pastaj komuna të hapë shpallje publike që të rinjtë të aplikojnë për anëtarësim.

Përgjegjësitë e komunave për zbatimin e këtij ligji janë që të kenë një Zyrë Rinore në hapësirat e komunës ku të rinjtë do të mund të drejtohen për çështje të interesit të tyre, Strategji lokale e cila do të theksojë temat të cilat janë në interes të të rinjve dhe Qendër Rinore, që do tu shërbejë të rinjve për të mbajtur takime dhe për të punuar në projektet e tyre dhe komunat duhet të ndajnë mjete nga buxheti i tyre për të financuar të rinjtë dhe projektet e tyre. Të gjitha këto duhet të jenë të definuara në mënyrë formale.

Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve në politika rinore është paraparë që të rinjve tu mundësohet të kyçen në vendim marrjen në çështje të cilat ndikojnë në jetën e tyre dhe komunat kanë afat deri në vitin 2025 të kenë të hapur të paktën një Qendër rinore.

Komuna e Çairit, para një muaji për Portalb.mk tha se ata janë në bisedime me përfaqësues të sektorit civil dhe disa organizatat ndërkombëtare për themelimin e Këshillit Rinor Lokal dhe hapjen e Qendrës Rinore. Pas pikërisht një muaji ata janë po në të njëjtën fazë. Të pyetur përsëri nga Portalb.mk se deri ku janë me formimin e Këshillit, nga Komuna e Çairit thanë se ata deri më tani kanë mbajtur disa takime që të fillohet grupi iniciues, i cili ka për qëllim formimin e Këshillit Rinor Lokal.

Arsyeja se përse kanë pasur kaq shumë takime dhe ende nuk kanë as bord iniciues, nga komuna thanë se duan të përfaqësuesit të jenë adekuat dhe këshilli të mos krijohet sa për “sy e faqe”.

Kërçova e cila ka pasur një këshill të tillë dhe që ka një Strategji Lokale për Portalb.mk thanë se riformimi i këtij këshilli  nuk do të bëhet as edhe këtë vit dhe përsëri nuk dhanë afat konkret se kur do të bëhet shpallja publike.

“Kemi pasur seanca në Komunë por për shkak të disa përgjegjësive tjera, nuk kemi pasur hapësirë që të fillojmë me formimin e Këshillit Rinor” thanë nga Komuna e Kërçovës.

Komuna e Dibrës gjithashtu nuk ka të formuar Këshill Rinor, ata kanë formuar bordin iniciues dhe më pas do të vazhdojnë me formimin e këshillit.

“Puna e Këshillit Rinor ka arritur deri në fazën e Këshillit iniciues dhe tani vazhdon procedura për paraqitjen e të rinjve me çka do të pasojë formimi zyrtar i Këshillit Rinor” informuan nga Komuna e Dibrës.

E njëjta situatë është edhe me komunën e Strugës, ata nuk kanë Këshill Rinor Lokal por pritet që së shpejti të fillojnë me procedurën.

Nga komunat me shumicë shqiptarë që veçmë kanë të formuar siç duhet një këshill rinor dhe janë funksional janë Tetova me kryetare Elma Sherifi nga Shoqata e Artistëve Figurativ dhe komuna e Gostivarit me kryetar Leutrim Bilali.

Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë (KRKM) çdo vit përgatit një raport të monitorimit të zbatimit të Ligjit për Politikat  e të rinjve. Sipas këtij raporti komunat të cilat kanë të hapur një zyrë për të rinj, atë nuk e kanë të definuar siç e kërkon ligji. Madje edhe në sugjerimet e KRKM-së kërkohet që komunave  t’u sqarohet roli i zyrës për të rinj për shkak se prej 6 komunave në tërë vendin që pretendojnë se kanë të krijuar një zyrë të tillë e vetmja që është e krijuar siç duhet është ajo e Kumanovës.

Ndërkaq, që e vonon zbatimin e këtij ligji është edhe vetë mosinteresimi i Agjencisë për Rini dhe Sport dhe ministrive që janë përgjegjëse për emërimin e përfaqësuesit të Trupit Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore.

Qeveria ka sjellur vendim që Agjencia për Rini dhe Sport, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria dhe Ministria e Financave ta emërojnë përfaqësuesin e Trupit Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore.

Trupi Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore është një mekanizëm i cili duhet t’u mundësojë përfaqësuesve të të rinjve të komunikojnë me organet shtetërore për çështje dhe problematika që i shqetësojnë ata.