Këshillat Rinor Lokal sa për sy e faqe, komunat shqiptare në RMV të painteresuara për kyçjen e rinisë në krijimin e politikave

Pavarësisht obligimit ligjor, Këshillat Rinor Lokal të komunave më të mëdha me shumicë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, nuk janë aktive dhe nuk shërbejnë për qëllimin që janë formuar – pjesëmarrjen e të rinjve në krijimin e politikave rinore, të cilën politikanët dhe partitë vazhdimisht e theksojnë si prioritet të tyre. Komunat, i kanë formuar këto këshilla “sa për sy e  faqe”, por sipas hulumtimit tonë, është shumë e vështirë të arrihet deri te të dhënat bazike të këtyre këshillave dhe nuk ka kurrfarë informata për aktivitetin e tyre, shkruan Portalb.mk.

Me miratimin e Ligjit për Pjesëmarrjen e të rinjve në Politika Rinore në vitin 2020, të gjitha komunat janë të obliguara me ligj të kenë të formuar një Këshill Rinor Lokal, të kenë ndarë një Zyrë Rinore, Qendër Rinore, por edhe Strategji Lokale. Sipas të dhënave që siguroi Portalb.mk, Këshillat Rinor janë formuar në Komunën e Tetovës, Çairit Gostivarit, Kërçovës, Dibrës dhe Strugës. Megjithatë, vetëm Tetova dhe Gostivari i kanë këshillat funksional dhe aktiv.

Disa prej komunave, para se të miratohet ligji kanë pasur forume joformale rinore, por të cilat, janë mbyllur. Me miratimin e ligjit, komunat obligohen që sërish t’i themelojnë.

Rast i tillë është i Komunës së Çairit dhe Kërçovës, të cilat momentalisht nuk kanë këshill rinor funksional. Momentalisht, këto dy komuna nuk kanë Këshilla, pavarësisht se janë të obliguara ta formojnë me ligj.

Nga Komuna e Çairit, e cila ka mbi 62.000 banorë thonë se janë në bisedime me përfaqësues të sektorit civil dhe disa organizatat ndërkombëtare për themelimin e Këshillit Rinor Lokal dhe hapjen e Qendrës Rinore, por nuk tregojnë se kur mund të themelohet, pavarësisht se kanë kaluar dy vjet nga mandati i dytë i kryetarit të Komunës Visar Ganiu.

“Komuna e Çairit është në komunikim të rregullt me përfaqësues të sektorit civil dhe organizata ndërkombëtare për themelimin e Këshillit Rinor Lokal. Fillimisht punohet në krijimin e grupit nismëtar, të cilët më tutje do të vazhdojnë hapat e radhës deri në themelimin e Këshillit Rinor Lokal” thanë nga Komuna e Çairit.

Kërçova, ka pasur një organ të tillë që nga viti 2015 deri në vitin 2021, por tanimë nuk është aktiv. Ata, informojnë se në periudhën që vjen do të shpallin thirrje për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por nuk tregojnë afat konkret.

“Tashmë kemi person të emëruar, dhe sipas informatave të cilat i morëm në koordinim me atë, më veç se janë duke planifikuar periudhën që vjen, të shpallin thirrjen e re për zgjedhje të përbërjes së re të Këshillit Rinor”, thanë nga Komuna e Kërçovës.

Këshilli Rinor Lokal në Gostivar, foto nga profili i Këshillit në Facebook
Këshilli Rinor Lokal në Gostivar, foto nga profili i Këshillit në Facebook

Në vitin 2018, Komuna e Kërçovës së bashku me Misionin OSBE në Shkup kanë hapur Qendrën Rinore, ku të rinjve u është siguruar një hapësirë në objektin e saj. Mirëpo kushtet e të cilës nuk kanë qenë cilësore dhe pritet që të rinovohet deri në formimin e Këshillit të ri Rinor. Gjithashtu me Misionin OSBE në Shkup, Kërçova ka krijuar një strategji rinore e cila parasheh të gjitha aktivitetet që Këshilli Rinor është dashur t’i ndërmerr deri në vitin 2022.

Në strategjinë rinore përshkruhen nevojat dhe kërkesat e të rinjve të qytetit të Kërçovës, që në atë kohë kanë qenë mungesa e arsimit joformal, seminare dhe trajnime, mungesa e bibliotekave dhe librave, mungesa e ngjarjeve kulturore, mungesa e punësimit, migrimi i të rinjve. Të gjitha këto fenomene janë prezente edhe në ditët e sotme në qytetin e Kërçovës.

Prej 2 shkurtit të këtij viti, Tetova e ka formuar Këshillin Rinor Lokal, i cili ka gjithsej 9 anëtarë. Kryetare e këtij këshilli është zgjedhur Elma Sherifi nga Shoqata e Artistëve Figurativ. Për planin aktual të Këshillit Rinor Lokal të Tetovës, Elma Sherifi tha se aktualisht po fokusohen në çështjen e delikuencës së të rinjve dhe largimin e tyre nga vendi.

“Plani aktual i Këshillit Rinor është një mision i fuqishëm për të krijuar një Tetovë më të bukur dhe më të sigurt për të rinjtë tanë dhe të gjithë komunitetin tonë të dashur. Ne kemi vendosur të përqendrohemi te çështjet e delikuencës dhe dukurisë së largimit së të rinjve nga qyteti, sepse këto janë sfidat më të mëdha aktuale që po përballemi si shoqëri. Me përkushtimin tonë të pasionuar dhe vullnetin për të sjellë ndryshime pozitive, jemi të vendosur që të përmirësojmë jetën e të rinjve dhe të rrisim sigurinë në qytetin tonë”, tha Sherifi.

Komuna e Strugës dhe Dibrës, nuk kanë Këshill Rinor Lokal, por pavarësisht kërkesës së Portalb.mk, nga këto komuna nuk përgjigjen fare në pyetjet gazetareske. Në pyetjet e Portalb.mk, nuk përgjigjen as nga Komuna e Gostivarit, e cila ka Këshill Rinor aktiv, me kryetar Leutrim Bilali aktiviteti i të cilëve mund të ndiqet në rrjetin social Facebook.

Sipas Raportit të monitorimit të zbatimit të Ligjit për Politikat e të Rinjve Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRKМ), ka paqartësi në vetë ligjin se cila kompetencë i përket cilës dhe kjo ndikon në vonimin e implementimit të këtij ligji dhe ende nuk është formuar Trupi Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore, mirëpo Qeveria ka sjellur vendim që Agjencia për Rini dhe Sport, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria dhe Ministria e Financave ta emërojnë përfaqësuesin e Trupit Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore,.

Sa i përket formimit të Këshillit Rinor Lokal vetëm 19 komuna në tërë Maqedoninë e Veriut e kanë të formuar, në 15 komuna sapo ka filluar procesi i formimi të Këshillit dhe 6 komuna nuk u janë përgjigjur KRKM-së.

Vetëm 7 komuna kanë Strategji Rinore në të gjithë vendin, Kriva Pallanka, Shtip, Koçani, Kërçova, Tearca, Ohri dhe Krusheva.

Sa i përket zyrës për të rinj, 6 komuna u kanë theksuar se kanë zyrë për të rinj mirëpo ashtu si të definuar në Ligjin për Pjesëmarrje të rinjve dhe politikave rinore ka vetëm në Kumanovë.

Qendra  Rinore ka gjithashtu në 7 komuna, Probishtip, Kumanovë, Qendër Shkup, Shtip, Veles, Kavadarc dhe Ohër.

Gjithashtu në raport përshkruhen disa sugjerime të KRKM-së për implementimin e Ligjit për Politikat e të Rinjve ku kërkohet zhvillimi i seancës mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit nga ana e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, vlerësimi i kapaciteteve të Agjencisë për Rini dhe Sport për zbatimin e ligjit, krijimi i partneriteteve ndërmjet Agjencisë për Rini dhe Sport me organizatat rinore, futja e dënimeve penale dhe krijimi i mekanizmave për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit si dhe sqarimi i rolit të zyrës për të rinjë dhe si duhet të funksionojë ajo.