Edhe pse nuk e realizoi planin e mëparshëm për parkingje, Komuna e Tetovës tani paralajmëron garazh në kate me 800 vende

Komuna e Tetovës edhe pse nuk e realizoi planin e mëparshëm për parkingje, tani thotë që ka plan të ri, përderisa Tetova vazhdon të përballet me kaosin në trafik dhe mungesën e parkingjeve në qytet. Këtë e bëri të ditur kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi në seancën e fundit të Këshillit Komunal, me çka dhe filloi nisma për plan të ri detal urbanistik të bllokut 32. Bëhet fjalë për lokacionin nën Tregun e Gjelbër ku aktualisht ka parking të mbyllur ndërsa sipas nismës, aty planifikohet ndërtimi i garazhit në kate me 800 vend parkime, raporton Portalb.mk.

Durmishi sqaroi se bëhet fjalë për bllokun urban 32 ku me planin e ri që do të iniciohet procedura në Këshill më pastaj do të dërgohet në Ministri dhe përsëri të sillet në Këshill të merr vendimin final.

“Janë paraparë mbi 800 parkime, domethënë garazh në kate për parkime, kjo do të realizohet në partneritet publiko privat, kjo procedurë do të jetë transparente, do të ketë edhe prokurim publik ku të gjithë palët e interesuara do mund të aplikojnë”, tha Durmishi.

Kujtojmë që edhe në të kaluarën nga udhëheqësia aktuale e komunës ka pasur premtime për ndërtimin e parkingjeve në kate, por deri tani ata nuk janë realizuar. Dështimin e realizimit në tërësi të planit me pesë pika për krijimin e parkingjeve të reja në Tetovë gjatë vitit 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e arsyetoi me atë se për parkingjet në kate ende nuk mund të gjejnë zgjidhje ligjore. Sipas planit të shpalosur më 11 janar 2022, Komuna e Tetovës planifikonte që deri në fund të vitit të rriste numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate. Ky plan nuk u realizua ashtu siç u paralajmërua sipas fazave dhe afateve kohore. Gjatë kësaj periudhe u krijuan vetëm 284 vendparkime, apo vetëm 7 përqind e planit

Ndërkaq Kasami, para se të merrte këtë funksion si zgjidhje për kaosin në trafik premtoi se në gjashtë-mujorin e parë do të ndërtohen shtatë parkingje me konstruksion çeliku. Por, këto parkingje nuk janë ndërtuar.

Tetova vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve në qytet dhe kjo tani më është bërë përditshmëri për qytetarët, të cilët parkohen vend e pa vend. Sipas Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës gjatë vitit 2023 numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm ishte 6.226, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 3.964.

Numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës në vitin 2023 sipas SPB Tetovë është 44.054, me çka kaosi në trafik mbetet i pranishëm.