Françeska Muço: Dezinformatat dëmtojnë të rinjtë e Ballkanit, rëndësinë e NATO-s të ata mund ta kuptojnë përmes angazhimit

Dezinformatat, lajmet e rreme dhe propagandat e ndryshme keqdashëse të cilat kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor por edhe të minojnë rëndësinë e NATO-s prekin edhe rininë e këtij rajoni. Për këtë çështje dhe të tjera, Portalb.mk zhvilloi intervistë me Françeska Muçon, drejtoreshë e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj nga Shqipëria. Ajo thekson se problemi i këtij rajoni nuk janë të rinjtë, janë mendësitë e vjetra që nuk janë të gatshme t’i përgjigjen vlerave, koncepteve bazike mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut si dhe nuk janë të gatshëm të ecin përpara. Ajo thotë se rëndësinë e NATO apo dhe bashkësive të tjera të ngjashme por me qëllime të tjera, të rinjtë mund ta kuptojnë vetëm nëpërmjet angazhimit dhe përfshirjes konkrete në veprimtari konkrete.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb: Së fundmi ju mblodhët një grup të rinjsh nga rajoni për të diskutuar sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor në Forumin Vjetor të Profesionistëve të Rinj 2023: “Bashkëpunimi, Siguria, Vlerat: NATO-ja në një botë që ndryshon”, cilat janë rezultatet e forumit dhe a ka shpresë se këta të rinj nesër do të jenë sigurues të paqes dhe stabilitetit në rajon?

Françeska Muço: Rezultatet e para të forumit lidhen me përmbajtjen dhe diskutimet e gjalla të zhvilluara, mbarëvajtjen e përgjithshme, shkëmbimet dhe rrjetëzimet e para që filluan dhe reagimet shumë të mira të dhëna nga pjesëmarrësit në pyetësorin e vlerësimit mbi cilësinë dhe debatin në forum. Ndërkohë, ne tek Rrjeti i Profesionistëve të Rinj nuk na pëlqen ti lejmë gjërat vetëm në teori, ndaj forumi do të ketë edhe disa veprimtari të tjera në terren të cilat do të të prodhojnë rezultate të tjera të shtrira në kohë.

Një ndër produktet kryesore të forumit do të jetë një manifesto/deklaratë publike që pritet të publikohet në fund të janarit 2024. Kjo deklaratë është përpiluar në bazë të diskutimeve të bëra në forum të cilat u zhvilluan në Chatham House Rule dhe kryesisht nga diskutimet e mbajtura nga profesionistët e rinj pjesëmarrës. Ky dokument do të komunikojë besimet dhe qëllimet e të angazhuarve në raport me temën bazuar në diskutimet e zhvilluara.

Marrë këtë në konsideratë, di të të them që kam shumë shpresë dhe besim që këta qytetarë të rinj janë dhe do të jenë sigurues të paqes dhe stabilitetit në rajon. Problemi i këtij rajoni nuk janë të rinjtë, janë mendësitë e vjetra që nuk janë të gatshme t’i përgjigjen vlerave, koncepteve bazike mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut si dhe nuk janë të gatshëm të ecin përpara. Përkundrazi janë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor që janë të hapur drejt ndryshimit, që duan fqinjësinë e mirë, që kanë mendësi Evropiane, dhe që përfaqësojnë çdo të mirë që rajoni ka.

Ndërkohë disa rezultate të tjera lidhen me aktivitetet që disa nga pjesëmarrësit pritet të zhvillojnë në kuadër të forumit në muajt në vijim.

Portalb: Ballkani Perëndimor po përballet me sfida të reja dhe të ndryshme të sigurisë dhe bashkëpunimit, për të cilat NATO-ja shihet si garantuese e paqes dhe e sigurisë. Ju punoni me të rinj nga rajoni, sipas jush sa të rinjtë e Ballkanit po flasim në perspektivë më të gjerë, e njohin NATO-n dhe janë të vetëdijshëm për rolin e saj të sigurisë në rajon?

Françeska Muço: Duke u përqendruar në Ballkanin Perëndimor, është e qartë se sfidat e sigurisë janë unike dhe komplekse. Në fakt NATO luan një rol të rëndësishëm si garantuese e paqes në këtë rajon, por perceptimet dhe njohja e saj variojnë shumë nga një vend në tjetrin. Nga ana tjetër, është e vështirë të flasësh me terma konkrete për kohë sa nuk ka ndonjë studim që targeton pikërisht këtë çështje dhe të rinjtë në Ballkanin Perëndimor (të paktën nën dijeninë time).

Françeska Muço, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj. Foto: Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.
Françeska Muço, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj. Foto: Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.

Gjithsesi të paktën për Shqipërinë nga ‘‘NATO Poll Report: Albania 2023’’ zhvilluar nga Albanian Institute for International Studies (AIIS) shumica e qytetarëve shqiptarë kanë një ndjesi shumë pozitive në lidhje me anëtarësimin e tyre në NATO në vitin 2009, ku 81% e vlerësojnë këtë si një zhvillim pozitiv. Ndërkohë 76% e shqiptarëve kanë besim se anëtarësimi në NATO e ka bërë vendin e tyre më të sigurt, ndërsa vetëm 10% janë kundër kësaj. Nga ana tjetër, tek Edicioni i 10-të i Sondazhit Publik të zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), NATO e ruan renditjen si një ndër institucionet më të besuara në Shqipëri prej 74.2% e të pyeturve. Në formë indirekte flet dhe për vlerësimin për këtë organizatë për rolin e saj.

Gjithsesi qëndrimet mund të jenë më të ndara ose edhe kritike nga shteti në shtet. Çfarë mund të përmend, që në opinionin tim është indikator për rininë dhe rajonin, për sa e njohin NATO-n dhe rolin e saj të rinjtë nga rajoni është numri i lartë i aplikimeve që kemi marrë për forumin (forma/procesi i aplikimit nuk ishte e thjeshtë) ku në 10 ditë që thirrja ishte e hapur morëm 75 aplikime dhe përpos aplikimit shumë të rinj kanë shprehur interesin në mediumet tona të komunikimit për të qenë pjesë. Kjo tregon dëshirë për të mësuar dhe për të diskutuar këto tema, si dhe një vetëdijesim në rritje për rolin e NATO-s në rajon. Kjo është shpresëdhënëse, pasi të rinjtë janë ata që do të formojnë marrëdhëniet e tyre me organizatat ndërkombëtare si NATO në të ardhmen.

Portalb: Çka për ata të rinj të cilët nuk e njohin mjaftueshëm NATO-n, si t’i bëjmë të kuptojnë rëndësinë e saj dhe mos të bien pre e narrativeve kundër NATO-s për të cilat ka tendenca të ndryshme nga aktorë të huaj?

Françeska Muço: Si dikush që punon me të rinjtë në Ballkanin Perëndimor, e kuptoj që ka të rinj që mund të mos kenë një njohje të plotë për rolin e NATO-s apo rëndësinë. Kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh historinë e ndërlikuar të rajonit, ndryshimet e shpejta politike që kanë ndodhur këtu por edhe larminë e informacionit që ka.

Për të ndihmuar të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e NATO-s, që u krijua si një alternativë paqeje dhe prosperiteti pas shumë luftërave (luftra ku të përfshira kanë qenë edhe shtete që sot janë anëtare të kësaj aleance) është kyç të përfshijmë edukimin dhe shtojmë veprimtaritë që kanë në fokus ndërtimin e paqes dhe njohjen me punën e entiteteve të ndryshme apo organizatave ndërqeveritare që synojnë sigurinë kolektive dhe garancinë e parimeve universale të bashkëjetesës paqësorë, të cilat fatkeqësisht vihen shpesh herë në pikëpyetje. Kjo do të ndihmonte në krijimin e hapësirave ku të rinjtë mund të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje të qarta.

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet që paqja që kemi pasur gjithë këtë kohë nuk duhet të merret e mirëqenë! Ajo nuk është e garantuar dhe roli i NATO-s në mbrojtjen e këtyre vlerave është jetik. Duke u fokusuar në mënyrën sesi NATO ka ndihmuar në mbrojtjen e vendeve anëtare dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, mund të ndihmojmë të rinjtë të kuptojnë se pse organizata është kaq e rëndësishme. Në fund të fundit, sfida jonë është të ndërtojmë një dialog që është i hapur, gjithëpërfshirës, i ndershëm dhe që trajton shqetësimet e të rinjve. Kjo do të ndihmojë në zbutjen e narrativeve negative dhe do të inkurajojë një kuptim më të thellë të çështjeve të sigurisë dhe rolin e NATO-s në rajon.

Portalb: Rinia në Ballkanin Perëndimor është e prirur drejt bashkëpunimit dhe ndërtimit të partneriteteve që i tejkalojnë kufijtë. Kështu, duke promovuar vlerat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit midis profesionistëve të rinj, NATO mund të sigurojë stabilitet në rajon, të ruajë ndikimin e saj dhe të zvogëlojë rreziqet e dezinformimit. Pasi ju po punoni me të rinj, si t’i bëmë ata të kuptojnë rëndësinë e kësaj dhe t’i kyçim më shumë në këtë proces, përmes cilave metoda?

Françeska Muço: Mendoj që duhet të ketë edhe më shumë veprimtari që synojnë pikërisht njohjen dhe materializimin e këtyre organizatave të rëndësishme si NATO nga të rinjtë që fundja fare janë ata që mund ti bëjnë të qëndrueshme dhe jetëgjata këto organizata. Ndaj rëndësinë e NATO apo dhe bashkësive të tjera të ngjashme por me qëllime të tjera, të rinjtë mund ta kuptojnë vetëm nëpërmjet angazhimit dhe përfshirjes konkrete në veprimtari konkrete.

Françeska Muço, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj. Foto: Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.
Françeska Muço, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj. Foto: Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.

Metodat më pas mund të jenë nga më të ndryshmet që nga programe që vetë këto organizata mund të zhvillojnë deri tek angazhimi i organizatave rinore të shoqërisë civile për më shumë aktivitete që synojnë zvogëlimin e rreziqeve të dezinformimit. Pra duhen vendosur më shumë përpjekje për të rritur ndërveprimin me rininë dhe njëkohësisht promovuar punën e NATO apo organizatave të tjera ndërqeveritare për të inkurajuar në këtë rrugëtim.

Gjithsesi, ne nuk mund të presim që të rinjtë do të kuptojnë rëndësinë e të gjithë të përmendurave vetë, jemi ne si shoqëri, institucione, organizata etj që kemi detyrën t’i krijojmë një mjedis lehtësues që ata të informohen, kuptojnë dhe kyçen më tepër në këto procese. Ndaj thirrja ime është sa më shumë projekte, aktivitete dhe investime që kanë në fokus rininë!

Portalb: Pasi ju kryesisht punoni me të rinj dhe i njihni më afër nevojat e tyre, cila do të ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur të rinjtë e Ballkanit Perëndimor nga propaganda dhe dezinformatat anti NATO dhe anti BE?

Françeska Muço: Edukimi është zgjidhja gjithmonë! Për të mbrojtur të rinjtë e Ballkanit Perëndimor nga influenca e propagandave dhe dezinformimeve anti-NATO dhe anti-BE, duhet një rrugëtim edukativ që fillon që në bankat e shkollës. Shkollat e Shekullit 21 nuk mund të kenë në fokus thjesht transmetimin e dijes por duhet të kenë një spektër më të gjerë në formimin e qytetarëve të rinj që nga aftësi e mendim kritik dhe deri tek një vëmendje e shtuar tek edukimi politik dhe edukata qytetare. Kjo do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë aftësi të mendimit kritik, një mjet jetësor kundër ndikimit të propagandës dhe dezinformimit.

Sigurisht që edhe organizatat e shoqërisë civile ruajnë një rol shumë të madh në këtë kuadër me punën e përditshme që ato bëjnë dhe shtimi i veprimtarive rinore që targetojnë pikërisht këtë gjë është e nevojshme. Ndërkohë nëse duam qëndrueshmëri dhe të ndikojmë në masë, në opinionin tim duhet të synojmë edukimin formal. Në fund të këtij udhëtimi, të rinjtë nuk do jenë vetëm më të mbrojtur nga dezinformimet, por bëhen edhe qytetarë më të vetëdijshëm dhe aktivë, të gatshëm të kontribuojnë pozitivisht në shoqërinë dhe në skenën ndërkombëtare. Kjo është një rrugë jo vetëm drejt mbrojtjes nga propagandat, por edhe drejt ndërtimit të paqes për Ballkanin Perëndimor.

Portalb: Sa mendoni se të rinjve ju jepet hapësirë në vendimmarrje kur vjen puna te çështje të mëdha si ajo e sigurisë dhe e bashkëpunimit rajonal ndërshtetëror në suaza të sigurisë dhe paqes? Çfarë duhet bërë në këtë drejtim për të përmirësuar gjendjen.

Françeska Muço: Për sa i përket pjesëmarrjes rinore në vendimmarrje në çështjet e përmendura mendoj që ka shumë zhvillime pozitive, që duhet ti pranojmë dhe promovojmë. Njëherazi përpjekjet për ti siguruar të rinjve një pjesëmarrje të barabartë dhe të denjë duhet të vazhdojnë. Roli i të rinjve si pjesë e rëndësishme e të tashmes të shoqërisë dhe jo vetëm të të ardhmes është njohur tashmë. Një model pozitiv i pjesëmarrjes rinore në vendimmarrje është RYCO që ka një mekanizëm ku të rinjve iu jepet hapësirë e vërtetë dhe e barabartë me aktorët shtetërorë për çështje shumë të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal me në fokus rininë dhe ndërtimin e paqes. Gjithsesi këto përpjekje duhen shtuar dhe intensikuar dhe çfarë dua të theksoj në këtë pikë është respektimi i principeve të pjesëmarrjes rinore për mos të përfunduar në atë që në nivelet e pjesëmarrjes rinore quhet ‘‘tokenism’’ (i referohet përdorimit të të rinjve si dekorim se sa pjesëmarrjen e tyre në vetvete). Pra për ta përmbyllur: çdo organizatë ndërqeveritare apo organizma të ndonjë lloj tjetër duhet të bëjnë më tepër përpjekje për ti përfshirë të rinjtë në vendimmarrje apo proceset e tyre konsultuese dhe njëherazi të sigurohen që po e bëjnë këtë të fundit drejtë.

Portalb: Për fund, cili është mesazhi juaj drejtuar rinisë së Ballkanit Perëndimor, çfarë duhet ata të bëjnë për të krijuar një rajon më paqësor në të ardhmen dhe të tejkalojnë barrierat dhe konfliktet historike mes shteteve?

Françeska Muço: Ne te Rrjeti i Profesionistëve të Rinj themi ‘‘Bashkëpunimi është fuqia jonë më e madhe’’ dhe unë me të vërtet e besoj këtë! Ndaj të rinjtë të Ballkanit Perëndimor (dhe jo vetëm) duhet të kuptojnë që vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me njëri tjetrin ne mund të ecim para për atë çfarë të gjithë ne synojmë: një shoqëri që na mundëson një jetë të denjë. Ndaj thirrja ime për të rinjtë e këtij rajoni është të marrin guximin për të lexuar, informuar dhe zhvilluar, të marrin guximin për të njohur njëri tjetrin përtej kufijve, të marrin guximin për të braktisur paragjykimet dhe të vjetrën që deri më tani nuk ka prodhuar asgjë. Rinia Ballkanit Perëndimor është Evropiane, si e tillë duhet të bëhet qëndresë kundrejt çdo sjellje apo qasjeje që nuk synon parimet universale të bashkëjetesës paqësore apo që përfaqëson antivlera që nuk lidhen me demokracinë. Rinia jonë përfaqëson çdo gjë të mirë që Ballkani Perëndimor ka!