Vija e gjakut është vullneti suprem i Zotit

Janë të shumtë njerëzit që nuk kursyen gjë për ta parë Shqipërinë zonjë. Të tillët e ringjallën Atë disa herë nga hiri i katrahurave historike, duke investuar në frymën përbashkuese ndërmjet njerëzish me përkatësi të ndryshme krahinore, religjioze, ideologjike…, të bindur se brezat e ardhshëm do ta lulëzojnë, do ta qytetërojnë, do ta shndërrojnë në parajsë.

Etnitë e mëdha çmojnë sakrificat e pararendësve dhe gjeneratë pas gjenerate lartësojnë me nga një gur shtëpinë e përbashkët, ku njerëzit lindin, jetojnë dhe kanë dëshirë të vdesin.

Të vegjlit, të përbuzurit, të shtypurit, shpirtrobërit…, nuk janë koshientë për imazhin që rrezatojnë personalitetet historike për të mirën e përgjithshme, ndaj ndihen të lodhur nga pesha e tyre. Ndodh edhe t’i mohojnë, t’i përçmojnë e t’ua falin kurkushëve me naivitet të pakuptimtë.

Mjerisht. edhe ne jemi në mesin e atyre që kujtojnë rrallë emrat dhe bëmat e bërësve të Vatanit, ndaj duhet bërë diçka për ta ndërprerë traditën e mospërfilljes së vetvetes. Festat e mëdha, si kjo e sotmja, janë shkas i mirë për t’reflektuar ashtu si e do rendi, për t’përkujtuar më meritorët mes tyre, si puna e Haviz Ali Korçës dhe Imam Vehbi Ismailit, të cilët iu kundërvunë tendencës së shumëkujtë për t’na zhveshur vlerash dhe për t’na paraqitur para botës të paaftë për t’qeverisur shtet.

Dy klerikët, ngjashëm si Fishta e Noli, e kishin të qartë se kombi është një – pa dallim feje, krahine e dialekti; se vija e gjakut është vullneti suprem i Zotit; se tendencat e zhveshjes së etnisë nga bëmat e mëdha dhe nga figurat madhore shpiejnë drejt shndërrimit të tij në turmë njerëzish pa pika reference.

Hafiz Ali Korça – personaliteti poliedrik; përkthyesi i rubaive të Omar Khajamit; krijuesi, vepra e të cilit është e lidhur për zhvillimet e bujshme kombëtare, veçmas ato pas vitit 1912, kur vetëm gjysma e Shqipërisë u bë e lirë dhe e mosvarme; autori i veprës me vargje interesante ”Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, të shkruar me ndjeshmëri atdhedashurie; hoxha që burgosej pse lexonte “Skënderbeun” e Naimit; shqiptari që ia dërgoi me postë këtë vepër pashait në Stamboll; autori i vargjeve përmes të cilave na e bën me dije se: ta dojë njeriu gjuhën, kombin dhe figurat e veta më emblematike është punë madhështore.

Për të qenë më i bindshëm në qëndrime, ai sjell shembuj nga Libri i shenjtë i Islamit, rrëfen mbi dashurinë që kish profeti Muhamed për kombin dhe gjuhën amtare arabe, që na bën ta kuptojmë se edhe ne shqiptaret duhet ta duam Gjuhën shqipe, historinë, kombin dhe heronjtë tanë, duke nisur që nga Skënderbeu, për të cilin Sami Frashëri tha: “Vetëm një Skënderbe ka punuarë për Shqipërinë e vetëm Ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë”.

Ja disa vargje të Hafiz Ali Korçës:

…i madh Pejgamber  –  Nur i gjithësisë
Unë jam Arab – thosh – faqe njerëzisë.
Nder të math e njihte kombësin’ e vetë.
Që këtë e thotë dhe Kur’ani vetë.
Nasjonalist them – Pejgamberët ishin
se librat – në gjuhët e veta i kishin.

*Imam Vehbi Ismaili, ndërkaq, njëri prej apostujve të mendimit të lirë shqiptar, njeriu që përktheu në gjuhën arabe tregimet e Ernest Koliqit për nevojat e shqiptarëve të Egjyptit; imami që festonte festat e katër besimeve fetare të shqiptarëve; besimtari me te cilin nuk ka asnjë pikëtakim mizëria e çallmave që shajnë simbolet e shenjta kombëtare; miku i madh i poetit dhe shkrimtarit erudit Fan S. Nolit; shkodrani që emigroi në SHBA dhe që andej, një jetë të tërë i shërbeu Zotit dhe Atdheut, duke mbjellur pareshtur frymën e patriotizmës dhe tolerancës ndërfetare tek shqiptarët, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë për një Shqipëri laike, për një Shqipëri lule në kopshtin e madh të mëmës së saj të natyrshme – Evropës.

Kudo që shkonte, Ai thoshte:

“Fetë shqiptare, pa dallim kanë bashkëpunuar dhe duhet të bashkëpunojnë për të mirën kombëtare. E kjo është gjë e logjikshme, se nuk ka asnjë parim ose mësim në asnjerën prej këtyre feve që të predikojnë dhe mësojnë urrejtje dhe përbuzje në mes të besimeve të ndryshme. Të gjitha besojnë në një Zot dhe tërë njerëzimi janë krijesa të Tija… Feja kurrë nuk i ka ndarë shqiptarët. Ndaj, ata që sot mundohen të përçajnë shqiptarët duke përdorë fetë si mjet… nuk duan t’i shohin shqiptarët të bashkuar për demokratizimin dhe zhvillimin e popullit shqiptar”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.