Komuna e Tetovës do të jep tokë në këmbim të ndërtimit të objektit të ri të administratës

Komuna e Tetovës do të ndërtojë objekt të ri për nevojat e administratës. Kompania e cila do të përzgjidhet të ndërtojë objektin i cili do të jetë afër ndërtesës aktuale komunale, do të merr në këmbim tokë ndërtimore në sipërfaqe prej mbi 3800 metra katrorëve. Sipas komunës, pasi është kryer studimi i fizibilitetit për këtë projekt, është vendosur për këtë opsion me partneritet publiko-privat. Opozita e këshillit komunal nuk pajtohet dhe vlerëson se komuna humb në këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Me këtë vendim të cilin sot e miratoi shumica e Këshillit Komunal, sipas kryetarit të Këshillit Komunal, Besar Durmishi, komuna do të fillojë procedurën për dhënien e kontratës dhe themelimin e partneritetit publiko-privat.

“Arsyeja është që të kontribuohet për zhvillimin e komunës, të arrijë të menaxhojë me efikasitet pronën e saj dhe të ketë shërbime efikase dhe të standardizuara për qytetarët”, tha Durmishi.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në bazë të çmimores për tokë ndërtimore është përllogaritur që ajo tokë të vlejë diku 800 mijë euro.

“Bëhet fjalë për procedurë të hapur, ofertuesit për ndërtimin e objektit të komunës do të bëjnë ofertë për vlerën e ndërtimit të objektit, vlera mund të jetë më e vogël se 1.2 milionë euro, por në të njëjtën kohë do të bëjnë edhe ofertë edhe për çmimin që ofrojnë për tokën që do ta marrin”, tha Kasami.

Në lidhje me rastin, kritikuan këshilltarët e opozitës nga BDI-ja. Sipas këshilltarit Liridon Disha, Komuna e Tetovës e ka për qëllim dhënien e pronës publike të qytetarëve një kompanie private në këmbim të punimeve që do të bëhen për ndërtimin e objektit të ri të komunës.

“Kjo pronë publike ka shumë më shumë vlerë se sa punët të cilat kompania do t’i realizojë. Në këmbim të kësaj pune, Komuna e Tetovës do të fitojë një objekt të papërfunduar, ndërsa kompania private në këmbim do të përvetësojë pronë që kap shifrat milionëshe”, tha Disha.

Sipas studimit të fizibilitetit të bërë, toka që do të jep komuna kap vlerën bazë prej rreth 800 mijë eurove, ndërsa objekti kap vlerën e rreth 1.2 milionë eurove. Por, këto vlera mund të ndryshojnë varësisht ofertave që do të merren. Ndërkaq, nëse merren vlerësime më të larta për tokën se sa kostoja e ndërtimit të objektit, mjetet shtesë, siç tha kryetari i Komunës do të kalojnë në llogari të Komunës.

Përndryshe, hapësira ku planifikohet të ndërtohet objekti i ri është në vendin ku ishin barakat në të cilat ndodhej inspektorati komunal, të cilat tani më janë rrënuar.